Një gjykatë turke ka dënuar me burg prej gati 250 vitesh në total 37 persona të dënuar për spiunazh për Mossad, shërbimin e jashtëm të inteligjencës izraelite.
Dënimet vijnë pasi Turqia thotë se po shtrëngon agjentët e Mossad-it në vend mes një krisjeje në marrëdhëniet e saj me Izraelin, të shkaktuar nga pikëpamjet e kundërta për luftën në Gaza.
Ahmet Koray Ozgurun dhe Alperen Erkut u dënuan këtë javë secili me nga tetë vjet e një muaj për “marrje informacioni të ndaluar me qëllim spiunazhi”, sipas një liste akuzash nga Gjykata e Lartë Penale e Stambollit.
35 të tjerë u dënuan me gjashtë vjet e tetë muaj burg për të njëjtën akuzë, thuhej në dokument.
Megjithatë nuk u dhanë detaje të informacionit që ata kishin siguruar, apo ku dhe kur.
Të 35 të pandehurve që nuk ishin në paraburgim u është shqiptuar ndalimi i udhëtimit dhe kanë të drejtë ankese. Avokati i tyre tha se nuk kishte prova konkrete kundër klientëve të tij, raportoi kanali turk i lajmeve Haberturk. 19 të pandehur të tjerë u liruan dhe kanë të drejtë të ngrenë padi për kompensim, thuhet në aktakuzën e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit.
Muajin e kaluar, Turqia pretendoi se kishte arrestuar financierin kryesor të Mossad në vend. Liridon Rexhepi, një shtetas nga Kosova, i cili hyri në Turqi më 25 gusht dhe u arrestua pesë ditë më vonë në Stamboll nga një njësi kundër terrorizmit, pas punës së shërbimit të inteligjencës turke MIT.
Në atë kohë, një burim turk i sigurisë konfirmoi për The National se Rexhepi ishte akuzuar për “spiunazh kundër shtetit”, pasi autoritetet arritën në përfundimin se ai u transferonte para agjentëve në terren të Mossad në Turqi, të cilët po operonin me drone, duke kryer “operacione psikologjike” kundër politikanëve palestinezë dhe përpilim të informacionit për Sirinë për Izraelin. Ai pranoi se ka kryer transferta parash në një deklaratë në polici, shtoi një nga burimet.
Turqia ka kryer operacione të mëparshme për të arrestuar operativë të dyshuar nga Mossad dhe shërbimet e inteligjencës të vendeve të tjera. Në janar, forcat e policisë dhe inteligjencës turke bastisën 57 vende në tetë provinca, duke kapur 33 persona të dyshuar se punonin për Mossad.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co