Miratimi i buxhetit 2025 ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita, e cila kundërshton buxhetin që u votua sot me 75 vota të mazhorancës.
I ftuar në emisionin “Open” me moderatore Eni Vasilin, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se buxheti është kundër interesave të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht kundër pensionistëve.
Teksa bëri një krahasim lidhur me ndarjen e buxhetit për pensionet që qeveria e Kosovës dhe ajo Shqipërisë praktikon, Noka tha se vendi ynë ka pensionet më të ulëta në rajon.
Demokrati u shpreh i revoltuar duke thënë madje se një qen që qeveritarët mbajnë në shtëpi konsumon në vakt ushqim që ka kosto sa pensioni mujor që merr një pensionist, i cili më këto para duhet të blejë ilaçe, të paguajë ujë drita, të vishet e të ushqehet për tërë muajin.
“ E kupton ti ndërkohë që një qen që mbajnë në shtëpi qeveritarët ha në vakt 8 mijë lek, këta i japin pensionistit të blejë ilaçet, të paguajë ujë drita të ushqehet. Po ka gjë më poshtërsi se kjo për një qeveri?” u shpreh Noka.
“E patë ju Ramën çfarë bëri? Ai zgjodhi vetëm ti hakërrehej opozitës sepse s’kishte si ta mbronte këtë buxhet dhe tha se do jepet bonuse për pensionistët. Për kë ishte ky buxhet? Ishte ky për pensionistët? 8.2 mld euro buxheti sipas qeverisë, rritja e pensioneve 4.1 % për tu tallur me një cinizëm ekstrem.
3.2 mld është buxheti i Kosovës 20% i rriti qeveria e Kosovës. Ndërkohë që në Shqipëri pensionet e pensionistëve janë më të ulëtat në rajon. E kupton ti ndërkohë që një qen që mbajnë në shtëpi qeveritarët ha në vakt 8 mijë lek, këta i japin pensionistit të blejë ilaçet, të paguajë ujë drita të ushqehet. Po ka gjë më poshtërsi se kjo për një qeveri?.. Një qen ha në vakt sa merr një pensionist në muaj”, tha Noka.