Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me plagosjen e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi.
Mediat në shtetin helen raportojnë se shkak i plagosjes ka qenë një mosmarrëveshje mes personit të plagosur dhe autorit.
Në dëshminë e tij në polici ai ka deklaruar se teksa qëndronte jashtë makinës së tij, i është afruar një mjet nga ku kanë zbritur dy persona dhe një motoçikletë po me dy persona të tjerë.
Njëri prej tyre e ka sulmuar, ka debatuar me të dhe e ka goditur me thikë tre herë në veshka.
Menjëherë pas ngjarjes, autori dhe personat që dyshohet se ishin me të janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i plagosuri ka ecur rreth 50 metra dhe ka kërkuar ndihmë nga punonjësja e një dyqani. Ndonëse e tronditur, ajo i lidhi plagët me peshqir dhe thirri ambulancën dhe autoritetet.
Shqiptari është dërguar në Spitalin Asklepiio të Vulës ku po trajtohet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa para se të hynte në urgjencë ka arritur të thotë në polici emrin e autorit, sipas të cilit kanë pasur mosmarrëveshje personale.
Ndërkohë mësohet se dy-tre muaj më parë ata janë përleshur nën efektin e alkoolit dhe i plagosuri dyshohet se kishte sharë autorin.