Vend i sëmurë

vend i semure








































NGA FLUTURA AÇKA Flutura-Acka

Kisha menduar të flisja për çështjen për të cilën jemi mbledhur, buxhetin 2025, por sa kohë që ndërsa flasim dhe zihemi këtu për para, po, për para, atje jashtë në rrugë, në shkollë, në lagje, në disko, na vriten fëmijë të pafajshëm shqiptarë, pa përmendur për lajmet e përditshme me të rritur që vrasin dhe i vrasin pa qeder, mu si berrat në thertoret publike. Fjala “me vra” ka hyrë tashmë në fjalorin e përditshëm me një popullim të frikshëm dhe ne këtu vazhdojmë po atë avaz, të prodhojmë dhunë, ja nisur nga kjo foltore. Kemi plot dy ditë, veçmas sot, që hedhim e presim me përdëllime shterpe për dhunën atje jashtë, a thua se e dëgjojmë për herë të parë një lajm të tillë, a thua se djaloshin e pafat, Martinin, nuk e vrau martina e paaftësisë sonë shoqërore, por një shok i tij, të cilin ne qemë krejt të paaftë ta rrisim siç duhet. Po, edhe ne këtu në këtë sallë. Dhe më leni t’jua shpjegoj me qetësi.

Po e filloj nga vetja, që shpesh këtu në mesin tuaj, ose më mirë në trojet e politikës, është ndier si mish i huaj, ndjesi që i afrohet “me u ndi e vrame”. Por, ju lutem, mos e lexoni si ankesë këtë, sepse të fundit që mund t’ju ankohem jeni ju, veçmas ju që ngritët votën kundër meje, rebeles opozitare; sepse imuniteti që fiton këtu brenda këtu brenda, të ndihmon mos me u trondit dhe asgjë nuk ta ndikon humorin, por vetëm të ndihmon ta kuptosh më mirë thurimën ku je futur dhe cinaurin të cilit duhet t’i mbijetosh. Duhet të kesh forcë dhe shpërfillje t’i mbijetosh “bullizimit politik”, që prodhohet në këtë sallë. Dhe unë i kam të dyja.

Po jua them hapur, një pjesë e jona këtu në Parlament jemi njerëz të dhunshëm, dhe nuk e ka vendin këtu dhe, ç’është më e keqja, nuk e di se nuk e ka vendin këtu? Ata, pra ajo pjesë, më kanë dhënë përshtypjen, se mes tyre, siç thotë Konica, “kam bërë një shëtitje englendisëse mes turinjsh të thartuar dhe të parruar”.

Dhe meqenëse jam te Konica, por mbetem tek ai dhe mënyrën se si e thërriste ai Shqipërinë diku në rreshtat e tij. Ai i thoshte Shqipëria, Kuptonjëria. Ne të vërtetë, një shekull më pas ne nuk jemi Kuptonjëria, por S’kuptonjëria, e cila e ka trurin këtu, ose trurin diku tjetër dhe një gjë tjetër këtu. As merremi vesh në këtë në Parlament, as eksportojmë kuptonjëri për shqiptarët jashtë me ligje të mira, me fjalë të mira, me qetësi dhe sedër politike dhe njerëzore, por urrejtje, shfrime, shantazhe, besëprerje, e gjithfarë bolbash që i prodhojmë shumë lirë. Unë jam stërvitur të flas drejt, siç jam mësuar jashtë, dhe siç do të vazhdoj edhe kur të dal jashtë sërish. Dhe kjo, të nderuar kolegë, e bën ndarjen mes nesh, nëse do të flasësh drejt dhe për shqiptarët, apo do të prodhosh dhunë për të tjerët dhe rehati për veten.

Dhe kjo është pjesë e përgjegjësisë sonë të lartë politike dhe morale. Shkurt, do të vazhdojmë të politizojmë moralin, siç bëjmë ne këtu, apo do të moralizojmë politikën, siç duhet të bëjmë ne këtu? Kjo është një pyetje e Karl Poperit, që secili prej nesh duhet t’ia bëjë vetes.

Ne, njerëzit e politikës, me dashje dhe pa dashje, e kemi shkatërruar familjen shqiptare, ne i kemi kthyer prindërit shqiptarë në qenie të frustruara, që nuk prodhojnë më prindërim, por xhindosje dhe stres të pafund për familjet e tyre. Sepse, nëse ai është punonjës administrate, i injektojmë pasigurinë e vendit të punës me kërkesën për të na siguruar vota çdo dy vjet. Dhe po të mos i sigurojë ato vota, ai humb punën dhe shkatërron familjen. Si mund të merret me prindërim një qenie e frustruar kështu? Edhe nëse është i punësuar në privat, për shkak të mosrespektimit të ligjeve dhe të moskotrollit tonë dhe institucioneve që ne monitorojmë, paguhen keq, shantazhohen, nuk sigurohen dhe të gjitha këto i bartin në familjet e tyre.

Ne, të nderuar kolegë, e kemi detyruar shqiptarin e sotëm të gjendet para dy alternativave mbijetese (dhe nuk po merrem gjatë këtu me çmimet, pensione, pagat): o të merret me drogë e krim, ose të merret me politikë, pra të hyjë në cerimangën e politikës që akaparon gjithçka, siç edhe e shpjegova.

Unë nuk kam shumë të këshilloj prindërit shqiptarë, sepse prek lirinë e tyre të sjelljes personale me fëmijët, por di të them se sa më shumë të rrinë me fëmijët, sa më shumë shtëpisë t’i thonë shtëpi, sa më shumë familjes t’i thonë familje dhe sa më shumë fëmijës t’i thotë fëmijë, aq më shumë do të bëjë një mjedis njerëzor. Ne nuk prodhojmë shqiptarë të lumtur, ndaj jemi në rankimin nga fundi për nga lumturia shoqërore në botë.

Sepse në qytetet shqiptare, në kryeqytet veçmas, nuk mbushesh dot me frymë, nuk ke hapësirë njerëzore, nuk ke pemë, nuk ke trotuare të sigurta, nuk ke trafik të kontrolluar. Nga 2000 taksi që duhet të ketë me normativë Tirana, qarkullojnë mbi 6000 taksi, nga të cilat 2000 i ka vetëm një oligark, të cilit pasi i dhatë bregdet pa fund, pasi i ndërtuat tunele që t’i shkojë rruga te shtëpia, pasi i dhatë çfarë nuk i dhatë, duhet t’i jepnit edhe monopolin e taksive në Tiranë me flota superluksoze. Pse e bëjmë ne këtë krim, të nderuar kolegë, duke ua shkatërruar mundësinë familjeve shqiptare që e kishin lidhur fatin me këtë punë, të cilat i nxorëm nga sistemi dhe mundësia e mbijetesës? Pse i vrasim ne shqiptarët kështu?

Edhe një park që e ngritët duke harxhuar milionat e shqiptarëve, e bëtë brenda parkut, që të mos harxhonit tokë në vend tjetër dhe prindërit duhet të hardallosen trafikut të Tiranës për t’i sjellë fëmijët tek ai parku juaj i famshëm. Unë kam qenë prej atyre që kanë protestuar ndaj atij parku të brendashtruar një parku, i cili iu dha ju faqe shqiptarëve të drejtën e shtegtuar nga mungesa e dhjetëra parqeve nëpër kryeqytet. Dhe ju bëtë krimin urban më të padëgjuar në shoqëritë europiane, të cilave kërkojmë t’iu ngjajmë. Atje, atje ku ne nuk keni asnjë përngjasim për nga dhuna urbane që prodhojmë, nuk bëhen të tilla urbanistika.

Shihni median shqiptare se sa dhunë prodhon çdo ditë. Në autoritetin tim dikur si kryetare e Komisioni të Medias kam kërkuar, jashtë protokollit sigurisht, dhe jashtë kuptimit tim akut për shenjtërinë e medias, që të bënim një pakt mediatik që për një kohë të shkurtër, të mos japim të parat lajmet për vrasjet me të cilat i kemi ngarkuar lajmet, pot të flasim për librat, për kinemanë, për lojërat olimpike, për teatrot, për argëtimet dhe gjëra të bukura. Të flasim për bukurinë e jetës dhe vlerën e çdo sekonde të saj. Një kohë e shkurtër e këtij, më lejoni ta quaj, “moratoriumi të lajmit të keq”, do të na ndihmojë të krijojmë një klimë të re mediatike, që do të kthehet ngadalë në kulturën e të mospranuarit të lajmit të keq, që atij t’i japim vendin që i takon dhe kjo kreun e lajmit. A mund ta bëjmë këtë pakt media shqiptare? A e cenon kjo ethen e saj për klikime? Në fund kam disa sugjerime modeste.

-Urgjent shkollën e riuedukimit, e ka Europa, mbase me emër tjetër.

-Urgjent kurse pas shkolle pa para që të argëtohen fëmijët, e ka Europa.

-Urgjent një rrjet kinemash për të rinj, e ka Europa, ka edhe fonde.

-Urgjent klube të reja sportive për adoleshentë dhe të rinj. I ka -Europa.

-Urgjent pishina publike për adoleshentë, i ka Europa.

-Urgjent hiqni politiken tuaj të kthimit të shkollave në qendra komunitare. Nuk i ka Europa.

Zotërinj të nderuar, shkolla është shkollë dhe duhet të mbetet në shenjtërinë e saj. Asnjë i rritur kohë e pa pakohë, jo t’i ktheni shkollat në klube sporti për të rritur. Zonja ministre, ndaleni projektin tuaj për kthimin e shkollave shqiptare në qendra komunitare! Kthejeni të detyrueshme në shkolla pjesëmarrjen në një klub, zonjë e nderuar, sporti, artizanalet, vizatimin, muzikë. Që fëmijët të mësohen me tjetër kulturë. Hiqni urgjent telefonat nga shkolla! E ka Europa. Të nderuar kolegë, duhet të marrim masa tani! Ju flet një nënë që e ka humbur të birin me lejen e Zotit, por jo të robit. Mos lejoni më që fëmijët shqiptarë të ikin për inat, për qejf dhe me urdhër të robit! Ejani sot të mendojmë se si do ta shpëtojmë Shqipërinë që ajo të mos kthehet në një vend të sëmurë dhe kjo nis nga kjo foltore, që prodhon, në mënyrën më të pashembullt dhunë, dhunë të pastër, e cila nuk ka asgjë politike, morale, etike dhe as njerëzore.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →