Kreu i SPAK, Altin Dumani u është përgjigjur akuzave të Sali Berishës lidhur me pasurinë e tij, duke thënë se i ka të gjitha të deklaruar dhe se kurrë në jetën e tij nuk ka pranuar dhurata që tejkalojnë shumën 100 dollarë.
“Nuk kam pse i jap përgjigje, por publikut po. Unë nuk kam asgjë për të fshehur. I kam të deklaruara. Çdo gjë është produkt t i punës 25-vjecare të time dhe familjes time si dhe i kredive të marra. Një kredi është marrë në vitin 2006, në kohën kur ishte në pushtet zoti Berisha. Kurrë në jetën time nuk kam pranuar qoftë edhe një dhuratë që kalon shumën 100 dollarësh, kam bërë pakt me veten dhe familjen time. Unë e dua punën time. E bëj me mish e shpirt”, tha Dumani në emisionin 3D në RTSH.
Ai foli dhe lidhur me deklaratat e SPAK kontrollohet nga SHBA. Dumani tha se përfaqësuesit e SHBA në asnjë rast nuk kanë ndërhyrë apo orientuar hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
“SPAK ka një bashkëpunim shumë të mirë me SHBA, me misionet e tyre. Ata kanë kontribuar në rritjen dhe bërjen funksional të institucionit. Kanë qenë prezent që kur është dizajnuar SPAK në ligj. Kanë qenë prezent në përgjegjshmen e prokurorëve të SPAK, të hetuesve BKH, drejtuesve të SPAK. Na kanë mbështetur me trajnime, me mjete teknike, me infrastrukturë. Ne kemi prezencë të FBI në zyrat tonë. Na është premtuar që edhe DEA do hapë një zyrë në Tiranë. Ne kemi hetime të përbashkëta me SHBA për çështje që cenojnë dy vendet tona. Ata kanë qenë avokatët më të mirë të SPAK. Kam dëgjuar edhe këtë se ‘mbështetet Altin Dumani nga Amerika’. Unë kam një përvojë shumë vjeçare bashkëpunimi me agjencitë e SHBA, që në 2003. Në gjithë këto vite kam konstatuar se SHBA është e interesuar më shumë në ndërtimin e institucioneve të shëndosha dhe demokratike sesa për individë. Gjithashtu dua të marrë shkasë nga diskutimet në media. Në këtë përvojë time shumëvjeçare, nuk kanë patur asnjë rast të vetëm ku përfaqësuesit e SHBA të ndërhyjnë apo orientojnë hetimet tona. Këtë e them me siguri të plotë”, tha Dumani.