PRISHTINË – Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicolas Abbot, është në fund të mandatit të tij. Përmes një video-mesazhi, në këtë fund-mandat, ai ka përshëndetur popullin e Kosovës, duke kujtuar momentet e bukura, por edhe sfidat gjatë mandatit. Abbot ka zgjedhur fjalët më të mira, për vendin dhe popullin e Kosovës. Ai tha se Kosova është një vend i veçantë, që meriton të ketë sukses.
“Ka qenë një eksperiencë e veçantë. Mirëpritja e ngrohtë e popullit këtu ka bërë që puna dhe jetesa të jetë ndryshe nga çdo gjë tjetër që kam bërë ndonjëherë. Ndërkohë që ka pasur sfida në katër vjet e gjysmë të fundit, përfshirë COVID-in”, tha ai.
Diplomati britanik tha më tej se marrëdhënia e ngushtë dhe e fortë mes dy shteteve dëshmon se do të mbeten partnerë dhe aleatë të pandarë. “Mburrem me trajnimin që ua ofruam FSK-së, dhe fokusi ynë do të jetë i vazhdueshëm për mbështetjen e familjeve që janë ende në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të rezultojnë ende të zhdukur”, u shpreh Abbott. Ai pati një porosi edhe për udhëheqësit e Kosovës. Sipas tij, qeveria e Kosovës duhet që të mbështesë qytetarët e saj dhe duhet që të funksionojë si vend demokratik.
“Unë nuk kam recetë të lehtë për zgjidhje, por u bëj thirrje atyre që udhëheqin Kosovën të krijojnë një vizion të një vendi modern demokratik, i cili mbështet, inkurajon dhe mbron qytetarët e tij të të gjitha komuniteteve pa dallim”, deklaroi ambasadori britanik Nicholas Abbott./Balkanweb/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co