Liga e Kombeve në këtë edicion funksiononte si një rrugë dytësore edhe për të siguruat një biletë për në fazën play-off të Botërorit për ata skuadra që nuk ia dilnin nëpërmjet kualifikueseve.
Rregullorja e UEFA-s për ndarjen e vendeve që marrin pjesë nga kjo konfederatë parashikon që skuadrat e para në 12 grupet kualifikuese shkojnë direkt në Botëror, ndërsa 12 vendeve të dyta, u bashkohen 4 skuadrat më të mira nga renditja e fituesve të grupeve të Ligës së Kombeve, që nuk kanë siguruar një nga dy biletat e mësipërme.
Shqipëria synonte vendin e parë në grup edhe për këtë arsye, por nuk ia doli pas një fushate që u mbyll me dy ndeshje për t’u harruar në “Arenën Kombëtare” të mbushur plot. Dhe ai që përfiton nga kjo situatë që ëshë krijuar, është ekipi më i dobët në botë.
San Marino, i cili mban vendi e 209-të, të fundit në renditjen e FIFA-s, ia ka dalë të fitojë grupin e vet në Ligën D dhe ka hyrë në garë për një vend në play-off falë Ligës së Kombeve.
Sigurisht, do të jetë e vështire, pasi San Marino mban vendin e 14 në renditjen e përgjithshme të fituesve të grupeve në bazë të pikëve që kanë siguruar në secilin grup. Por kur sheh emrat e skuadrave që ka përpara, e kupton se është e mundshme që 10 nga këto ekipe të sigurojnë një vend në Botëror direkt, apo në play-off, nëpërmjet fazës kualifikuese.
Emra si Spanja, Gjermania, Portugalia, Franca e Anglia janë thuajse 100% të sigurta se do të jenë në një nga dy vendet e para në grupin përkatës. Ndërsa me formën që po kalojnë, nuk është çudi që një gjë e tillë të vlejë edhe për Norvegjinë e Haland, Uellsin që nënshtroi Turqinë, Çekinë, Rumaninë apo Suedinë.
Kësisoj, për katër vendet e fundit në këtë renditje që janë Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Moldavia dhe San Marino, ekziston mundësia konkrete që të kenë rrugën e hapur për të shkuar edhe ata në play-off të Botërorit, nëse nuk ia dalin në kualifikuese.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL