Policia e Shtetit ka mohuar akuzat e demokratëve për dhunë ndaj nënkryetarit të Parlamentit dhe të Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj.
Në një reagim pas përfundimit të protestës, policia thotë se Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta.
“Policia e Shtetit përgënjeshtron si tërësisht të pavërtetë deklaratën në media të z. Sali Berisha, ku pretendoi se deputeti Agron Gjekmarkaj është goditur nga punonjësit e Policisë.
Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta” thuhet ne reagimin e policisë.
Po ashtu, policia ka dënuar dhunën që sipas tyre Flamur Noka ka ushtruar ndaj punonjësve të policisë, duke mos iu bindur urdhrit për të liruar rrugën.
“Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në reagim.
Po ashtu, Policia e Tiranës thotë se ka evidentuar të gjithë ata shtetas që bllokuan në mënyrë antiligjore rrugën dhe kundërshtuan urdhrin e punonjësve të Policisë për ta liruar atë dhe do të procedohen sipas ligjit.
“Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve”, tha Polica.