Akuzohet se organizoi sulmin brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Gjykata e Apelit merr vendimin për Dritan Nanon

akuzohet se organizoi sulmin brutal ndaj avokatit sokol mengjesi gjykata e apelit merr vendimin per dritan nanon

































Gjykata e Apelit ka lënë në qeli Dritan Nanon, i cili akuzohet se organizoi sulmin brutal ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ngjarje e ndodhur më 29 Maj rreth orës 08:34 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

sokol mengjesi dritan nano

Dritan Nano ka ankimuar vendimin e Gjykatë së Tiranës, e cila caktoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij, por Apeli e ka lënë në fuqi.

“Në përfundim të gjykimit, sot më datë 19.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj.  Valbona Vata, vendosi:

-Miratimin e vendimit me nr. 1433 regj.them, datë 01.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Dritan Nano u arrestua nga policia ditën e ngjarjes (më 29 Maj), por ka mohuar të jetë ai porositësi i dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, i cili doli nga koma pas gati dy javësh në një spital privat në Athinë ku u dërgua për mjekim më të specializuar.

“Nuk e organizova unë sulmin ndaj avokatit. Nuk kam lidhje me ngjarjen”, ka dëshmuar para hetuesve Dritan Nano, i cili është një nga 8 trashëgimtarët e një prone, për të cilin me avokatin Mëngjesi kishte lidhur një kontratë.

Dritan Nano është vjehrri i Dorian Alisë, të riut i cili u dorëzua disa orë pas dhunimi të avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk e menduam që situata do të rëndohej kaq dhe avokati do të merrte kaq dëme të rënda”, deklaroi ai.

Sokol Mëngjesi u godit me grushte, shqelma e sende të forta nga Dorian Alia, Drivald Alia dhe Elton Kasaj. Këta dy të fundit, së bashku me Romario Tabakun, i cili i ndihmoi të largoheshin me makinë nga vendngjarja, janë ende në kërkim nga policia.

Njoftimi i gjykatës:

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Referuar materialeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, rezulton se në datë 29.05.2024, rreth orës  08:34, në rrugën “Pjetër Bogdani”, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, shtetasi me iniciale D. A, në bashkëpunim me shtetasit D. A etj, në lidhje familjare midis tyre, kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mengjesi, me profesion avokat.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin si të ligjshëm të arrestimin në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale D. N dhe D. A, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 88/1, 25 dhe 316, 25 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1433 Regj. Them, datë 01.06.2024, ka vendosur:

  1. Pranimin e kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
  2. Të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim D. N.
  3. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim D. N, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale.
  4. Të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim D. A.
  5. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim D. A, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 të K.Pr. Penale
  6. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale D. N, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit vlerësimin e paligjshëm të arrestimit, në lidhje me caktimin masës së sigurimi personal nga “arrest në burg” në një masë sigurimi më të lehtë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 19.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj.  Valbona Vata, vendosi:

Miratimin e vendimit me nr. 1433 regj.them, datë 01.06.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →