Bota

Aeroporti i Vlorës, shpëtimtar i turizmit në Jug

aeroporti i vlores shpetimtar i turizmit ne jug





































NGA FATOS ÇOÇOLI fatoscocoli

Për shkak të çmimeve të rritura ndjeshëm në Jug, që nga çmimi i shezloneve e deri tek ai i pjatave që serviren për drekë e darkë, shumë prej nesh janë pesimistë dhe parashikojnë se turizmi në Rivierën shqiptare do të vijojë të shtrenjtohet. Kjo mund të ndodhë me destinacionet e luksit, por për qytetet, fshatrat, hotelet dhe shtëpitë në Jug që pranojnë turizmin masiv, do të ndodhë e kundërta. Po si kështu?! Gjithkush prej nesh mund ta bëjë këtë pyetje. Duket e vështirë ta besosh se do të ulen çmimet, pasi në turizëm këto tri dekada, Shqipëria e ka pasur shkallën e çmimeve nga Veriu në Jug me rritje. Arsyeja kryesore e çmimeve është se Jugu ka shumë më pak sipërfaqe bregdeti dhe mjedise pushimi se Durrësi apo Shëngjini. Arsyeja tjetër qëndron në atë që Jugu është më i vështirë për t’u arritur se Durrësi apo Shëngjini, megjithëse veprat e mëdha infrastrukturore, si tuneli i Llogarasë apo autostrada e kategorisë “A” të BE-së ThumanëKashar, e kanë afruar shumë. Jugu është në moment të vështirë sot. Pronarët e hoteleve në Gjirokastër thonë se në qershor vunë para nga të tyret për të mbajtur hotelet hapur. Korriku ishte 40 për qind më pak se korriku 2023, në nivel të klientëve të hoteleve të tyre, të huaj apo vendës.

Gjirokastritët nuk i kishin ngritur çmimet këtë vit. Edhe pse kishin më pak klientë. Por gjëmën ua kishin bërë Saranda dhe Ksamili, pasi shumicën e klientëve i marrin nga vizitorët në Sarandë dhe Ksamil. Rrinin me shpresë që gushti do të ishte mirë. Dhe gushti është mirë, shyqyr Zotit! Me këtë shpresë në fund të korrikut rrinin edhe pronarët e hoteleve dhe restoranteve në Gjirokastër. Jugu rrezikon të kthehet sërish me një sezon turizmi të fortë vetëm një muaj e pak: 10 korrik-20 gusht. Agjencitë e makinave me qira të thonë se përtej 20 gushtit nuk kanë prenotime nga vizitorë të huaj apo vendës, ndërkohë që në shtator 2023 puna e tyre vlonte. Ne presim vizitorë të huaj, shumica e të cilëve mëngjesin e hanë te byrektoret e lagjeve të qyteteve tona. Duhet të tregohemi të kujdesshëm me çmimet, pasi kemi fituar emër si vend turistik me çmime të ulura. Duhet ta ruajmë fort këtë emër. Ndryshe, lamtumirë turistë të huaj në rritje të fortë çdo vit. Ndërkohë, Jugu e ka një shpëtimtar.

Po kë? Ai është Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Operatorët turistikë me eksperiencë gjykojnë se çmimet, sidomos në Rivierën e Jugut, do të fillojnë të ulen apo të barazohen brenda pak viteve me Shqipërinë e Mesme apo të Veriut, sapo të fillojë nga funksionimi aeroporti i Vlorës. Janë tri arsye kokëforta, që operatorët turistikë ata mendojnë se do të ndodhë kështu. Së pari, operatorët turistikë shprehen se ky aeroport do e sjellë turizmin e Jugut më afër me turistët e huaj. Prenotimet e tyre do të fillojnë që nga muajt mars e prill për të mbaruar në tetor. Më shumë turistë nuk do të thotë çmime më të kripura, përkundrazi.

Së dyti, rrugët më të përshtatshme do të shtyjnë gjithnjë e më shumë emigrantë shqiptarë të planifikojnë pushimet e tyre në atdhe në Jug. Së treti, një pjesë e mirë e emigrantëve tashmë kanë blerë apartamente në Vlorë, por edhe në të gjithë bregdetin e Rivierës, deri në Ksamil. Në dhjetor të këtij viti, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës përfundon fizikisht së ndërtuari. Që tani është konfiguruar qartë pista e tij, më e gjatë se ajo e aeroportit të Rinasit, e cila do të ketë edhe një pistë paralele, për të kontrolluar përpunimin e avionëve. Ka filluar certifikimi ndërkombëtar i stafit, ndërkohë që aeroporti pritet të nisë fluturimet në muajt mars ose prill të vitit 2025. Me një sipërfaqe prej 309 hektarë dhe një investim prej 104 milionë euro, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan. Kjo kategori mund të përpunojë edhe avionë transatlantikë.

Nga SHBA-të mund të vijnë vizitorë për pushime në Shqipëri drejt e nga ky aeroport. Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e gjatë 3.2 km me gjerësi 60 metra. Terminali i pritjes dhe përpunimit të pasagjerëve do të ketë një hapësirë 20 mijë metër katrorë, e mjaftueshme për të përpunuar edhe 3 milionë pasagjerë në vit. Eksperienca e ndërtimit të aeroporteve të rinj kërkon 3 faktorë kryesorë në ndërtimin e një aeroporti. Ato janë transporti i zhvilluar, tregtia dhe turizmi. Me veprat e reja infrastrukturore, Jugu i vendit ka sot një kurorë rrugësh më të zhvilluar dhe shumë premtuese. Edhe pse tregtia me Greqinë nuk është e zhvilluar sa duhet në Jug, sërish ajo është një faktor ndihmues. Faktori përcaktues është zhvillimi i turizmit te ne.

Turistët e huaj që do të duan Rivierën dhe në tërësi Jugun e Shqipërisë për të vizituar, me aeroportin e Vlorës kanë portën e duhur për të hyrë dhe kaluar në destinacionet që duan. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është praktikisht më i gjati në Ballkan. Futja në veprim e tij në mars apo prill 2025 do t’i japë oksigjen të plotë turizmit në Jug të vendit. Aeroporti pritet ta rrisë ekonominë rajonale të Vlorës me mbi 11 për qind çdo vit, ndërsa ekonominë e Shqipërisë me mbi 0.4 për qind. Ai do të nxisë ndërtimin e hoteleve të reja përgjatë gjithë rrugës nga aeroporti deri në Vlorë. Kjo duhet shpallur zonë e lirë ekonomike dhe çdo strukturë biznesi në këtë zonë duhet të ketë taksat zero për 5-8 vitet e para të aktivitetit.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts