Pas përfundimit të mbledhjes me krerët e pushtetit vendor në Shkodër, kryeministri Edi Rama është pyetur nga mediat nëse ka pasur negociata me opozitën për normalizimin e jetës parlamentare.
Rama u shpreh se mazhoranca socialiste nuk ka kryer asnjë shkelje të të drejtave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, por refuzime për shkak se iniciativat kanë shkelur kornizën e mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij opozita apo opozitat kanë të drejtë të ngrenë një komision hetimor, por duhet të jetë brenda kornizës së mire përcaktuar nga vendimet e GJK.
Rama shtoi se çdo iniciativë e tillë ka miratimin tonë, nuk ka nevojë për bisedime.
A ka marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës për normalizimin e jetës parlamentare. Pjesëmarrja e 6 kryebashkiakëve të opozitës a është qasje e ndryshuar nga ju për bashkëpunimin me non-gratën?
Rama: Nuk arrij ta kuptoj nëse ata të cilët komentojnë marrëveshje për ngritjen e disa komisioneve hetimore bëjnë sikur nuk kuptojnë apo nuk kuptojnë sepse ne e kemi thënë shumë kohë më parë dhe është e njëjta gjë që përsëris. Ne nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. Ne kemi refuzuar të votojmë iniciativa që në emrin e komisioni hetimor shkelnin kornizën e mire përcaktuar nga vendimet e GJK.
E kemi thënë dhe e përsëris prapë, kjo nuk është çështje negociatash, por të drejtash. Opozita apo opozitat kanë të drejtë të ngrenë një komision, por duhet të jetë brenda kornizës së mire përcaktuar nga vendimet e GJK. Çdo iniciativë e tillë ka miratimin tonë, nuk ka nevojë për bisedime. Sa i përket reformës zgjedhore, është një praktikë që ka dalë nga konteksti kohës që jetojmë dhe ne si PS me mbarimin e afatit do t’ia lëmë në tryezë kuvendit dhe nëse do ketë të tjerë që do duan të lënë propozimet do t’i lënë. Nëse jo, do të bëjmë zgjedhje me ligjin ekzistues”, tha Rama.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co