Njoftimi i kryeministrit Edi Rama se do të mbyllë TikTok për një vit ka marrë vëmendjen e mediave të njohura ndërkombëtare.
BBC, Reuters, The Guardian dhe shumë media të tjera i referohen kreut të qeverisë shqiptare, i cili njoftoi vendimin ditën e shtunë.
“Kryeministri i Shqipërisë ka njoftuar se qeveria synon të bllokojë aksesin në TikTok për një vit pasi vrasja e një nxënësi shkolle muajin e kaluar ngriti frikën për ndikimin e mediave sociale te fëmijët”, shkruan BBC.
“Ndalimi, pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat më të sigurta, do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, tha kryeministri Edi Rama pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit nga i gjithë vendi”, shkruan Reuters.
“Rama ka fajësuar mediat sociale, dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës. Vendimi i qeverisë së tij vjen pasi një nxënës 14-vjeçar u godit me thikë për vdekje në nëntor nga një nxënës tjetër”, shkruan The Guardian.
Por njëkohësisht BBC ka kontaktuar me platformën TikTok, e cila tha se nuk kishte gjetur asnjë provë se personi që dyshohet se vrau me thikë djalin 14-vjeçar, ose vetë viktima, të kishin llogari në TikTok.
RAMA NJOFTOI MBYLLJEN E TIK TOK
Rama thekoi se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.
“Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok. TikToku është rrugaçi i lagjes, që ne kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTokun do ta mbyllim për një 1 vit. Kemi bërë hulutimiet tona në aspektin teknologjik, do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Pastaj dhe gjatë atij viti do të shikojmë se si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për filtra etj., si do të reagojë TikTok“, tha Rama.