A zgjidhet çështja me një “of” të “TikTok”-ut?!

a zgjidhet ceshtja me nje of te tiktok ut








































NGA PROF.DR. ELMAS LECI 

Dekani Elmaz Leci
Dekani Elmaz Leci

Tek po kaloja në mëngjes anës Lanës në kryeqytet, më tërhoqi vëmendjen veprimi i dy-tre punonjësve të dekorit, që në ato stendat e mëdha anës rrugëve po ndërronin reklamat. Në vend të asaj të mëparshmes, që më duket se ishin për ca prodhime në prag Krishtlindjesh, vendosnin po tra e ca me 1.5, reklamën e 5G.

“Ou, thashë?! Ne këtë e anatemuam para 5-6 vjetësh”. Menjëherë mu kujtua intimidimi amerikan që i u bë edhe nga ne për valët e dëmshme në mos edhe të ndaluara të 5G. Veçse ahere 5G-ja nuk u ndalua me vendim madhor si “TikTok”-u i sotëm, por veçse u luftua e anatemua dhe qe shpallur deri e jashtë përdorimëshme. Dhe siç bënim ne, e kishim marrë nga kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në rastin konkret ne imitonim apo vepronim si ata, në daç thuaj me regji në daç thuaj për inerci e për servilizëm. Për akuzën se 5G-ja po grabiste të dhënat personale, thuhej se ne ndanim të njëjtin shqetësim me amerikanet. Këtë e kemi thënë edhe në organizmat ndërkombëtare. Për të qenë i paanshëm po citoj TV “OraNews” të datës 5 nëntor 2019. “Shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrezikun që mbart ndërtimi i rrjetit 5G nga kompania kineze ‘Huawei’, është mbështetur edhe nga maxhoranca”,- thuhet në komentimin e televizionit “OraNews”.

“Për këtë, duke folur në takimin vjetor të Komisioneve Parlamentare të Sigurisë së Europës Juglindore, Taulant Balla e vuri theksin, – transmetonte televizioni, – te rreziku që mbart keqpërdorimi i 5Gs me të dhënat personale”, ndaj theksoi ai se “për shtrirjen e rrjetit 5G dua t’i bashkohem shqetësimit, por edhe apelit të SHBA që të gjitha vendet tona duhet të jenë të kujdesshme në përzgjedhjen e kompanive, të cilat ndërtojnë rrjetet 5G”, etj., etj.. Mirëpo situatat ndryshuan se e ndryshuan ata vetë përtej oqeanit, i detyruan apo u detyruan, këtë nuk di ta them. Dhe ne o burra! Po tani? Jo vetëm ata, por edhe ne e kemi përqafuar 5G-në e po i vëmë edhe reklamat sa një pallat. Ne, që bënim dikur ashtu, si kundër (edhe këtë nuk di ta them, nga malli apo nga halli) di të them që 5G konsiderohej në mos armiqësore aty drejti, gjë e anatemuar që quhej e ndaluar. Dhe hapin, ne e kishim deri te 4G-ja. Mirëpo teknologjia digjitale e artificiale nuk të fal, por ajo çan përpara.

Aty është rivaliteti mes shteteve super të zhvilluara dhe skena udhëheqëse ndërkombëtare, nuk mbahet me zor, por me shpikje zhvillimore. U përpoq aq kohë Amerika e madhe dhe e fuqishme, superfuqia botërore, t’ia ndalonte Kinës 5G, por nuk i shkoi. Dha e mori ajo, me masa e diplomaci, por e çau tregun vetë, rivaliteti kinoamerikan. A bëjmë pak pyetjen e thjeshtë: Përse Presidenti Tramp mban në krahun e djathtë Elon Musk?! Mendja më thotë se e mban për të ardhmen shkencore, që pa diskutim do të jetë e ardhmja e Amerikës, por edhe e të tjerëve në rivalitet e konkurrencë. Ne e ndalojmë me vendim ekzekutivi “TikToku”-n se “është me origjinë kineze” (e vërteta është më ndryshe se ‘TikTok’-u ka avancuar në mbështetjen e opozitës, që nuk ka lidhje me favorizim, por me fjalën e lirë) dhe jo vetëm kaq, por që ky operator me origjinë aziatike na është bërë edhe “rrugaçi i lagjes”. Ahere punë e kollajtë ka thënë tironci Daj Sula: “Dalim e i fusim një shpullë dhe rrugaçi heq dorë nga prapësia. Kaq e thjeshtë është për rrugaçin”?! Po për fenomenin tonë që na shqetëson, kriminaliteti deri në gjene e deri në gjenezë, madje deri te fëmijët e adoleshentët, a zgjidhet kaq thjeshtë, duke i kthyer çelësin “of” Tik Tokut?! Për aq sa e njoh unë pedagogjinë, nuk mendoj kështu. Çështja më tepër është shoqërore e zgjidhet me masa shoqërore, kryesisht me nivel jetese nga vjen edhe ajo kulturore e etike.

Tik-u “i prapë” kinez për ne në qeverisje, platformë që sot ka pushtuar botën, është pjesë e revolucionit tekniko-shkencor dhe revolucionet nuk tuten me “shpulla”, por është e kundërta, ato të japin shpulla e madje, të nxjerrin fare nga skena. A mund të ndalet revolucioni teknikoshkencor me urdhra se “po na ‘prish’ rininë”?! E pakonceptueshme për kohën moderne. Enveri e bëri me repertitorë, por dihet si përfundoi regjimi që mohonte edhe lirinë e fjalës së lirë. Edhe mund të ndodhë që të stopohet përkohësisht një gjë, psh., tregu i prodhimit të makinave me karburant aktualisht është përballë e dhëmb për dhëmb me zhvillim marramendës të atyre elektronike sot, apo me hidrogjen nesër, por nuk mund ta pengohet prosperiteti. Mund të ndodhë edhe si në Anglinë e dikurshme kur nisi prodhimi i parë i makinerive me avull dhe punëtorët u ngritën kundra tyre, madje edhe i shkatërruan. Mirëpo kjo ishte një çast se revolucioni tekniko- shkencor eci përpara e fitoi. Siç ka thënë që herët populli ynë, e mira dhe e drejta nuk ndalohet, ndaj shoqëria përmes rivalitetit ka ecur e shkon përpara.

Dhe “TikTok”-u është platformë e re e komunikimit njerëzor, sepse dihet që njeriu është i etur për njohuri e komunikim dhe pikërisht kjo e ka çuar përpara. Të kesh frikë se ‘TikTok’-u po prish njeriun, është njëlloj si të hedhësh për konsum ato lloj teorish të mbrapshta, që lëvizin nëpër eter e anatemojnë konceptet e ardhshme të zhvillimit teknologjiko-informatik, duke ngritur tezën e frikës se “mos makinat ngrihen e sulmojnë njerëzit”. Tamam film fantastiko shkencor i synuar për komercializëm. Asgjë nuk ka e nuk do ekzistojë mbi njeriun, sepse vetë njeriu është “shpirti” i shkencës, që me mençurinë e tij e në euripsion programon gjithçka, ndërsa pa program, teknologjia sado e supersofistikuar që të jetë, nuk del vetvetiu mbi “krijuesin” që është njeriu, siç nuk mund të dalë as njeriu mbi krijuesin e tij e të gjithësisë universale, Zotin.

*Drejtor ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →