EMISIONI VETTING
Por cilat janë arsyet që këto familje vazhdojnë të jetojnë në kontejnerë apo në banesa me qira? Apo në banesa të rindërtuara pa asnjë standard? Çfarë ndodhi me programin dhe fondet e rindërtimit i shtrirë në pesë vite.
Pak javë pas goditjes së tërmetit, kryeministri Edi Rama organizoi një konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë nga goditja e tërmetit. Të gjitha vendet e BE-së u angazhuan në ndihmë të Shqipërisë. Në Konferencën e Donatorëve Shqipëria siguroi 1.15 miliardë euro. Përveç kësaj shume, Bashkimi Europian u angazhua për rindërtimin e 63 objekteve arsimore, i shtrirë në 2 faza zbatimi, me një fond prej 75 milionë eurosh.
Pas kësaj konference kryeministri Edi Rama ngriti një ministri të dedikuar që do të alokonte këto fonde. Do të quhej ministria e Rindërtimi. Në krye të saj u vendos Arben Ahmetaj. Nisi puna bashkë me premtimet për afate finale kur supozohej që asnjë banorë të mos ishte më jashtë banesave të premtuara brenda një kohe të caktuar. Afati i fundit ishte premtuar vitit 2022 kur supozohej që çdo banor i dëmtuar nga tërmeti do të ishte në banesën e rindërtuar.
Jemi dy vite përtej këtij afati qindra banorë janë ende në pritje për të hyrë në banesat e premtuara dhe prej një viti u është ndërprerë edhe bonusi i qirasë.
Askush nuk e di se kur do t’i marrin çelësat për të hyrë në banesat e premtuara, duke iu shtuar ankthi që u la tërmeti që ndryshoi jetët e tyre. Mesa duket shpresat për të marrë apartamentet lidhet gjithmonë me fushatat elektorale pasi në horizont po shfaqet shpresa që këta banorë të marrin shtëpitë tani në prag të zgjedhjeve të 2025.
Sipas qytetarëve të Krujës “ I kanë bërë ca pallate andej poshtë dhe këtej sipas po nuk i kanë shpërndarë hala presin njerëzit. Kam njerëzit e mi që presin e nuk I japin as bonus jo, se di ku ka mbet shkojnë në bashki ankohen nuk I japin përgjigje nuk e di. A presin me ardhë zgjedhjet a nuk dimë gjë”.
Vetting ka analizuar buxhetin e shpenzuar për rindërtimin brenda këtyre pese viteve. Nga hulumtimi i dokumentacionit rezulton se rindërtimi pati një buxhet prej 80 miliardë lekësh ndërmjet viteve 2020-2023, ndërsa të tenderuara pa TVSH janë 96.65 miliardë lekë për 859 tenderë. Në këtë episod do të përqendrohemi tek procesi i tenderimit për ndërtimin e banesave në Thumanë.
Cilat janë kompanitë që punuan për rindërtimin në Thumanë, lidhjet e mundshme me pushtetin dhe abuzimet me fondet?
Më 15 shkurt 2021, Bashkia Krujë do të njoftonte hapjen e garës për tenderin “Ndërtimi i Atrium Center Thumana” me fond limit 220 milionë lekë ose 2.2 milionë euro. Ky objekt me emërtim “ATRIUM CENTER THUMANA” do të ishte një godinë publike me shërbime administrative, shëndetësore, kulturore me një kat dhe do të ofronte të gjitha shërbimet e nevojshme të një qendre të urbanizuar.
Madje fillimisht, në dhjetor 2020 me Vendim të Këshillit të Ministrave një pjesë e këtij fondi me vlerë 40 milionë lekë ose 400 mijë euro do t’i transferohej Bashkisë Krujë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Më prill 2021, Bashkia Krujë nëpërmjet procedurës së kufizuar do të shpallte fitues kompaninë “ALESIO-2014” në pronësi të Anton Gjinaj me ofertë fituese pothuajse sa fondi limit me vlerë 2.2 milionë euro.
Agroni Haxhimal, kryetar i Institutit të Bashkive tha se “Grupe të ndryshme interesi influencuan fuqishëm në interesat e pushtetarëve qoftë lokal qoftë qendror sikurse dhe të dyja pushtete qendrori dhe lokali përpiqen të kanalizojnë me manovrat e tyre tek interesat e tyre. Këtu në fakt janë dy interesa ai ekonomik dhe ai që është vënë re për tu përqendruara në zona të caktuara elektorale”
Eksperti i ekonomisë Pano Sako u shpreh: “Jam akoma më i bindur se procesi i rindërtimit u përdor si një ombrellë për të mbuluar afera korruptive që çuan përfitimin në një grup njerëzish”.
Si kundër edhe pushteti qendrorë dhe lokal, të dyja me manovrat e tyre, përpiqen të kanalizojnë investimet tek grupet e tyre të interesit.
Por kush është fituesi i këtij tenderi?
Kompania “Alessio 2014”, një nga kompanitë e ndërtimit që është kontraktuar nga institucione të ndryshme publike, që ka punuar edhe si nënkontraktor në ndërtimin e rrugëve dhe objekteve të ndryshme publike. Prokuroria e Posaçme ka dyshime se të ardhurat janë krijuar nga aktivitetet kriminale të pronarit, Anton Gjinaj, i cili është dënuar për drogë në Spanjë dhe që për rrjedhojë, duhet të konfiskohen për llogari të shtetit.
Në korrik 2023, SPAK njoftoi se kishte dërguar disa kërkesa për konfiskim në gjykatë për kompani, prona të paluajtshme apo llogari bankare, në bazë të ligjit “Anti-mafia” për këtë subjekt. Ky konfiskimi i pasurisë realizohet pas sekuestrimit të përkohshëm, i cili është vendosur për rreth 23 asete të Anton Gjinaj që në vitin 2022. Gjinaj nëpërmjet kompanisë “ALESIO-2014” dhe bashkimeve me kompani të tjera ka marrë rreth 20 milionë euro prokurime publike dhe evidentohet në padinë e dorëzuar në SPAK nga Partia Demokratike së bashku me kompani të tjera për Programin e Rindërtimit.
Arlind Qori kryetari i Lëvizjes Bashkë tha se, “Në zona ku janë më të prekura nga tërmeti organizatat kriminale kanë lulëzuar kanë parë një mundësi të art për të marr dhe përfituar miliona e miliona euro nga buxheti i shtetit. Të cilat janë akorduar pa konkurrencë pa llogaritur kostot pa llogaritur kapacitete e ndërtimit të këtyre firmave që kanë marr këto fonde. Dhe janë sot një nga burimet kryesore të financimit të krimit të organizuar që sot kthejnë një pjesë të këtyre fitimeve partive politike duke I financuar në mënyrë të paligjshme”.
Agroni Haxhimali, kryetar i Institutit të Bashkive shprehu se, “Çfarë vëmë re në raporte, që progresi është shumë I limituar në fakt dhe me shumë oscilacione. Përse ndodh kjo? Sepse shumë kontratorë, shumë kompani futen në këtë lloje tregu, dalin në këtë lloje tregu. Kontratat që lidhen, prishen, ka vonesa burokratike në këtë kontekst dhe këtu njërin nga elemente që unë e konsideroj të qenësishëm është fakti që grupe të ndryshme interesi influencojnë fuqishëm në interesat e pushterave, qoftë qendrore, qoftë lokal, qoftë edhe qendrore”.
Çfarë vëmë re në raporte, që progresi është shumë i limituar në fakt dhe me shumë oshilacione. Përse ndodh kjo? Sepse shumë kontraktorë, shumë kompani futen në këtë lloje tregu, dalin në këtë lloje tregu. Kontratat që lidhen, prishen, ka vonesa burokratike në këtë kontekst dhe këtu njërin nga elemente që unë e konsideroj të qenësishëm është fakti që grupe të ndryshme interesi influencojnë fuqishëm në interesat e pushterave, qoftë qendrore, qoftë lokal, qoftë edhe qendrore.