Bota Kosova

Ambasadori amerikan në Prishtinë: Presim nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe urgjentisht detyrimet

ambasadori amerikan ne prishtine presim nga kosova dhe serbia ti zbatojne pa parakushte dhe urgjentisht detyrimet



































Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova dhe nga Serbia t’i zbatojnë pa parakushte dhe me urgjencë të gjitha detyrimet e tyre nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

hovenier

“Ne presim nga Kosova dhe nga Serbia që t’i përmbushin të gjitha detyrimet që i kanë pranuar në dialog, përfshirë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Ohrit dhe ta bëjnë këtë me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur ato me çështje të jashtme”, tha Hovenier në një intervistë për Rubikon në Klan Kosova, që u transmetua të mërkurën mbrëma.

Kosova dhe Serbia e arritën Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por ajo nuk ka gjetur zbatim nga asnjë palë deri tani.

Takimi i kësaj jave mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes, nuk solli rezultat. Kosova e akuzoi palën serbe se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa Serbia e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pjesë e akordit.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bruksel për dialogun i vuri tri kushte për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.

Vuciq nuk i pranoi kushtet e tij dhe takimi dështoi.

I pyetur për këtë, Hovenier tha se Marrëveshja Bazë është “plotësisht zyrtare” pavarësisht se nuk është nënshkruar nga palët. BE-ja ka thënë gjithashtu se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.

“Kjo është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për të dyja vendet. Ky është qëndrimi ynë. Kështu e trajtojmë ne. Dhe ne presim nga të dyja vendet ta zbatojnë atë”, theksoi Hovenier.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011.

“Mendoj se ka disa njerëz në Kosovë që brengosen kur ne themi ‘normalizimi i marrëdhënieve’, kjo nuk është diçka që kërkohet përfundimisht. Sepse, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i qartë në mënyrë dypartiake. Shtetet e Bashkuara besojnë se rezultati përfundimtar i këtij procesi mund të jetë vetëm njohja e ndërsjellë”, shtoi ai./rel

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts