Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” lidhur me tragjedinë ajrore që ndodhi sot në Kazakistan, ku një avion plot me pasagjerë u rrëzua, duke lënë pas dhjetëra të vrarë.
Përmes postimit në “X” Rama shpreh ngushëllimet e tij për vendet vëllazërore të Shqipërisë, siç ai karakterizon Azerbajxhanin dhe Kazakistanin.
“Në emër të Shqipërisë, bashkohem me miqtë tanë të pikëlluar për të shprehur ngushëllimet e mia për vendet tona vëllazërore, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin, dhe urimet e mia të përzemërta që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e tyre”, shkruan Rama.
On behalf of Albania, I join our saddened friends in extending my condolences to our brotherly countries, Azerbaijan and Kazakhstan, and my heartfelt wishes for peace to prevail throughout their region🙏
— Edi Rama (@ediramaal) December 25, 2024
Kujtojmë se avioni plot me pasagjerë që po udhëtonte nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në Rusi u rrëzuar sot afër qytetit Aktau në Kazakistan.
Në avion ndodheshin 67 persona, bënë të ditur autoritetet e Kazakistanit më 25 dhjetor. Zyrtarët thanë se dhjetëra persona kanë vdekur, ndërsa më shumë se 30 i kanë mbijetuar rrëzimit të fluturakes.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit tha për mediat se të paktën 32 persona kanë shpëtuar dhe janë duke marrë trajtim mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë e Kazakistanit tha se 27 persona, përfshirë dy fëmijë, u dërguan në një spital rajonal. Kjo ministri tha se 11 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Azerbaijan Airlines tha se avioni Embraer 190 po fluturonte nga Bakuja për në Grozni, kryeqytetin e Çeçenisë, por u detyrua të bëjë ulje të detyruar rreth 3 kilometra larg nga Aktau. Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit të avionit dhe policia në Kazakistan ka nisur hetimet.
Mediat më herët raportuan se avioni ndryshoi rrugëtimin e tij për shkak të mjegullës në Grozni. Sipas agjencive lokale të lajmeve, pasagjerët ishin shtetas të Azerbajxhanit, Kazakistanit, Kirgizisë dhe Rusisë.