Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Indi, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një mëngjes pune me sipërmarrës indianë dhe shqiptarë, takim në të cilin u diskutua rreth mundësive për biznes që ofron Shqipëria. Ministri Hasani ftoi kompanitë indiane ta shohin vendin tonë si një mundësi shumë të mirë investimi dhe të shohin nga afër mundësitë dhe hapësirat e reja që iu ofron Shqipëria, jo vetëm për investime dhe biznes por edhe për tregti e partneritet, duke ndërtuar përmes Shqipërisë historitë e tyre të reja të suksesit në rajon dhe më gjerë.
Hasani vlerësoi gjithashtu se India përbën një vend me shumë potencial për Shqipërinë dhe forcimi i aleancës mes dy vendeve konsiderohet me interes të lartë, në aspektin ekonomik dhe gjeostrategjik. Në këtë vizitë, Ministri Hasani shoqërohej edhe nga një delegacion biznesi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, kryesisht të sektorit të prodhimit të tekstileve, industrisë së përpunimit të mishit, prodhimit të letrës dhe plastikës, produkteve hidorsanitare, tregtimit të mallrave ushqimore e industriale, si dhe arsimit dhe aftësimit profesional dhe kërkimit shkencor.
India është furnizuesi i katërt më i madh gjatë viteve të fundit për tregun shqiptar. Gjatë vitit 2023 norma e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve arriti 249% më shumë se një vit më parë. Sipas QKB, në janar 2023, në territorin e Shqipërisë ishin aktive 90 kompani me pronësi indiane. Ndër to, 80 kanë kapital të huaj 100%, ndërsa 10 prej tyre kanë kapital të përbashkët. Kompanitë indiane janë të pranishme në 5 nga 12 rrethet e vendit. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive, përkatësisht 88%, operojnë në territorin e Qarkut të Tiranës, e ndjekur nga Korça (8%), Durrësi (6%), Vlora dhe Elbasani (1%).
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co