Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në darkën e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri kishte një përgjigje edhe për ata që thonë se “ai fiton për shkak se opozita është e dobët”.
Por për kreun e qeverisë shqiptare, opozita më e fortë është bashkëshortja e tij, Linda. Prandaj Rama shprehet se ajo është arsyeja kryesore e fitores së tij.
“Jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur”, u shpreh Rama.
“Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet larteposhtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”.
Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi!
Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes.
Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them!
Për rrjedhojë, më lini të falënderoj sonte këtu edhe opozitën më të fortë dhe më lini t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra, edhe në emër të saj, që jeni këtu me ne në këtë mbrëmje të këndshme të përvitshme”, u shpreh kryeministri.