Shqipëria u mposht 1 me 2 nga Ukraina. Një takim që la për të dëshiruar në stadiumin “Arena Kombëtare”, teksa kuqezinjtë e mbyllën si të fundit e grupit.
Panorama Sport iu sjell dhe notat e sfidës për kuqezinjtë ku bie në sy se asnjë nga të besuarit e Silvinjos nuk bën diferencën.
TOMAS STRAKOSHA 6 Ukraina i vë alarmin që në fillim me dy gola të shpejtë si për t’i prishur mbrëmjen. Ndoshta mund të bënte pak më mirë në të parin, por nuk është ai fajtori. Në fund mban ekipin në lojë me 2 pritje vendimtare.
IVAN BALLIU 6 Ndeshja e dytë radhazi si titullar. Vuan edhe ai si të gjithë në pjesën e parë. Në të dytën sheh më shumë nga sulmi sesa nga mbrojtja.
ARDIAN ISMAJLI 6 Goli i parë u pësua në qendër të zonës në rrëmujë e sipër. Dikush duhet ta largonte topin. Pa siguri edhe tek i dyti. Në të dytën dirigjon mbrojtjen pa probleme dhe mbyll një kundërsulm të rrezikshëm.
ARLIND AJETI 6 Lexo Ismajlin. Ndeshja e tyre është si fotokopje. Kur rritet njëri edhe tjetri ka besim. “Usta” në disa duele.
MARIO MITAJ 5 Ti je? Nuk ishte ai që na ka mësuar gjatë kësaj kohe. Humbet shumë duele në ajër, pikërisht edhe atë që solli golin e dytë. Në fazën sulmuese nuk ka si ai, në mbrojtje duhet të përmirësohet.
YLBER RAMADANI 5,5 Shumë kilometra, por pak topa. Ukrainasit “çajnë” shpesh në zonën e tij kur e driblojnë lehtësisht. Sakrifikohet për të ndryshuar skemën. (Nga 76’ Tuçi 6 – Futet mirë në ndeshje. Ndihmon Uzunin për të bërë të dy repartin).
KRISTJAN ASLLANI 6 Lufton pa sukses në pjesën e parë. Nuk është kjo arma e tij më e fortë. Qarkullimi i topit po. Në fakt nuk e rrezikon kurrë pasimin. Tifozët presin më shumë prej tij. Merr përsipër më shumë në të dytën.
QAZIM LAÇI 6 Pa busull në pjesën e parë, por tregon se ka 3 mushkëri në të dytën. Silvinjo e sposton në të djathtë dhe konsumohet shumë. (Nga 90’ Seferi-Pa notë).
JASIR ASANI 5 Dëmtimi që pësoi me Çekinë nuk e la të ishte Asani që njohim. Vuajti shumë dhe e ndihmoi pak Balliun në dublimet e kundërshtarëve. (Nga 46’ Bajrami 6.5 – Futet i frymëzuar në fushë si për t’i treguar trajnerit që bëri gabim që nuk i besoi nga fillimi. I ftohtë te penalltia për të rihapur ndeshjen. Shumë i lëvizshëm në çdo zonë të sulmit).
ERNEST MUÇI 6 Dëshirë ka shumë, por për fatin e tij të keq luajti në 45 minutat kur e gjithë Kombëtarja ishte e fikur. Provoi me një goditje në fundin e pjesës së parë dhe largohet nga fusha i dëmtuar. (Nga 51’ Hoxha 6- Vallëzon mbi topin dhe vë në provë mbrojtjen kundërshtare, por vonon shumë pasimin dhe e humbet në fundore. Por impakti është pozitiv).
MIRLIND DAKU 5 Vështirë të bësh repart i vetëm në një mbrojtje gjigantësh. Thuajse nuk prek fare top, por s’është faji i tij për këtë. Edhe atëherë kur e ka nuk di ku ta çojë. (Nga 46’ Uzuni 7- Aktivizimi i tij dhe i Bajramit i ndryshuan fytyrën Shqipërie. Nuk është rastësi. I lëvizshëm, i afrohet golit që në fillim dhe fiton penalltinë. Meriton më shumë minuta.
TRAJNERI SILVINJO 6 Mesatarja e një pjese të parë të tmerrshme me një të dytë më të guximshme. Ndoshta, ndoshta nuk e qëlloi formacionin titullar, por goditi me zëvendësimet.
PANORAMASPORT.AL