Në Azerbajxhan më 26 dhjetor është shpallur ditë zie për të nderuar viktimat nga avioni i pasagjerëve që u rrëzua një ditë më parë në Kazakistan.
Avioni i kompanisë Azerbaijan Airlines kishte 67 persona në bord. Autoritetet kanë thënë se 38 persona kanë vdekur dhe 29 i kanë mbijetuar përplasjes.
Fluturakja ishte nisur nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në Grozni të rajonit rus, Çeçeni. Por, avioni devijoi rrugën dhe tentoi të bënte ulje emergjente afër qytetit Aktau në perëndim të Kazakistanit.
Autoritetet në Azerbajxhan dhe Kazakistan kanë nisur hetimet për të kuptuar shkakun e rrëzimit, teksa është gjetur edhe incizimi nga kabina e pilotit.
Presidenti azerbajxhanas, Ilham Aliyev, tha se ende është herët të përcaktohet shkaku i rrëzimit të avionit, por sugjeroi se moti i lig mund të ketë kontribuar në incident.
“Informacioni që më është dhënë është se avioni ndryshoi rrugën nga Bakuja për në Grozni për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe u nis drejt aeroportit të Aktaut para se të rrëzohej”, tha ai.
Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Azerbajxhanit tha se “të gjithë skenarët janë duke u hetuar”.
Në avionin e rrëzuar ishin 42 shtetas të Azerbajxhanit, 16 të Rusisë, gjashtë të Kazakistanit dhe tre të Kirgizisë.
Zëvendëskryeministri kazak, Qanat Bozymbaev – i cili është përgjegjës për komisionin e posaçëm qeveritar për hetimin e incidentit – tha se shumica e viktimave nuk kanë mundur të identifikohen menjëherë, pasi kanë pësuar djegie të rënda.
Sa i përket të lënduarve, ai tha se disa kanë lëndime të moderuara, por ka edhe persona në gjendje të rënduar shëndetësore që kanë pësuar djegie të mëdha.
Ndërkaq, sa u përket të shpëtuarve, nëntë janë rusë, të cilët janë dërguar në Moskë me një avion nga Ministria ruse e Emergjencave më 26 dhjetor.
Kompania Azerbaijan Airlines ka pezulluar të gjitha fluturimet nga Bakuja drejt Çeçenisë derisa të kryhen hetimet për tragjedinë.
Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, ka cituar zyrtarë të kenë thënë se avioni kishte kaluar të gjitha kontrollet në tetor dhe piloti kishte “përvojë të madhe” me mbi 15.000 orë fluturim.