Sulmi me tritol që ndodhi në katin e nëntë të një pallati në Tiranë nuk ka ende autor. Madje policia jo vetëm që nuk ka autorë dhe as motive por ende nuk ka gjetur personat, të cilët banonin në atë banesë që atentatorët i dërguan tritolin me dron.
Nga verifikimet e shumta është mësuar se gruaja që e ka me qira ambientin e shënjestruar nuk ndodhet brenda vendit. Grupi hetimor ka komunikuar me të, me qëllim marrjen e saj në pyetje por ajo iu ka dëshmuar se nuk e ka idenë se çfarë mund të ketë ndodhur, por ajo ka thënë se nuk ka probleme me asnjë person.
Po ashtu, edhe i zoti i banesës, në pronësinë e të cilit gjendet ambienti rezulton person i paskeduar më herët, por edhe ai dhe familjarët e pyetur nga policia kanë mohuar të kenë pasur konflikte me ndonjë person. Ata kanë dëshmuar në lidhje me procedurat e dhënies së banesës me qira dhe nuk kanë mundur ta ndihmojnë aspak grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, e cila për fat nuk shkaktoi pasoja të rënda, meqë banesa u gjet pa asnjë njeri brenda!
KËRKIMET PËR SHËNJESTRËN
Grupi hetimor që ka marrë në duar hetimet për atentatin e frikshëm, për nga mekanizmi që kanë përdorur autorët për ta kryer, kanë nisur kërkimet për të gjetur personin e dyshuar si shënjestër.
Ata janë të bindur që Benard Sinomati ka qenë në banesë në momentin e shpërthimit, por ai ka mundur të largohet para se sa të vinte policia në vendin e ngjarjes. Grupi hetimor në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë e Vlorës kanë nisur kërkimet për të siguruar një dëshmi të Sinomatit, dëshmi të cilën ende nuk kanë mundur ta dokumentojnë.
Sipas hetimeve, është vërtetuar se banesa është dhënë me qira në fundin e korrikut të këtij viti dhe se gjithçka është bërë me anë të dokumentacionit. I zoti i banesës ka thënë se shtëpinë ia ka dhënë një çifti, por në fakt apartamenti i sulmuar me tritol është në emrin e E.A., gruas që sipas të dhënave është më origjinë nga Korça.
Policia po e kërkon Sinomatin për të mësuar më shumë në lidhje me problemet që mund të kenë ai dhe familja e tij me persona të tjerë, ndërkohë që policia dhe prokuroria e Vlorës ende nuk kanë zbardhur atentatin e bujshëm që i mori jetën nipit të tij rreth një vit më parë.
Dyshimet e grupit hetimor ranë pikërisht mbi Benard Sinomati që ishte shënjestër e atij atentati, por në fakt një plumb snajperi i mori jetën Gëzim Sinomatit, djalit të vëllait të tij, i cili kishte mbërritur në Vlorë për të kaluar pak ditë me nënën e tij.
Benard Sinomati është objekt i atentateve disa herë në qytetin e Vlorës, por kësaj radhe grupi hetimor ka dyshime që rivalët e kanë gjurmuar edhe në Tiranë, duke tentuar ta eliminojnë me një metodë mjaft të rrezikshëm, që mund të kthehet edhe në një precedent po kaq të rrezikshëm për akte të ngjashme.
/Gazeta Panorama