Presidenti rus Vladimir Putin deklaron se sulmi i mëngjesit të sotëm në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro, u krye me një raketë “të re konvencionale me rreze të mesme veprimi”.
Raketa ishte koduar me emrin Oreshnik, shtoi ai.
Putini tha se sulmi ishte përgjigje ndaj përdorimit të armëve të prodhuara në SHBA nga ana e Kievit.
“Në përgjigje të përdorimit të armatimit me rreze të gjatë amerikane dhe britanike më 21 nëntor të këtij viti, forcat e armatosura ruse kryen një sulm të kombinuar në një nga objektet e kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës. Në kushte luftarake, u krye një provë e sistemeve më të fundit të raketave me rreze të mesme veprimi, në këtë rast, me një version hipersonik jo-bërthamor të një rakete balistike“, tha Putin, përpara se të shtojë se “testi ishte i suksesshëm dhe se u arrit”.
“Një nga komplekset industriale më të mëdha të njohura që nga epoka sovjetike është goditur në territorin e Ukrainës, në qytetin e Dnipropetrovsk. Ajo është ende duke prodhuar raketa dhe armatime të tjera,” shtoi ai.
“Në rast përshkallëzimi do të përgjigjemi në mënyrë simetrike”, theksoi ai.
Putini shtoi se nëse Rusia përdor një armë hipersonike kundër Ukrainës, Moska do të paralajmërojë qytetarët.
Reagimi i presidentit rus vjen, pasi Volodymyr Zelensky tha se Ukraina u sulmua sot me një “raketë të re ruse”, për të cilën ai tha se kishte “karakteristikat” e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM)
Është ende e paqartë saktësisht se çfarë u dëmtua në sulmin, për të cilin Ukraina thotë se synonte infrastrukturën në qytetin lindor të Dnipros.