A është Asociacioni kusht për KiE dhe çfarë mund të kërkohet tjetër deri në maj? Çfarë thotë Gerald Knaus

a eshte asociacioni kusht per kie dhe cfare mund te kerkohet tjeter deri ne maj cfare thote gerald knaus
a eshte asociacioni kusht per kie dhe cfare mund te kerkohet tjeter deri ne maj cfare thote gerald knaus

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të lidhen vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, “e jo me gjëra të tjera, si dialogu me Serbinë”.

Knaus – organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës – thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të jetë kusht, sepse “nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia”.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.Radio Evropa e Lirë: Zoti Knaus, organizata juaj – Iniciativa Evropiane për Stabilitet – publikoi së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës. E dimë se çështja e tokës së Manastirit të Deçanit ishte kushti kryesor për Kosovën që të ecte përpara në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë. A ka kushte të tjera?

Gerald Knaus: T’iu hedhim një sy fazave të ndryshme – janë tri faza që Kosova duhet t’i kalojë. E para është rekomandimi i Komitetit për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Mbledhja do të mbahet në fund të marsit. Për këtë, e dimë se janë përmbushur kushtet, sepse do të diskutohet raporti i raportueses [për Kosovën], Dora Bakoyannis. Edhe pse do të jetë një seancë e jashtëzakonshme, ajo do të zhvillohet në javën e festës [së Pashkëve] dhe sfidë do të jetë ardhja e njerëzve. Por, jam i bindur se – nëse ka mjaftueshëm njerëz – votimi do të jetë pozitiv.

Kjo, pastaj, do të kalojë në Asamblenë Parlamentare, në prill. Edhe atje, nëse Komiteti rekomandon se Kosova duhet të jetë anëtare – gjë që mendoj se do të ndodhë – atëherë edhe Asambleja Parlamentare do të rekomandojë që Kosova të jetë anëtare.

Vendimi [i Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit] u hap derën hapave të ardhshëm dhe, pastaj, çdo gjë do të varet nga qeveritë, në maj. Për këtë, ne dhe Kosova duhet të kërkojmë mbështetje.

E dimë se ka skepticizëm, por me rekomandime të fuqishme dhe me deklarata të fuqishme nga Asambleja Parlamentare dhe nga politikanë në të gjithë Evropën, se kushtet duhet të jenë të lidhura vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, e jo me gjëra të tjera, si për shembull dialogu me Serbinë, që nuk lidhet me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut… nëse kjo është linja që ndiqet nga shtetet anëtare, atëherë shpresoj të ketë edhe një votë pozitive në maj.

Nuk do të jetë e lehtë, do të duhet të ketë përpjekje për t’i bindur, por është një mundësi e madhe për Kosovën që t’iu shpjegojë qeverive në të gjithë Evropën se çfarë ka arritur kur bëhet fjalë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e pakicave, dhe çfarë planifikon të arrijë në javët dhe muajt e ardhshëm për të përmirësuar respektimin e të drejtave të njeriut.

Pra, mund të jetë një mundësi për një mesazh pozitiv dhe nëse funksionon dhe Kosova i bashkohet Këshillit të Evropës këtë vit, do të ishte një triumf për politikën e jashtme të Kosovës – ndoshta më i madhi që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Radio Evropa e Lirë: Por, në fundjavë ka pasur disa reagime – sidomos nga ligjvënës gjermanë – kundër deklaratave të të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se po sugjerohen edhe dy kushte të reja për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropë – Asociacioni dhe shpronësimet në veri…

Gerald Knaus: Është interesante, sepse nuk ishin vetëm gjermanët, reaguan edhe suedezët, austriakët e të tjerë. Por, në Gjermani ishin nga të gjitha partitë, nga Liberalët, të Gjelbrit, Demokristianët, Social-demokratët… Mesazhi nga të gjithë ata anëtarë ishte shumë i qartë: Kushtet nuk do të vendosen nga një vend që nuk është anëtar i Këshillit të Evropës. SHBA-ja nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ka dënimin me vdekje – nuk i plotëson kushtet.

Këshilli i Evropës është një institucion i pavarur, i ka tashmë 46 anëtarë, i ka standardet e qarta dhe parlamentarët nuk do të ndikohen nga kushtet që nuk janë të lidhura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parlamentarët e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kushtet që i ka përmendur Escobar, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk janë në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën?

Gerald Knaus: Ne e kemi parë raportin dhe kushti i Asociacionit përshkruhet si diçka e dëshirueshme. Kosova e ka pranuar se është diçka për të cilën po negocion me mirëbesim. Por, nuk mund të jetë parakusht për pranim [në Këshill të Evropës], sepse nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia. Dhe, Serbia e ka bërë shumë të qartë se nuk do që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

Të thuhet se ky është parakusht për Kosovën për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës – e ai varet nga marrëveshja me Serbinë, ndërsa Serbia do që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovën në Këshill të Evropës – i jep Serbisë veto. Kjo nuk funksionon kështu.

Të drejtat e pakicave janë kusht i Këshillit të Evropës, por mënyra se si garantohen të drejtat e pakicave, mekanizimi… dallon në të 46 shtetet anëtare. Nuk ka asnjë asociacion të ngjashëm si kërkesë në asnjë shtet tjetër anëtar. Pra, do të ishte e çuditshme, për të mos thënë e padrejtë, nëse ky vendoset si kusht. Nga bisedat e mia me shumë parlamentarë, kam përshtypjen se edhe ata e shohin kështu.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mund të dalin kushte të reja rrugës, deri në prill, deri në maj?

Gerald Knaus: E rëndësishme për Kosovën tani është që të tregojë se ajo është e vendosur që t’i përmirësojë edhe më të drejtat e njeriut. Këshilla ime për Qeverinë e Kosovës është që të mendojë se çfarë mund të bëjë kur bëhet fjalë për çështjet e mosdiskriminimit, barazisë gjinore, të drejtat e komunitetit LGBT, të drejtat e pakicave – qofshin romë apo serbë – sundimin e ligjit…

Për të gjitha këto, do të ishte mirë që Kosova ta bëjë të qartë se çfarë ka arritur deri më tash dhe çfarë synon të bëjë. Por, nuk duhet të ketë kushte të vendosura nga jashtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →