BESARTA BASHA/ Prej 1 janarit 2025, Bashkia e Tiranës do të bëjë subvencionimin 100% të biletës së abonesë për pensionistët.
Ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili bashkë me lajmin, dje nga salla e Këshillit Bashkiak u bëri thirrje të gjithë pensionistëve që të paraqiten në njësitë e tyre administrative me një kartë identiteti, për t’u regjistruar në mënyrë që të mund të marrin falas abonenë e përgjithshme.
“Me këtë buxhet ne bëjmë subvencionimin 100% të abonesë së përgjithshme për pensionistët. Nuk mund të japim një shifër të saktë, sepse nuk e dimë sa pensionistë do ta përdorin shërbimin, pasi do të jetë në varësi të frekuencës së marrjes së shërbimit. Ne do të bëjmë një raportim çdo muaj, pra sa pensionistë e kanë marrë si shërbim për të parë edhe shifrën e saktë të subvencionit. Ndërkohë, siç e dini, Bashkia e Tiranës tashmë e subvencionon transportin publik edhe për pjesën tjetër të qytetarëve, pra bileta me analizën financiare është 50 lekë, por 10 lekë i paguan Bashkia e Tiranës, pikërisht për të mos u shtuar barrën qytetarëve”, u shpreh Veliaj.
BURSAT PER NXENESIT
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2024– 2025. Ky vendim synon të mbështesë financiarisht nxënësit që ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm në institucionet arsimore publike të kryeqytetit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin dhe edukimin e tyre.
“Për sa i përket solidaritetit dhe bursave, është në nderin e Bashkisë së Tiranës dhe këtij Këshilli Bashkiak, që u jep 2500 bursa ekselentëve, për çunat e gocat me 10-a. Duam ta vijojmë këtë ritëm dhe dua të falënderoj të gjithë nxënësit e shkëlqyer. Të gjithë i kemi njësoj, por ata që bëjnë një përpjekje ekstra të veçantë janë krenari për qytetin. Jam i vendosur që të vijojmë t’i bëjmë këto pagesa. Ndërkohë, 451 i kemi për arsimin profesional publik. Kjo do të thotë, kryesisht për nxënës që vijnë nga Zall-Herri, ZallBastari, pra që nuk e kanë mundësinë të shkojnë e vijnë përditë, por rrinë në konvikte dhe kanë bursë nga Bashkia e Tiranës”, nënvizoi Veliaj.
Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve të Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar nxënësit dhe familjet në nevojë, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për arsimim.
INVESTIMET NE SHKOLLA
Për herë të parë në historinë e saj si kryeqytet, Tirana ka ndërtuar brenda një periudhe 9-vjeçare 109 çerdhe dhe kopshte, si dhe 45 shkolla të reja. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak prezantoi projektet e reja për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve arsimore.
“Përsa i përket infrastrukturës arsimore, ky këshill bashkiak duhet të jetë super krenar, sepse në këto 9 vite kemi bërë 109 kopshte dhe çerdhe që nuk ishin përpara, pra disfunksionale ose nuk ekzistonin fare 109 kopshte dhe çerdhe dhe 45 shkolla. Ka nga ata që lodhen duke i dëgjuar, që ne i kemi bërë 45 shkolla”, u shpreh Veliaj duke vënë në dukje se projektet për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve në kryeqytet janë ende në punë e sipër. Sipas kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, janë në proces ndërtimi ose rikonstruksioni shtatë objekte të reja arsimore, përfshirë këtu çerdhe, kopshte dhe shkolla.
Ndërtim kopshti dhe çerdheje të integruar në zonën e ish-shkollës 9-vjeçare “Migjeni”; Ndërtim i palestrës dhe ambienteve shtesë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” e shumë të tjera, ndërkohë që Veliaj nënvizon se janë lidhur kontratat për ndërtimin dhe rikonstruksionin e disa shkollave të tjera si “Edit Durham”; “Shyqyri Peza”; “Ibrahim Hima”; “Mersin Duqi” Ndërtim i shkollës së Mesme të Bashkuar në Krrabë. Gjithashtu, po ndërtohen dhe 2 objekte “Ndërtim i shkollës 9 vjeçare Arbanë dhe ndërtim i shkollës Profesionale. Veliaj theksoi se janë planifikuar edhe projektimi dhe ndërtimi i katër shkollave të reja, një në Rrugën e Elbasanit, një tjetër në Njësinë 1, 5 dhe 7.
Kategoritë e pensionistëve që përfitojnë
Bashkia e Tiranës ka publikuar një ditë më parë disa çaste nga aplikimi i disa të moshuarve në radhë për të përfituar abone falas nga janari i vitit të ardhshëm. Nëse deri dje e moshuara shpenzonte mesatarisht 2400 lekë në muaj për të udhëtuar me urbanë, tanimë ajo mund të udhëtojë lirshëm në çdo linjë autobusi, tërësisht falas.
“Jam 74 vjeç, po aboneja më duhet se vazhdoj punoj. Zgjedhja ime sepse pensionin e kam të vogël, 178 mijë. Për ne është ndihmë e madhe se harxhoj 80 lekë vajtje-ardhje”, tha pensionistja. Si kjo e moshuar janë edhe me dhjetëra të tjerë, të cilët janë paraqitur pranë njësive administrative për të aplikuar për abone falas.
“Jam 82 vjeç, qarkulloj sepse edhe dalim mërzitemi, edhe kjo është një ndihmë shumë e madhe për ne”, tha një i moshuar.
“Unë jam në një moshë madhore 80 vjeç. Kjo është një ndihmë shumë e madhe”, tha një e moshuar. Përfaqësues të njësisë administrative thonë se interesi i të moshuarve për t’u pajisur me abone falas është e lartë.
“Interesi ka qenë i lartë me dhjetëra pensionistë janë paraqitur. Brenda 24 orëve janë 65 regjistrime”, tha Erjola Ndoci, përgjegjëse e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, njësia 10. Pas aplikimit me kartë identiteti, pensionistët duhet të tërheqin abone vetëm në 5 pika të autorizuara nga Bashkia e Tiranës dhe që janë të shpërndara në kryeqytet.
“Konkretisht janë 5 pika të tërheqjes së aboneve, kioska tek 15-Katëshi, rruga ‘Urani Pano’. Pika e dytë te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, rruga ‘Muhamet Gjollesha’. Pika e tretë te Biblioteka Kombëtare, rruga ‘Luigj Gurakuqi’, te kioska te ‘Brryli’, bulevardi ‘Zhan D’Ark’, te Stacioni i Trenit, rruga ‘Reshit Petrela’”, tha Ndoci.
Deri në fund të dhjetorit pensionistët mund të aplikojnë për të përfituar abone falas. Janë 177 mijë pensionistë që pritet të përfitojnë nga vendimi i Bashkisë së Tiranës.