Kryetari i partisë së re në vend “Mundësia” dhe njëherazi deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Shehaj ka zbuluar për gazetarin Endri Xhafo në emisionin “Log.” qëllimet dhe pritshmërinë e kësaj force politike.
Ai theksoi se e djathta shqiptare nuk është pakicë, por përballë një shoqërie të kapur dhe të trembur nga politika aktuale. “Ne synojmë të ofrojmë një qeveri të pakorruptuar,” deklaroi Shehaj duke shpalosur ambicien e partisë së tij.
Shehaj kritikoi qeverinë aktuale, duke e akuzuar për kontrollin mbi administratën dhe lidhjet e ngushta me oligarkinë, të cilat e favorizojnë atë në fushata zgjedhore. Ai e konsideroi situatën aktuale si të pashpresë për shumë shqiptarë, të cilët ndjehen të detyruar të mbështeten në politikë për të krijuar bizneset e tyre. “Pjesa më e madhe e popullsisë mendon se zgjedhjet janë kthyer në formalitet,” theksoi ai.
Sipas Shehajt, ndryshimi i vërtetë kërkon besim dhe angazhim afatgjatë.
“Kundër kësaj qeverie fitohet me besim. Në momentin që do i bindim qytetarët që jemi të besueshëm për një qeveri të pakorruptuar njerëzit do vijnë nga pas. Është një projekt afatgjat. Nëse situata është shumë e rëndë zgjidhja nuk mund të vijë nga dita në ditë. Rasti më i keq për ne do të jetë se do të duhet shumë më shumë punë”, tha ai.
Shehaj u shpreh se edhe pse “Mundësia” synon të vijë në pushtet, ai është i vetëdijshëm se kjo do të kërkojë punë dhe shumë kohë.
Ai theksoi se në zgjedhjet e vitit të ardhshëm “Mundësia” synon minimalisht krijimin e një grupi parlamentar në Kuvend.
“Do të isha qesharak nëse do të thosha se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë. Ne kemi synim të vijmë në pushtet, por jemi të vetëdijshëm se kjo do punë dhe kohë. Kemi një qëllim shumë ambicioz në zgjedhjet e ardhshme dhe sipas analizave tona, jemi sot që flasim partia e dytë opozitare pas PD dhe synojmë minimalisht të krijojmë një grup parlamentar”, tha ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co