Qytetarët do të ngrihen sërish në protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani pranë derës së shkollës “Fan Noli” në kryeqytet nga bashkëmoshatari i tij, krim shokues i ndodhur mesditën e 18 Nëntorit.
Protesta do të zhvillohet para Ministrisë së Arsimit në orën 15:00, ndërsa janë listuar edhe një sërë kërkesash për rritjen e sigurisë në shkolla.
Ndërsa është paralajmëruar se nëse nuk plotësohet kërkesat e tyre do të ketë edhe bojkot të mësimit.
“Siç do të duhet të ndodhte në një shtet normal kërkuam dorëheqjen e ministres së Arsimit. Kjo dorëheqje do të krijonte precedentin dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi.
Kjo gjë s’do të mjaftonte, por do të hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame.
Kësaj ministre dhe shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve tanë, kurse ata nuk arritën që ti mbronin as jetën.
Ne do të jemi ditën e hënë përpara Ministrisë së Arsimit ora 17:00 për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe se nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Ajo që ka ndodhur në këtë shkollë nuk ishte rrufe në qiell të hapur, ishte sinjal që ne të reagojmë për problematikat që përballen shkolla.
Kërkesat janë:
Shtimi i buxhetit për arsimin me 5% të GDP
Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe stad mbështetës
Çdo shkollë të ketë psikolog
Qëndrimi i fëmijëve në shkolla deri në orën 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat
Të hiqen telefonat në orën e mësimit
Çdo shkollë duhet të ketë oficer sigurie
Dorëheqjen e Ministres së Arsimit.
Nuk janë teka, por domosdoshmëri. Ne si qytetarë dhe prindër të këtij vendi zotohemi se nuk do të largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen. Do të konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit. Duhet të jemi në protestë fillimisht për Martnin, i detyrohemi fëmijëve tanë”, tha Migen Qeraxhi nga Qëndresa Qytetare.