Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit tre serbëve të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, theksoi ajo.
Gashi njoftoi se masa e paraburgimit të njëjtëve iu është vazhduar deri me datë 24.04.2024.
Kujtojmë se në komunën e Zveçanit, grupe të armatosura të serbëve sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Pas sulmit terrorist, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.
Sulmi u dënua ashpër në Kosovë dhe nga ndërkombëtaret, ndërsa përgjegjësin për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Për Radoiçiqin organizata ndërkombëtare e policisë INTERPOL ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar.
Përveç tij, INTERPOL ka lëshuar fletarrestim ndërkombëtar edhe për 18 persona të tjerë.
Fletarrestimi për Radoiçiqin dhe të dyshuarit e tjerë është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes UNMIK-ut, pasi që Kosova nuk mund të kërkojë drejtpërdrejt lëshimin e urdhër-arrestit, sepse nuk është anëtare e INTERPOL-it.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co