Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë se përdorë propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme që sipas tij, kanë synim që ta dëmtojnë Kosovën.
Në konferencën e shtatë të ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti u kërkoi ambasadorëve të Kosovës që të jenë aktivë dhe proaktivë në luftimin e propagandës serbe, që sipas tij, mbështetet hapur nga Rusia.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën, dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativësh të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe tentojnë të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, në betejën e narrativëve të rremë shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armët kyçe.
“Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën tonë”, tha ai.
Kurti, por edhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të Kosovës edhe në të kaluarën kanë fajësuar Serbinë dhe Rusinë se përhapin dezinformata kundër Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar po ashtu për një rrezik që mund t’i kanoset vendit nga Serbia. Por, sa herë që kanë folur për kërcënime të tilla ata kanë përmendur Rusinë, që sipas tyre, është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – dhe të rajonit.
Kurti në të kaluarën ka thënë se Serbia dhe Rusia duan zgjerim, ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar Beogradin si “dorë të zgjatur të Moskës” dhe po tenton “të luajë lojërat” e Rusisë për të hapur një front të ri ndaj Perëndimit.
Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka raporte të mira me Rusinë dhe Beogradi refuzon thirrjet ndërkombëtare që t’iu bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian për shkak të luftës së Moskës kundër Ukrainës.Rusia, ndërkaq, e ka justifikuar ndërhyrjen e saj në Ukrainë me situatën në Kosovë. Rusia ka njohur dy rajone lindore ukrainase si shtete të pavarura dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë përderisa Kosova ka shpallur pavarësinë, pse edhe këto rajone nuk munden. Por, Kurti i ka cilësuar këto krahasime si injorancë./REL
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co