BESARTA BASHA/ Në mbledhjen e qeverisë këtë të enjte (26 Dhjetor) u mor vendimi për dhënien e një shpërblimi fundiviti për 275 mijë familje dhe individë, të cilët do të përfitojnë 15 mijë lekë.
Personat që do përfitojnë i përkasin kategorisë së familjeve me ndihmë ekonomike, jetimët, të verbrit, tetra dhe paraplegjikët, ndihmësit dhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar.
“Me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare, u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit kësaj kategorie. Për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social janë pikërisht 15 mijë lekë apo 150 euro që u akordohen familjeve në nevojë, fëmijëve pa kujdes prindëror, individëve që kanë statusin e para apo tetraplegjikë, si edhe statusin e të verbërve”.
Sipas ministres Koçiu, fondi i akorduar nga buxheti i shtetit është afro 2.1 miliardë lekë. Sakaq, shtoi se ky fond është një vendim solidariteti për gjithë individët dhe familjet shqiptare.
“Për herë të parë këtë vit marrin shpërblimin marrin edhe kujdestarë e këtyre personave që përfitojnë nga skema e Mbrojtjes Sociale. 18 mijë ndihmës dhe kujdestarë për personat me aftësi të kufizuar do të marrin shpërblimin e fundvitit. Është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit dhe është afro 2.1 miliardë lekë, që do të shkojë për të gjithë familjet dhe individët e shoqërisë. Një vendim solidariteti për të gjithë individët dhe familjet shqiptare”, tha Koçiu.
Një shumë e përafërt është ndarë veç gjithashtu për punonjësit mbështetës në administratën publike, ndërsa për pensionistët është trefish më i madh për shkak të numrit të lartë të tyre. Ndonëse për kategoritë e tjera të deklaruara për t’u shpërblyer deri më tani është aplikuar fasha 10 deri 15 mijë lekë në varësi të të ardhurave mujore që ata marrin (kush merr më pak ka bonus më të lartë), për familjet në nevojë nuk do të aplikohet një skemë e tillë.
Të gjitha kategoritë e listuara në tabelën përbri do të kenë 15 mijë lekë shpërblim me rastin e festave të fundvitit.
/Gazeta Panorama