2-vjetori i luftës në Ukrainë, Veliaj: Gjithmonë pranë popullit ukrainas, javën tjetër Tirana bujare mikpret Zelensky-n

2 vjetori i luftes ne ukraine veliaj gjithmone prane popullit ukrainas javen tjeter tirana bujare mikpret zelensky n
2 vjetori i luftes ne ukraine veliaj gjithmone prane popullit ukrainas javen tjeter tirana bujare mikpret zelensky n

Dy vite nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, qytetarët e Tiranës zhvilluan këtë të shtunë një manifestim në kryeqytet, pas ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas. Manifestimit iu bashkuan ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, i ngarkuari me punë i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, David Wisner, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, etj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se shpreson që ky të jetë përvjetori i fundit që qytetarët takohen në këto rrethana dhe që lufta në Ukrainë të marrë fund sa më parë. Ai theksoi se është i lumtur që Bashkia e Tiranës po ndihmon në rindërtimin e shkollave në Ukrainë.

“Jam krenar që sot BE, SHBA, vendet anëtare të NATO-s, gjithë kolegët që janë këtu, i është bashkuar edhe një pjesë e jashtëzakonshme e komunitetit të qytetarëve të Tiranës, për të cilët jam shumë mirënjohës. Sepse besoj që kjo nuk është një punë e atyre që merren me politikë dhe diplomaci. Kjo është puna dhe një detyrim moral e çdo qytetari evropian. E çdo njeriu që nuk i ka të largëta kujtimet kur ne kemi qenë në një agresion të tillë, as të kohës së komunizmit, as të luftës në Kosovë. Faleminderit të gjithë qytetarëve që janë këtu sot edhe pavarësisht motit. Kombi për secilin prej nesh fillon te shtëpia e vet. Ndaj, më vjen mirë që e ne e kemi bërë atë tonën modeste. Jam i lumtur që Bashkia e Tiranës ndërton shkollën nr 5 në Kharkiv dhe jam i sigurt që do të bëjmë më shumë në një rrjet qytetesh EuroCity, për të çiftuar sa më shumë qytete të Europës me qytete të Ukrainës ashtu siç ishte edhe porosia e zotit Zelensky kur ishim në Ukrainë në gusht 2022 për të gjetur sa më shumë qytete që mund të bëheshin binjake, por për të bërë një punë konkrete sidomos për rindërtimin. Më vjen mirë që jemi duke punuar në Irpin dhe Bucha për atë aftësi që ne kemi, të paktën në arkitekturë dhe urbanistikë për rindërtimin. Të ndërtojmë më mirë dhe më fort, jo për inat të pushtuesit, por për nder dhe respekt të betejës dhe për t’u siguruar që ngrihemi shumë më të fortë se sa u rrëzuan para dy vitesh.”

Veliaj bëri me dije se javën tjetër Tirana do të mikpresë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kur tha se bujaria shqiptare do të reflektohet në pritjen e organizuar për të. “Tirana do të përgatitet për të mikpritur presidentin, Volodymyr Zelensky, që do të jetë këtu për samitin javën tjetër. Kështu që jo vetëm një rrugë që quhet nga Bashkia e Tiranës “Ukraina e lirë”, por e gjithë Tirana do të ndihet si ky toponim, një Ukrainë e Lirë. Shpresoj që të jetë një vizitë e suksesshme. Bujaria shqiptare të reflektohet edhe në pritjen që kemi rezervuar për presidentin Zelenskyy”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →