Presidenti i zgjedhur Donald Trump kërcënoi të rikthejë kontrollin e SHBA mbi Kanalin e Panamasë, duke akuzuar Panamanë për tarifa të tepruara, për përdorimin e këtij kalimi ujor në Amerikën Qendrore, që u mundëson anijeve të kalojnë mes Oqeanit Paqësor dhe Atlantik.
Duke folur të dielën në Arizona, Trump tha se nuk do të lejojë që kanali të bjerë në “duar të gabuara,” duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm kinez.
“A ka dëgjuar ndokush për Kanalin e Panamasë?” tha Trump të dielën në AmericaFest, një ngjarje e përvitshme e organizuar nga Turning Point, një grup konservator aleat. “Sepse po na grabisin në Kanali i Panamasë, ashtu siç na grabisin kudo tjetër.”
Reagime nga Panamaja
Ambasada e Panamasë në Uashington nuk komentoi për kërcënimet e Trump. Megjithatë, disa politikanë panamezë reaguan fuqishëm në rrjetet sociale, duke kërkuar nga qeveria të mbrojë autonominë e kanalit.
“Qeveria ka detyrën të mbrojë autonominë tonë si një vend i pavarur,” shkroi Grace Hernandez, një deputete nga partia opozitare MOCA, në një postim në platformën X pas deklaratave të Trumpit.
Historia e kanalit
Shtetet e Bashkuara ndërtuan dhe administruan Kanali e Panamasë për disa dekada. Por dy marrëveshje të firmosura në vitin 1977 midis SHBA dhe Panamasë hapën rrugën për kthimin e plotë të kontrollit te Panamaja në vitin 1999, pas një periudhe administrimi të përbashkët.
Kanali, që lejon deri në 14,000 anije të kalojnë çdo vit, përbën 2.5% të tregtisë detare globale dhe është thelbësor për importet amerikane nga Azia dhe eksportet e gazit të lëngshëm natyror.