“Kosova e ka ndërtuar veten si një shtet sovran në familjen evropiane”- Ish-zyrtari amerikan: Ballkani Perëndimor s’do të jetë prioritet i administratës Trump

kosova e ka ndertuar veten si nje shtet sovran ne familjen evropiane ish zyrtari amerikan ballkani perendimor sdo te jete prioritet i administrates trump








































Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Wisner, thotë se Kosova sot është një histori e përzier – “nuk ka arritur gjithçka që ka dëshiruar, por e ka ndërtuar veten si një shtet sovran në familjen evropiane”.

Screenshot 2024-12-19 141739

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Wisner thotë se Serbia, ende sot e kësaj dite, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e një Kosove të pavarur, ndaj edhe marrëveshjet e arritura mes dy vendeve, sipas tij, nuk funksionojnë.

Për arsyet e veta thotë se Kosova duhet ta krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por me “përgjegjësi shumë të kufizuara”.

Wisner beson se është ende herët të thuhet se çfarë mund të pritet nga administrata e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

“Administrata e mëparshme e Trumpit ka pasur një sërë idesh, që synonin arritjen e një marrëveshjeje territoriale… Çdo lëvizje drejt këtij objektivi, nuk do të shkaktonte gjë tjetër veçse telashe në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo nuk do ta tundojë administratën e re”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Wisner, dy dekada më parë, ju ishit një figurë kyçe në negociatat për statusin e Kosovës. Mbi 25 vjet nga lufta dhe në prag të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si do ta vlerësonit përparimin e saj ndër vite?

Frank Wisner: Kosova e ka arritur pavarësinë e saj – një ëndërr të kamotshme – e ka ndërtuar veten si një komb i pavarur dhe ka hyrë pjesërisht në familjen e kombeve. Por, ajo është kundërshtuar vazhdimisht nga Serbia, e cila nuk e ka njohur pavarësinë e saj. Si rezultat, Serbia ka arritur ta bllokojë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe një numër shtetesh nuk e kanë njohur.

Por, në të njëjtën kohë, Kosova ka arritur që si vend i ri ta përmirësojë gjendjen e saj ekonomike dhe t’i përmirësojë institucionet e saj politike.

Radio Evropa e Lirë: Në retrospektivë, a besoni se Kosova ka mundur të bëjë ndonjë gjë ndryshe, që mund ta kishte përmirësuar situatën e saj sot?

Frank Wisner: Jo. Kam menduar shpesh për këtë, por Serbia ka qenë shumë e vendosur për ta bllokuar pavarësinë e Kosovës. Ka qenë e pamundur të kapërcehej ajo pengesë. Kundërshtimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës nuk është qetësuar për asnjë minutë gjatë këtyre viteve.

Dhe, derisa Serbia ta pranojë faktin se Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe është e gatshme të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore me të, unë nuk pres ndonjë zgjidhje mes tyre.

Institucionet evropiane janë përpjekur shumë për t’i ndihmuar dy palët që ta pranojnë njëra-tjetrën dhe nuk ia kanë dalë. Shtetet e Bashkuara nuk ia kanë dalë. Derisa Serbia të bindet se është në interesin e saj që ta lejojë Kosovën të jetë një vend plotësisht i pavarur, nuk do të ndodhë asgjë, statusi përfundimtar nuk do të arrihet.

Radio Evropa e Lirë: E kanë thënë edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se dy shoqëritë nuk janë ende gati për marrëveshje përfundimtare. Ju a mendoni se ka rrugëdalje?

Frank Wisner: Serbia, në veçanti, nuk është gati të pranojë se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe ta pranojë pavarësinë e saj. Derisa të arrihet kjo, nuk shoh zgjidhje të statusit përfundimtar.

Radio Evropa e Lirë: E si mund të arrihet? A mendoni se Plani i Ahtisaarit është ende korniza më e mirë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi? Apo duhet të ketë propozime të reja?

Frank Wisner: Unë mendoj se Plani i Ahtisaarit ishte i mirë. Nuk ka asgjë të keqe. Problem nuk është plani, por mosgatishmëria e Serbisë për ta pranuar faktin se Kosova është e pavarur. Kosova nuk do të jetë e kënaqur me asgjë më pak se pavarësia.

“Asociacion me përgjegjësi të kufizuara”

Radio Evropa e Lirë: Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një marrëveshje e arritur në dialog, por që nuk është zbatuar ende nga Kosova. Qeveria aktuale e Kosovës ka frikë se mund të duket diçka si Republika Sërpska. Ju a e justifikoni këtë frikë?

Frank Wisner: Unë besoj se ideja e komunave [me shumicë] serbe, që të punojnë së bashku, të bashkëpunojnë, t’i ruajnë institucionet kulturore, është mjaft e mirë. Por, unë kurrë nuk kam qenë plotësisht i bindur se Serbia e shikon atë marrëveshje si pjesë të një Kosove të pavarur. Ajo më shumë e sheh si mënyrë për ta reduktuar pozitën e Kosovës si shtet i pavarur.

Pra, ideja në parim mbetet e mirë, por derisa nuk shoh një vullnet më të madh të Serbisë për të jetuar me një Kosovë të pavarur, unë nuk pres që ndonjë marrëveshje të funksionojë, të mbahet apo të jetë e suksesshme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, a mendoni se Kosova duhet ta formojë Asociacionin?

Frank Wisner: Unë mendoj se Kosova, për arsyet e veta, duhet të krijojë një asociacion të komunave me shumicë serbe, me përgjegjësi shumë të kufizuara në kulturë, arsim, taksa dhe gjëra të tilla, por që nuk ka status sovran që do ta prishte funksionimin e shtetit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja, si aleatja më e afërt e Kosovës, ka qenë kritike ndaj Qeverisë aktuale, kryesisht për shkak të disa veprimeve të saj në veri të Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, mbyllja e institucioneve paralele serbe… Qeveria i ka cilësuar ata hapa si shtrirje të autoritetit ligjor, por SHBA-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar kanë thënë se nuk është koha e duhur për ta. Ju, si mendoni?

Frank Wisner: Unë mendoj se është koha e duhur për t’i shtrirë të gjitha përgjegjësitë sovrane të një vendi të pavarur. Kosova, madje, është vonuar.

Të gjitha këto gjëra – përdorimi i dinarit serb apo strukturat paralele – janë të dizajnuara nga Serbia për të minuar statusin sovran të Kosovës. Unë, thjesht, nuk i shoh serbët të gatshëm që të heqin dorë prej tyre, pa një goditje të madhe.

Ndaj, kthehem te pika ime thelbësore: derisa në Beograd nuk ka një vendim politik për pranimin e sovranitetit të Kosovës, unë nuk shoh rrugëdalje, gjithçka tjetër është çështje dytësore.

Radio Evropa e Lirë: E si e shini ju zgjidhjen për veriun e Kosovës?

Frank Wisner: Kjo është një pyetje e komplikuar, sepse veriu i Kosovës është i banuar me serbë, por është pjesë e Kosovës sovrane dhe duhet të integrohet në institucionet e shtetit të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur plotësisht, sepse Serbia e saboton atë integrim.

“Ballkani Perëndimor s’do të jetë prioritet i administratës Trump”

Radio Evropa e Lirë: Në Shtetet e Bashkuara pritet ta marrë detyrën një administratë e re. Ka shumë çështje në botë që do të tërheqin vëmendje të menjëhershme, por si e shihni ju angazhimin dhe qasjen e administratës së re ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor?

Frank Wisner: Nuk e di. Mendoj se është herët të flitet. Ballkani Perëndimor nuk do të jetë prioritet kryesor i politikës së jashtme në administratën e re.

Administrata e mëparshme e Trumpit ka pasur një sërë idesh, që synonin arritjen e një marrëveshjeje territoriale. Mendoj se ato kanë dështuar.

Nëse administrata e re do t’u kthehej atyre ideve, mendoj se do të dështojë sërish. Nëse vini në shqyrtim integritetin territorial të vendeve, ju hapni Kutinë e Pandorës, hapni një krizë në të gjithë rajonin, ku shtetet e Ballkanit dhe etnitë e tyre kacafyten se ku duhet të vihen kufijtë.

Serbia ka folur për rikrijimin e një Serbie të madhe, që do të ishte mallkim për stabilitetin në Ballkan. Çdo lëvizje drejt këtij objektivi, nuk do të shkaktonte gjë tjetër veçse telashe në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo nuk do ta tundojë administratën e re.

Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë mase do të angazhohet administrata e re në marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Frank Wisner: Siç e thashë edhe më parë, është ende herët të parashikohet. Personeli i saj nuk ka kaluar ende në Senat dhe nuk i ka definuar politikat. Ka peshq më të mëdhenj për t’u gatuar, në kuptimin e sfidave të administratës së re në Azi, në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme. Të gjitha këto çështje duhet të adresohen, përpara se të shihet ndonjë perspektivë përparimi në Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Si duhet të pozicionohet Qeveria e ardhshme e Kosovës përballë administratës së re në Shtetet e Bashkuara?

Frank Wisner: Mendoj se duhet të sigurohet që linjat e saj të komunikimit janë të hapura, të vazhdojë këmbënguljen në pavarësinë e shtetit dhe të bashkëpunojë me çdo iniciativë të arsyeshme negociuese që ndërmerret.

“Kosova duhet të jetë kandidate për anëtarësim në NATO”

Radio Evropa e Lirë: Me rritjen e tensioneve në Ballkan dhe me rritjen e ndikimeve të huaja nga Rusia dhe Kina, sa e cenueshme është Kosova ndaj përpjekjeve destabilizuese?

Frank Wisner: Kosova është një shtet i vogël. Nuk ka struktura të fuqishme dhe nëse ka synime të vendosura nga jashtë për ta destabilizuar atë, ajo është e cenueshme.

Megjithatë, deri më tani, ka mbijetuar dhe kjo më jep shpresë për të ardhmen.

Radio Evropa e Lirë: A duhet t’i ofrohet Kosovës një rrugë e qartë drejt anëtarësimit në NATO dhe a do të ndikonte ajo në stabilitetin në rajon?

Frank Wisner: Sipas mendimit tim, Kosova duhet të jetë kandidate për anëtarësim në NATO dhe kjo do të shtonte një arsye më bindëse që rajoni ta pranonte atë, që Serbia ta pranonte sovranitetin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë këshillash do t’u jepnit udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë, por edhe komunitetit ndërkombëtar lidhur me mosmarrëveshjet në këtë rajon?

Frank Wisner: Mënyra e vetme për t’u marrë me mosmarrëveshjet në rajon, është të flitet për to dhe të adresohen ato.

Për shembull, unë nuk pres që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ajo duhet, por nuk do ta bëjë.

Ato që mund të ndodhin, janë marrëveshjet e pjesshme për tregtinë, për lëvizjen e njerëzve, për bashkëpunimin kulturor. Këta do të ishin hapa praktikë për bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ia vlen të ndiqen.

Pra, do të thosha se është një histori e përzier. Ajo nuk ka arritur gjithçka që ka dëshiruar, por, sigurisht, e ka ndërtuar veten si një shtet sovran në familjen evropiane.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →