Nuk ka fitues në aktin e parë në sfidën Napoli-Barcelona, me dy ekipet që lënë pezull kualifikim për sfidën e kthimit në “Camp Nou” pas barazimit 1-1. Me Francesco Calzona në stol, Napoli nuk stonoi, por sigurisht as nuk shkëlqeu, iu fal vetëm një veprimi individual të Victor Osimhen. Dy ekipet nuk vinin në kushte perfekte në përballje, të mbërthyer prej kohësh nga kriza e rezultateve dhe ndryshimet në pankinë.
Barcelona ishte më superiore në “Maradona”, kishin kontrollin e lojës, flirtuan me golin e avantazhit në disa momente, por pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Në minutën e 60-të, Robert Lewandowski më një veprim shumë të bukur kaloi Barcelonën në avantazh. Në rastin e parë që i erdhi në këmbë, në goditjen e parë në kuadrat, Osimhen u tregua fantastik duke barazuar shifrat në 1-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund:
“Kemi shumë punë për të bërë, por i bëj komplimente djemve sepse gjetën dëshirën për të luftuar. I lejuam pak një ekipi si Barcelona pavarësisht se hodhëm në fushë lojtarë që nuk ishin në top formë pas Kupës së Afrikës”, u shpreh Francesco Calzona, trajneri i Napolit.
“Jemi pak të trishtuar, meritonim të fitonim. I dhuruam Napolit vetëm një rast”, u shpreh Xavi pas ndeshjes ku konfirmoi edhe një herë se nuk ka ndryshuar vendim, në fund të këtij sezoni do të largohet nga Barcelona.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co