Ashtu siç e paralajmëruan edhe ditën e djeshme (23 dhjetor) Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë kallëzim penal në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës kundër Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Drejtorit të Drejtorisë Vendore Tiranë, dhe zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit.
Sipas Grupit Parlamentar te PD, këta zyrtarë Penguan tubimin, ushtruan dhunë dhe konsumuan 6 vepra penale.
Ata u kallezuan per veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim.
Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që dëshmojnë se tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike ishte tërësisht i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.
Sipas PD, shuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit.
“Rasti më i rëndë i dhunës dhe veprimeve arbitrare u shënua në zonën “Rrethrrotullimi Pallati me shigjeta”, ku për shkak të ushtrimit të forcës/dhunës nga një numër i konsiderueshëm puonjësish Policie, ndaj Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, deputetit Agron Gjekmarkaj, ju rreziku seriozisht jeta, duke humbur ndjenjat dhe duke u shoqëruar për në spital për trajtim të specializuar mjekësor (Spitali i Traumës dhe QSUT). Ky veprim kriminal dhune ndaj një zyrtari publik të opozitës dhe protestuesi paqësor, ka motive të qarta politike, jo vetëm për të penguar lirinë e protestës, por edhe për të ngjallur frikë tek kundërshtarët politik të Qeverisë aktuale”, thuhet ne kallezim.
KALLEZIMI
Lënda: Referim/Informacion mbi kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Drejtuar: Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Kundër: Ervin Hoxha – Ministër i Brendshëm;
Ilir Proda – Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
Elton Alushi – Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë;
Fatmir Çelaj – punonjës i Policisë së Shtetit;
Farush Likaj – punonjës i Policisë së Shtetit;
Robert Losha – Shefi i Komisariatit nr. 1, Tiranë;
Çdo punonjës tjetër i Policisë së Shtetit i përfshirë, por i paidentifikuar nga ana jonë
Baza Ligjore: Neni 47 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Ligji nr. 8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”;
Nenet 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë;
Nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale.
I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
I nderuar z. Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,
Partia Demokratike e Shqipërisë, në përputhje me nenin 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku specifikohet se “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar. Tubimet paqësore në sheshe dhe vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara nga ligji”, më datë 23 Dhejtor 2024, ora 17.00, kishte thirrur një protestë paqësore në Tiranë.
Neni 1 i ligjit nr. 8773/2001, parashikon se: “1. Në Republikën e Shqipërisë çdo person ka të drejtë të organizojë dhe të marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë. 2. Kjo e drejtë kufizohet vetëm në rast se rrezikohet sigurimi kombëtar, sigurimi publik, mbrojtja e rendit dhe parandalimi i krimit, ruajtja e shëndetit ose moralit, ose mbrojtja e të drejtave dhe e lirive të të tjerëve.”. Më tej, ligji në nenin 5 të tij rregullon edhe procedurën që duhet të ndjekin organizatorët, duke theksuar se “Në rast tubimi në sheshe ose vendkalime publike, organizatori dhe drejtuesi janë të detyruar të njoftojnë me shkrim shefin e komisariatit të policisë jo më vonë se tri ditë para datës së zhvillimit të tubimit.”. Sipas ligjit, me “Sheshe dhe vendkalime publike” kuptohen sheshet, bulevardet, rrugët dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjen dhe qëndrimin e çdo individi.
Në përputhje me ligjin e sipërcituar, Partia Demokratike e Shqipërisë, përmes shkresës 299 Prot., datë 20.12.2024, ka njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për zhvillimin e tubimit, duke përcaktuar edhe vendkalimet publike ku ato do të zhvillohen. Në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit për tubimet, Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, ka njoftuar përmes shkresës nr. 13771/7 Prot., datë 20.12.2024, se ka vendosur të ndalojë plotësisht zhvillimin e tubimit, me “argumentin” se: “krijon probleme dhe premisa për cënime të rendit publik dhe sigurinë e shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cënon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon qarkullimin normal të automjeteve të transportit publik dhe privat”.
Edhe pse në këtë reagim, Drejtuesi i Policisë së Tiranës referon shkronjën “a” të nenit 6 të ligjit nr. 8773/2001, ku rregullohen ndalime apo kufizime specifike, të cilat duhet të bëhen të ditura paraprakisht, por pa cënuar apo mohuar plotësisht të drejtën e tubimit paqësore, ai urdhëron në mënyrë të paligjshme ndalimin plotësisht të tubimit, për shkaqe të papërligjura dhe të pa bazuar në ligj apo rrethana specifike, duke cënuar thelbim e lirisë së tubimit, si një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari shqiptar.
Sipas shkresës së Policisë së Tiranës, ndalimi plotësisht i tubimit, bëhet për dy “rrethana”:
- Krijon problem apo premisë për cënimin e rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë;
- Pengon qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes së shtetasve apo automjeteve.
Të dy këto premisa nuk kanë asnjë bazë faktike apo ligjore, dhe nuk parashikohen nga ligji si rrethana që cënojnë në mënyrë disproporcionale lirinë e tubimit, duke e mohuar atë tërësisht, në kundërshtim me nenet 17 dhe 47 të Kushtetutës, si dhe ligjin nr. 8773/2001.
Konkretisht:
- Tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë sipas ligjit nuk krijonte asnjë “problem apo premisë për cënimin e rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë”, dhe kjo është një sajesë apo fantazi e Policisë së Shtetit. Për më tepër, vetëm kur kjo rrethanë vërtetohet gjatë zhvillimit të tubimit, atëherë Policia e Shtetit si masë të fundit mund të urdhërojë “shpërndarjen e tubimit”, sipas kushteve dhe rrethanave të parashikuara në nenin 9 të ligjit nr. 8773/2001. Policia nuk mund të aludojë për cënim të rendit publik apo sigurisë së shtetasve nga një tubim i cili nuk kishte ndodhur. Cënimi i rendit publik dhe sigurisë së shtetasve është një rrethanë faktike që duhet të ndodh konkretisht dhe jo të sajohet apo prezumohet ende pa ndodhur tubimi. Në njoftimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe në çdo thirrje publike të saj për protestën e datës 23 Dhjetor 2024, nuk kishte asnjë element që bënte thirrje për dhunë, bënte thirrje për akte që cënonin rendin dhe sigurinë publike, apo bënin thirrje për zhvillimin e një proteste të armatosur. Për pasojë nuk kishte asnjë të dhënë faktike se nga mbajtja e tubimit mund të krijoheshin “problem apo premisë për cënimin e rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë”. Edhe vetë zhvillimi i tubimit në datën 23 Dhjetor provoi katërciprisht se asnjë protestues apo organizator i protestës nuk krijojë asnjë problem apo premisë për cënim të rendit publik apo sigurisë së shtetasve të tjerë jo pjesëmarrës në protestë.
- Çdo tubim në sheshe ose vendkalime publike (pra në sheshe, bulevarde, rrugë dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjen dhe qëndrimin e çdo individi) passjell një kufizim/pengim të përkohshëm në qarkullimin dhe lirinë e lëvizjes së shtetasve apo automjeteve. Kjo është arsye, se përse vetëm në këto raste organizatorët e tubimit kanë detyrimin që të njoftojnë Policinë e Shtetit, 3 ditë përpara zhvillimit të tubimit, duke i dhënë mundësi asaj që të marrë masat e duhura organizative për të lehtësuar këtë kufizim/pengim të përkohshëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve apo automjeteve. Nëse tubimi nuk do të sillte kufizim apo pengim të lëvizjes, pra do të ishte në vende të hapura për publikun, por jo në sheshe ose vendkalime publike që pengohet/kufizohet lëvizja e lirë, atëherë sipas nenit 12 të ligjit nr. 8773/2001, nuk është e nevojshme fare njoftimi i Policisë së Shtetit. Për këtë arsye, në asnjë rrethanë ligji për tubimet nuk parashikon si kriter që nga organizimi i një tubimi të mos pengohet/kufizohet përkohësisht lëvizja e lirë e automjeteve apo qytetarëve. Përkundrazi është ky rasti kur sipas ligjit organizatorët kanë detyrimin që të njoftojnë Policinë. Ndalimi i zhvillimit të një tubimi është i lidhur me rrethanë specifike të parashikuara në mënyrë shteruese në nenin 8 të ligjit nr. 8773/2001, ku përcaktohet se: “Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit”.
Në rastin e garantimit të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe qytetarëve është detyrë e Policisë së Shtetit që të marrë masat për devijimin e lëvizjes në zona të tjera që nuk përkojnë me vendkalimet ku zhvillohet tubimi. Kjo është një masë që Policia e Shtetit e ka për detyrë ta marrë në çdo tubim të sheshe apo vendkalime publike, apo në aktivitete të tjera politike, kulturore apo sportive në ambiente të hapura, që passjellin pengim/kufizim të qarkullimit të automjeteve apo qytetarëve. Për këtë arsye, përvecse pengimi i qarkullimit apo lëvizjes nuk është një rrethanë që parashikohet nga ligji për të urdhëruar ndalimin tërësor të tubimit, Policia e Shtetit ka të gjitha mundësitë që këtë pengim/kufizim të lehtësojë me masa më pak shtrënguese (devijimin e trafikut, masë të cilin në fakt e ka marrë gjithmonë), duke mos mohuar plotësisht dhe në mënyrë jo proporcionale lirinë e qytetarëve për të protestuar, manifestuar apo grumbulluar.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e saj nr. 24/2021, ka theksuar se: “Akti i njoftimit u shërben dy qëllimeve, nga njëra anë u shërben pjesëmarrësve në tubim të zhvillojnë qetësisht lirinë e tyre përmes marrjes së masave lehtësuese nga Policia e Shtetit dhe, nga ana tjetër, u shërben qytetarëve që nuk marrin pjesë në tubim të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre. Në këtë drejtim, kryerja e njoftimit paraprak nuk cenon lirinë e tubimit paqësor, sepse ky lloj njoftimi i mundëson shtetit të garantojë më mirë natyrën paqësore të një tubimi dhe të marrë masa për të lehtësuar tubimin ose për të mbrojtur rendin publik, sigurinë publike dhe të drejtat dhe liritë e të tjerëve (shih Opinionin e Komisionit të Venecies mbi udhërrëfyesin e lirisë së tubimeve paqësore, CDL-AD(2019)017, 8 korrik 2019, § 25, faqe 10).”.
Edhe GJEDNJ-ja ka vlerësuar se njoftimi, madje edhe procedurat e autorizimit, për një tubim, normalisht nuk shkelin thelbin e së drejtës sipas nenit 11 të Konventës, për sa kohë që qëllimi i procedurës është të lejojë autoritetet të marrin masa të arsyeshme dhe të përshtatshme në mënyrë që të garantojnë mbarëvajtjen e çdo tubimi, takimi apo mbledhjeje tjetër, qoftë politike, kulturore apo të një natyre tjetër (shih Sergey Kuznetsov kundër Rusisë, 23 tetor 2008, § 42; Bukta dhe të tjerë kundër Hungarisë, 17 tetor 2007, § 35; Rassemblement Jurassien dhe Unité Jurassienne kundër Zvicrës, nr. 8191/78, vendim i Komisionit, 10 tetor 1979, vendimet raportet 17, § 119). Pra njoftimi nuk shërben si motiv për Policinë që të njoftojë ndalimin e tubimit, por si masë paraprake që të organizojë njëkohësisht të drejtën për tubim, dhe ushtrimin nga shtetasit e tjerë jo pjesëmarrës në tubim të të drejtave të tyre.
Për të gjitha sa më lart, për shkak se veprimet e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës Elton Alushi, bien ndesh me nenet 17 dhe 47 të Kushtetutës dhe me ligjin nr. 8773/2001 “Për tubimet”, duke cënuar lirinë kushtetuese të tubimit të qytetarëve, përfshirë edhe për rrethana të motivuara politikisht, për shkak se bëhet fjalë për organizimin e një proteste nga partia më e madhe e opozitës në vend, kundërshtare politike me Qeverinë, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, për kryerjen prej tij të veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 250, 253 dhe 261 të Kodit Penal.
Konkretisht, drejtuesi i Policisë vendore të Tiranës, përmes shkresës nr. 13771/7 Prot., datë 20.12.2024, me të cilën ka vendosur të ndalojë plotësisht zhvillimin e tubimit të opozitës dhe qytetarëve, shoqëruar më pas edhe me veprime konkrete gjatë zhvillimit të tubimit nga ana e punonjësve, ka kryer me dashje veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, duke dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetasve për të ushtruar lirisht të drejtën e tyre për të tubuar. Në këtë mënyrë, ky zyrtar policie ka kryer veprime ose ka dhënë urdhra arbitrare, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve. Ekzistojnë të dhënat e mjaftueshme që kjo sjellje e kundërligjshme të jetë e motivuar politikisht, duke kryer për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, të dallimeve mbi bazë të bindjeve politike, që konsiston në refuzimin e një të drejte që buron nga ligji. Në këtë mënyrë, Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, në bashkëpunim me punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit, të paidentifikuar nga ana jonë dhe që duhet të identifikohen gjatë hetimeve nga organi procedues, ka kryer veprime për të penguar shtetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo manifestimit, duke i shoqëruar më pas veprimet e tij me përdorimin e dhunës fizike, ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, zyrtarëve të forcave politike kryesore të opozitës në vend, si dhe qytetarëve që po protestonin paqësisht dhe pa armë.
Kufizimi i lirisë së tubimit dhe organizimit duhet të bëhet sipas kritereve të përcaktuara në nenin 17 të Kushtetutës dhe në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Cdo kufizim përtej këtij standardi, bien ndesh me nenin 47 të Kushtetutës, nenin 11 të KEDNJ-së dhe ligji nr. 8773/2001, që ka një qasje në përputhje me standardet ndërkombëtare. Njoftimi u mundëson autoriteteve shtetërore të lehtësojnë mbledhjen e protestuesve, si dhe të sigurojnë rendin publik dhe të mbrojnë të drejtat e të tjerëve. Por, liria e tubimit nuk i nënshtrohet asnjë formaliteti miratimi nga organet e policisë, por për ushtrimin e kësaj të drejte, sipas ligjit nr. 8773/2001, kërkohet vetëm bërja e njoftimit në organet e policisë në një kohë të përcaktuar. Fakti që në ligjin nr. 8773/2001 përdoret termi “njoftim” dhe jo “kërkesë”, drejtuar organeve të policisë për zhvillimin e tubimit është me rëndësi, pasi garanton ushtrimin e së drejtës së tubimit nga ana e shtetasve. Pra, vendimin për ushtrimin e së drejtës së tubimit e merr vetë subjekti njoftues dhe nuk kërkohet miratimi/leja e organit të policisë.
Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to, garantohet në nenin 47, pika 1, të Kushtetutës. Kjo liri nuk kufizohet nga qëllimi i tubimit, mjafton që ai të jetë paqësor. Termi “tubim” përkufizohet nga ligji nr. 8773/2001 me grumbullimet, manifestimet, mbledhjet dhe parakalimet me karakter paqësor dhe pa armë, në të cilat një grup personash shprehin kërkesat dhe pikëpamjet e tyre për probleme për të cilat janë të interesuar, duke përfshirë edhe tubimet urgjente (neni 2, pika 5 i ligjit), të cilat zhvillohen kur ka rrethana urgjente (neni 7 i ligjit). GJEDNJ-ja ka pranuar se e drejta e tubimit paqësor e garantuar nga neni 11 i KEDNJ-së është themelore në një shoqëri demokratike, e, për rrjedhojë, nuk duhet të interpretohet në mënyrë të ngushtuar (shih Kudrevičius dhe të tjerë kundër Lituanisë, 15 tetor 2015, § 91). Kjo e drejtë mbulon si mbledhjet private, ashtu edhe mbledhjet në vende publike, qofshin të palëvizshme ose në formë procesioni. E drejta e tubimit ushtrohet si nga pjesëmarrësit individualë, ashtu edhe nga personat që e organizojnë atë (shih Djavit An kundër Turqisë, 20 shkurt 2003, § 56).
Liria e tubimit është e lidhur ngushtë edhe me lirinë e shprehjes, pasi mbrojtja e mendimeve dhe liria e shprehjes së tyre është një nga objektivat e lirisë së tubimit dhe organizimit (shih vendimin nr.11, datë 09.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese). Nga ana tjetër, neni 47, pika 2, i Kushtetutës parashikon se “tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj”. Në këtë mënyrë Kushtetuta ia ka deleguar ligjvënësit rregullimin e procedurave që duhet të ndiqen kur tubimet paqësore zhvillohen në sheshe dhe në vende të kalimit publik, pasi në këto lloj rastesh ushtrimi i lirisë së tubimit paqësor ndikon në ushtrimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të tjerë, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës. Në praktikën e saj GJEDNJ-ja ka pranuar se e liria e tubimit paqësor nuk është absolute, por mund të jetë objekt i kufizimeve në përputhje me paragrafin 2 të nenit 11 të Konventës. Një ndërhyrje në ushtrimin e kësaj të drejte nuk ka nevojë të përbëjë një ndalim të plotë, ligjor ose de facto, por mund të konsistojë në masa të ndryshme të tjera të marra nga autoritetet (Kudrevičius dhe të tjerët kundër Lituanisë, 15 tetor 2015, §§ 91 dhe 100).
Sipas Komisionit të Venecies, legjislacioni kombëtar që rregullon lirinë e tubimit duhet të artikulojë në mënyrë të qartë parimet kryesore: (i) prezumimi në favor të mbajtjes së tubimeve, i cili është parim qendror në gëzimin e lirisë së tubimit dhe si pasojë e të cilit, autoritetet ligjvënëse kanë në dispozicion “një spektër të gjerë” kufizimesh të mundshme që nuk ndërhyjnë në thelbin e së drejtës; (ii) detyra e shtetit për të mbrojtur tubimet paqësore në kuptimin që është përgjegjësia kryesore e shtetit të vendosë mekanizma dhe procedura të përshtatshme për të siguruar që liria e tubimit, praktikisht, të gëzohet dhe të mos u nënshtrohet rregullave të tepruara burokratike. Shteti ka detyrim pozitiv të mbrojё aktivisht tubimet paqësore dhe të ligjshme. Mund të kërkohet të ndërhyhet për të siguruar kushte që lejojnë ushtrimin e lirisë së tubimit dhe kjo mund të kërkojë marrjen e masave pozitive për të mundësuar që tubimet e ligjshme të vazhdojnë në mënyrë paqësore; (iii) proporcionaliteti, si një nga kriteret kryesore që duhet të drejtojnë shtetin kur vendos kufizime. Proporcionaliteti kërkon që shteti të miratojë mjetet më pak ndërhyrëse për arritjen e objektivave të përcaktuara. Kjo përfshin arritjen e një ekuilibri të drejtë midis interesave të atyre që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e tubimit dhe interesave të përgjithshme të pjesës tjetër të komunitetit (shih Opinionin e Komisionit të Venecias për lirinë tubimit (CDL-PI (2014)0003, 1 korrik 2014, faqet 12-15).
Në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor të mësipër, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka rinjoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 23 Dhjetor 2024, ora 17.00. Në përgjigje të këtij rinjoftimi, Policia e Shtetit nuk ka patur ndonjë reagim shtesë dhe për pasojë kishte detyrimin për të marrë të gjitha masat organizative për të mundësuar zhvillimin e qetë të një tubimi paqësor dhe pa armë.
Por menjëherë sapo ka filluar tubimi, në orën 17:00, të datës 23.12.2024, në mënyrë të kundërligjshme, Policia e Shtetit ka ndërhyr për shpërndarjen e tij. Ky veprim i Policisë, bie ndesh me nenin 9 të ligjit nr. 8773/2001, ku parashikohet se: “Një tubim në një shesh ose vendkalim publik mund të shpërndahet nga forcat policore me uniformë, vetëm në rastet kur: (a) mënyra e zhvillimit të tubimit është e tillë që mund të dëmtojë në mënyrë konkrete rendin publik dhe sigurinë e personave; (b) gjatë zhvillimit të tij kryhen krime; dhe (c) ekziston një situatë emergjente që lidhet me sigurinë publike, kur vendi i zënë nga tubimi kërkohet nga shërbimet e emergjencës.”.
Asnjë nga protestuesit nuk po kryente asnjë veprim që mund të dëmtojë në mënyrë konkrete rendin publik dhe sigurinë e personave. Nga ana tjetër, gjatë zhvillimit të tij nuk po kryhej asnjë krim; dhe nuk ekzistonte asnjë situatë emergjente që lidhet me sigurinë publike, kur vendi i zënë nga tubimi kërkohet nga shërbimet e emergjencës.”.
Edhe pse kishin njoftim sipas ligjit dhe nuk ekzistonte asnjë nga kushtet për shpërndarjen e tubimit, Policia e Shtetit në mënyrë të koordinuar, ndërmori veprime konkrete për të shpërndarë tubimin, duke përdorur forcë dhe mjete disproporcionale, dhe duke ushtruar dhunë ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesve të partive politike të opozitës dhe qytetarëve që po ushtronin të drejtën e tyre për tubim paqësor dhe pa armë. Dhuna e ushtruar në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Policisë së Shtetit (shtetasit Fatmir Çelaj; Farush Likaj; apo Robert Losha) dhe nga disa punonjës policie, në pjesë prej tyre e pamundur të identifikohen nga ana jonë, pengojë ushtrimin e lirë të tubimit dhe solli lëndime të shumë pjesëmarrësve në tubim.
Rasti më i rëndë i dhunës dhe veprimeve arbitrare u shënua në zonën “Rrethrrotullimi Pallati me shigjeta”, ku për shkak të ushtrimit të forcës/dhunës nga një numër i konsiderueshëm puonjësish Policie, ndaj Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, deputetit Agron Gjekmarkaj, ju rreziku seriozisht jeta, duke humbur ndjenjat dhe duke u shoqëruar për në spital për trajtim të specializuar mjekësor (Spitali i Traumës dhe QSUT). Ky veprim kriminal dhune ndaj një zyrtari publik të opozitës dhe protestuesi paqësor, ka motive të qarta politike, jo vetëm për të penguar lirinë e protestës, por edhe për të ngjallur frikë tek kundërshtarët politik të Qeverisë aktuale.
Nga ana e organizatorëve të tubimit, u bë thirrje disa herë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit që të ndalnin aktet e dhunës ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesve të partive politike të opozitës dhe qytetarëve që po ushtronin të drejtën e tyre për tubim paqësor dhe pa armë, si dhe të mos pengonin pa shkaqe të përligjura të drejtën për të protestuar. Pavarësisht thirrje, përfshirë edhe thirrjeve publike ndaj Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda, asnjëri prej tyre nuk mori masa për të ndërprerë gjendjen e paligjshme që po shkaktonte veprimi arbitrar i policisë. Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, përbën vepër penale sipas nenit 251 të Kodit Penal. Të dy zyrtarët e lartë të zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit janë vënë në dijeni të gjendjes për shkak të funksionit të tyre, dhe nuk kanë ndërhyr që të ndalojnë gjendjen e paligjshmërisë, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë me zyrtarët e tjerë të policisë në konsumimin e disa veprave penale dhe duke shpërdoruar edhe detyrën.
Veprimet e dhunëshme të Policisë së Shtetit për të penguar një tubim të njoftuar rregullisht sipas ligjit dhe për ta shpërndarë atë, janë veprime dhune në kuptim të nenin 90 të Kodit Penal, që solli nevojën për ndihmë mjekësore të protestuesve.
Nga ana tjetër, këto veprime të dhunshme dhe të kundërligjshme, përbëjnë kryerje me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, dhe që kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetasve. Këtë veprime të dhunshme të Policisë së Shtetit, për shpërndarjen e paligjshme të një tubimi të njoftuar rregullisht, jashtë shkaqeve të lejuara nga ligji, përbëjnë kryerje të veprimeve ose dhënie e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve. Këto veprime janë kryer me qëllim për të penguar shtetasit për të ushtruar lirinë e shprehjes së mendimit, të grumbullimit apo manifestimit, dhe janë shoqëruar sic tregojnë pamjet filmike publike të tubimit të opozitës me përdorimin e dhunës fizike nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ekziston dyshimi i arsyeshëm, se veprime të tilla, të kryera për shkak të detyrës e në ushtrim të saj, nga ana e punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, kanë patur si bazë dallimet për shkak të bindjeve politike të protestuesit dhe kanë rezultuar në refuzimin e një të drejte që buron nga ligji, sic është liria kushtetuese e tubimit. Të gjitha veprimet e mësipërme, të kryera në bashkëpunim, klasifikohen si vepër penale në kuptim të neneve 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Përsa më lart, në mbështetje të neneve 280 dhe 283 të Kodit Penal, sipas kompetencës së secilës prokurori, kërkojmë:
- Shqyrtimin e këtij materiali, dhe kryerjen e verifikimeve paraprake, përfshirë administrim e pamjeve të plota të tubimit të datës 23 Dhjetor 2024, ora 17.00.
- Regjistrimin e procedimit penal.
- Kryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme, me qëllim zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të të gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje.
- Dërgimin e çështjes në gjyq për personat e sipërcituar, persoa të tjerë që do të rezultojnë gjatë hetimeve, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Me respekt,
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE
KRYETARI
GAZMENT BARDHI