Ka ndërruar jetë 14-vjeçari, i cili u godit me thikë gjatë një sherri me disa bashkëmoshatarë të tij mesditën e sotme (18 Nëntor) jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 13:10, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” në rrugën “Qema Stafa”.
Në sherrin me thika raportohet se janë përfshirë disa persona, e për pasojë kanë mbetur të plagosur dy prej tyre, ku adoleshenti me iniciale M. C, humbi jetën.
Ndërsa 14-vjeçari tjetër me iniciale L. M., është goditur me thikë në gjoks dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Viktima mësohet se ishte goditur me thikë në zemër dhe u dërgua në spital, por nuk u mbijetoi dot plagës së marrë.
Gazetari Igli Çelmeta, bën me dije se kanë qenë tre persona të cilët kanë shkuar pranë ambienteve të jashtme të shkollës dhe kanë plagosur dy adoleshentët. Pas konfliktit, autorët thuhet se janë larguar në drejtim të “Pazarit të ri”, ndërsa dy nxënësit e plagosur janë shoqëruar nga qytetarët në ambulancën e zonës, e më pas drejt Traumës.
Ndërkohë është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.