Analiza/ Besnik Gjongecaj: Konceptet komplekse të lidhjeve midis fushave të ndryshme të dijes

analiza besnik gjongecaj konceptet komplekse te lidhjeve midis fushave te ndryshme te dijes





































Besnik GjongecajBESNIK GJONGECAJ

PJESA E DYTË * * *

Vijon nga numri i kaluar

Të pranosh universalizimin e universitetit konkretisht, do të thotë të institucionalizosh brenda tij edhe fusha të tjera të dijes, veçanërisht ato të shkencave të natyrës, gjuhët e huaja, shkencën e të drejtës, shkencat që lidhen me njohjen e shoqërisë, sigurisht edhe matematikën, posaçërisht atë statistikore, duke i vënë ato në themel të zgjidhjes së problemeve të mjedisit dhe bujqësisë, por, dhe kjo është shumë e rëndësishme, duke i shndërruar edhe në prodhues diplomash si entitete akademike të pavarura. Pra, për të qenë më i thjeshtë me lexuesin: që të universializohet, universiteti duhet të themelojë (formojë) njësi strukturore si departamente (në nivel universitar dhe si fazë kalimtare) dhe fakultete në fushat e mësipërme të dijes, por edhe në të tjera të mundshme. Sigurisht, pa harruar riorganizimin e atyre ekzistuese. UBT e nisi menjëherë këtë proces që në vitin 1992, e vazhdoi me një sukses spektakolar deri në vitin 1996, dhe ishte shumë pranë finalizimit të tij kur u shkërmoq nga barbarët e vitit 1997, por edhe nga pasuesit e tyre brenda këtij universiteti.

Gjithsesi, thelbësore është se yesman-i i kryeministrit në UBT nuk mund ta pranojë kurrë universalizimin, të paktën për shkak të së shkuarës së tij. Arsimimi i tij i mesëm nuk është i përgjithshëm, çka e ka penguar rëndshëm për të krijuar si pjesë të personalitetit të tij edhe rrënjët e dijes universale, intelektualizmin, konceptet komplekse të lidhjeve midis fushave të ndryshme të dijes. Pragmatizmi i një arsimimi të mesëm me profil bujqësor, shtoi edhe atë të lartin që trashëguam nga ishLindja, prandaj, ka bërë të kundërtën te ai. Ka brumosur një njeri që nuk do ta kuptonte kurrë dijen pa pragmatizëm, megjithëse marrëdhënia midis tyre është një marrëdhënie pothuajse armiqësore. Një marrëdhënie që të lë, në rastin më të mirë, me dije copë-copë, “të kafshuara qenërisht” nga pragmatizmi. Të bën një mësues të thjeshtë apo një specialist të mirë në një drejtim të caktuar të praktikës bujqësore, por në asnjë rast një universitar me standard dhe aq më zi, autoritet të denjë të një universiteti. Përjashtuar këtu vetëm individë me përpjekje gati të mbinatyrshme për avancimin e tyre personal. Ja pse, për shkaqe gati objektive, yesman-in e kryeministrit e “zë”, tamam si rakia, të folurit për shkencat e natyrës apo shkenca të tjera jashtë bujqësore, dhe jo më të punojë përditë për institucionalizimin dhe vendosjen e tyre në themel të universitetit!

Në një pikvështrim tjetër, vërtet thelbësor, të pranosh universalizimin e UBT do të thotë ta futësh atë në tregun e dijes dhe në tregun e rekrutimit të studentëve, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar (në nivel rajonal të paktën). Ose, çka është e njëjta gjë, ta përfshish në konkurrencë. Sot, ky treg nuk ekziston për UBT, as konkurrenca si pasojë e mungesës së tregut. UBT është jashtë tregut të dijes dhe studentëve. Në të dy nivelet: në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar. Sepse universiteti është bujqësor, s’ka me kë konkurron. Ja pse UBT nuk ka motorr zhvillimi brenda tij, dhe si i tillë, ai i ngjan një barrake ku asgjë nuk lëviz. Ja pse autoritetet e këtij universiteti katër vjet bëjnë kokrrën e qejfit, në të gjitha kuptimet. Mendjen e vrasin për çështje jashtë universitare. Me universitetin lidhen vetëm e vetëm si të mbledhin vota dhe si të bëjnë zgjedhje pa kundërshtarë. Madje, meqenëse yesman i kryeministrit është njeri i instinkteve dhe jo i arsyetimeve logjike, ai ka arritur të kuptojë ekzaktësisht atë që i duhet: nëse UBT del në treg, atje ku marrin pjesë edhe universitete të tjera të universializuara dhe përfshihet në konkurrencë me to, do t’i grisej menjëherë maska nën të cilën ai fsheh me kujdes prej vitesh mjerimin e tij intelektual.

Universializimi dizenjon konkurrencën e jashtme të një universiteti, gjithsesi. Por, një universitet ka nevojë edhe për konkurrencë të brendshme, e cila mund të lindë natyrshëm vetëm nëqoftëse sendërtohen të paktën tri parime esenciale: shpërndarja e pushtetit (përgjegjësisë) brenda universitetit bëhet sipas rëndësisë më të vogël, ose “subsidiarity principle”; problemi zgjidhet atje ku lind; modeli i financimit duhet të bazohet mbi “output-in” dhe jo “input-in”, për çfarëdo njësi akademike apo institucioni nën diskutim. Yesman i kryeministrit, përfshi edhe këtë të fundit, bashkë “me kuç e me maç”, nuk do të pranonin kurrë që këto parime të sendërtoheshin në një universitet të veçantë apo në krejt sistemin e arsimit të lartë të vendit. Madje, pasi t’i njihnin se ç’janë, (sepse janë të gjitha gjasat që jo vetëm interesin, por as idenë nuk e kanë për to), do t’i shpallnin si përpjekje të Doktorit për t’ju marrë pushtetin!? Me siguri.

(Ndërsa lexuesit të thjeshtë, do t’i lutesha të kërkonte kuptimin e këtyre termave në google duke vendosur emrin tim përkrah).

Tashmë është koha dhe vendi i duhur të zbulohet pse fshirja e së shkuarës nga njerëzit që kanë kapur karriget në UBT, veçanërisht nga yesman i kryeministrit, ka, përveçse një shpjegim individual, i komentuar tashmë shkurtimisht, edhe një shpjegim konspirativ, i cili mbështetet mbi një platformë të pashpallur të politikës, një platformë okulte, në të cilën UBT është përfshirë kokë e këmbë. Fillojmë nga politika, kryeministri i vendit. Është shumë përvëluese që politika e një vendi të vogël me mbijetesën si problemin më të madh në krejt historinë e tij, të aplikojë metoda me thelb zhbërës për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Është pothuajse e konfirmuar tashmë që, për të siguruar pushtetin, partia e kryeministrit i ka relativizuar të gjithë elementët e një procesi zgjedhor. Kështu, kanë humbur rëndësinë e dikurshme takimet e mëdha apo të vogla me pasuesit, rekrutimet e njerëzve të dobët dhe atyre në hall, futja në punë e varfanjakëve në momentet para zgjedhore, paraja nën dorë apo thesi i miellit mbi kurriz. Madje edhe tufat e fletëve të votimit që futen në kuti si papandehur, tashmë nuk është e nevojshme të jenë aq të mëdha. Edhe shumë e shumë pisllëqe të tjera janë relativizuar, sepse është ngritur si një kërpudhë gjigante një pisllëk mbi të gjitha pisllëqet, një bash pisllëk, që ka zënë krejt qiellin e politikës në këtë vend. Ka kohë që, për të rrëmbyer dhe mbajtur pushtetin, autokracia e këtij vendi ka bërë të kundërtën e asaj që autokracitë bëjnë: nuk i ka mbyllur qytetarët e saj brenda telave me gjemba, përkundrazi, i ka shtyrë me çfarë ka mundur për t’i nxjerrë jashtë kufijve të vendit. Ajo që ndodh sot në Shqipëri është edhe më mizore se kaq. Sepse nuk është thjesht dëbim. Është një dëbim i orientuar, selektiv, megjithëse nga larg apo në pamje të parë duket si një proces spontan. Ja pse ky dëbim kualifikohet si spastrim, jo etnik, por njësoj çnjerëzor si ai. Sepse mund të vërtetohet lehtësisht që është një proces i rregulluar si me dorë. Le të ndjekim disa sekuenca logjike. Shumica e shqiptarëve ikin nga Shqipëria se munden, çka do të thotë që kanë krijuar diçka me djersë brenda vendit, por detyrohen ta shesin dhe të ikin. Për ta krijuar atë që shesin kur ikin, përmes një punë private apo edhe nëpërmjet një punësimi publik, ata do të duhet të kenë qenë dikushi, pra edhe intelektualisht. Por përsëri, edhe pse është kështu, pra edhe pse ata përbëjnë një shtresë shoqërore me interes për vendin dhe progresive, diçka e fortë si çomange bariu pas kokës i detyron ta lenë vendin. Së fundi, dhe kjo i vë kapak gjërave, ikin sepse nuk e durojnë dot skëterrën e padrejtësive në errësirën qeverisëse të vendit. Sepse, në fund të fundit, iu mbeten dy rrugë për të ndjekur: ose të adoptohen në këtë shoqëri të padrejtë, çka do të thotë që për të mbijetuar të metamorfizohen tragjikisht në horra, si horrat rreth e qark, ose të largohen nga atdheu pa e kthyer kokën pas. Ja pse, statistikisht, trendi është ky: qytetarët largohen pa e kthyer kokën, ndërsa horrat rehatohen si në shtëpinë e tyre. Në mes mbeten si gjithmonë të pamundurit, të pambrojturit, njerëzit pa zgjidhje, që i janë dorëzuar jetës. Por edhe populli opozitar, edhe njerëzit patriotë dhe nobel të këtij vendi. Është jashtë çdo dyshimi që largimi i qytetarëve nga vendi ka pakësuar shanset e opozitës, ashtu sikundër shtimi relativ i horrave në vend ka shtuar shanset e qeverisë. E gjitha kjo është shndërruar në një faktor më vete në zgjedhjet politike të vendit. Në një faktor domethënës, madje aq sa relativizon edhe shumë faktorë të tjerë. Që të fitojë zgjedhjet, qeverisja e vendit ka ndryshuar artificialisht strukturën e popullsisë, duke i nxjerrë grupet shoqërore jashtë raporteve natyrorë të krijuar në harkun e një kohe të gjatë, mjaftueshmërisht për t’u quajtur historike. Ja pse, ajo që po ndodh është spastrim. Një spastrim barbar, si të gjitha spastrimet. Një spastrim politik.

A ka ndodhur kështu në UBT? Edhe më zi, nëse do të përgjigjesha shkurt. Kam kaluar pothuajse krejt jetën në këtë universitet, megjithëse hyrja në të ishte një zgjedhje e detyruar. Universiteti (ILB) kishte një emër të keq, ndërsa unë kisha një formim të avancuar për moshën. Meqenëse nuk kisha rrugë tjetër, gjeta një nga ngushëllimet më të çuditshme të botës: me kalimin e kohës të mos i ngjaja unë universitetit, por universiteti të më ngjante mua. Kjo dëshirë u forcua sa nuk mund ta kundërshtoja më dhe prandaj, më shtyu të isha pjesëmarrës në ngjarjet e kësaj shkolle. Megjithëse individë të shquar nuk i munguan, UBT e kompromentoi rëndë statusin akademik para vitit 1990 kur pranoi si pedagogë të tij njerëz të ardhur nga koperativat bujqësore, nga administrata lokale, kryetarë komitetesh. Mund të duket paradoksale, por pedagogë pa vizion, madje edhe “keqbërës” nëse merrnin statusin e autoritetit universitar, jo rrallë u bënë edhe njerëzit që vinin nga arsimi i mesëm bujqësor, vetëm e vetëm pse ky arsimim nuk e pati kurrë kapacitetin e përgatitjes së nxënësve në një proces logjik, teorikisht të mbështetur, madje edhe pse e lejonte zhvillimi fiziologjik i moshës. Akoma më rëndë UBT u kompromentua kur pranimi i pedagogëve të rinj filloi të bëhej mbi bazë të kritereve që ishin të pashkruara, të fshehura nën konkurse-hije, fenomen që është bërë ulëritës këto vitet e fundit. Nëse një audit i pavarur do të ekzaminonte universitetin në këtë pikëpamje, askush nuk do të dinte më se me ç’ institucion kemi të bëjmë nëse rezultatet bëheshin publike. Vetëm universitet nuk do të rezultonte. Ndoshta një han i ruajtur që nga mesjeta, ku mund të hysh nga shumë dyer, për shumë arsye, por vetëm nëse njeh hanxhiun dhe plotëson kërkesat e tij, të cilat, hanxhiu, as mundimin nuk e merr për t’i shkarravitur diku në ndonjë nga dyert e hyrjeve, edhe pse i ndryshon ato përditë sipas ofertave. Mungesa e konkurrimit në një universitet, në të gjitha pikëpamjet, por veçanërisht në pranimin e mësimdhënësve të rinj, e zhbën universitetin, cilido qoftë ai dhe kjo ka ndodhur prej kohësh me UBT. Boshllëku i krijuar nga mungesa e konkurrimit real nuk ka se si të mos mbushet me pisllëqe. Pazaret për votën në zgjedhjet universitare janë pisllëku më i madh, i cili tretet menjëherë në një frikë që nuk mbaron kurrë. Pazare që për nga variacioni, larmia, pragmatizmi, qelbësirëllëku, ia kalojnë ku e ku pazarit të gjësë së gjallë diku në Fushë-Krujë. Dhe para çdo votimi, në universitet sheh fytyra që nuk i ke parë kurrë. Të instruktuar mirë se kujt do t’i flasin dhe kujt jo; kujt do t’i buzëqeshin dhe me kë do bëjnë sikur nuk e njohin; kujt do t’i ofrojnë shërbime universitare edhe pa pyetur për rregullin dhe kujt do t’i thonë prit për ditë me radhë; kujt do t’ia marrin gruan në punë dhe kujt jo; djali apo vajza e kujt do të përfitojë një ikje jashtë shtetit dhe në asnjë mënyrë fëmijët e dikujt tjetër… Dhe nëse nuk ndodh kështu me dikë, pra, nëse dikush fillon e nuk sillet ashtu si urdhrat e padukshëm imponojnë, atëherë menjëherë fillon e rrotullohet syri regjistrues i zyrës së personelit. Skema aktivizohet automatikisht. Njoftohet hanxhiu, ose yesman i kryeministrit, dhe ky “dikush” plangprishës përfshihet menjëherë në “black list”, atje ku askush nuk sheh më një ditë të bardhë.

Megjithatë, “normaliteti” i së keqes vazhdon sikur të mos ketë ndodhur gjë dhe sipas një sekuence ngjarjesh të sigurta. Mësimdhënësit e rinj (shpesh jo në moshë të re) ulin kokën dhe transformohen me një shpejtësi të frikshme në yesmen të hanxhiut, ose në yesmen të yesman-it të kryeministrit, duke e bërë edhe më të madhe turmën ekzistuese të yesmen-ve në universitet, si dhe, çka është më e dhimbshmja, të gjithë përfshihen nga një frikë e madhe, e gjithëpushtetshme, aq sa ngatërrojnë qëndrimin në gjunjë me qëndrimin në këmbë, kokën e ulur me kokën lart. Dhe vetëm e vetëm pse janë të bindur që ashtu si i mori në universitet, me po atë lehtësi hanxhiu mund t’i nxjerrë jashtë tij. Ndërsa akademizmi, fjala e lirë, dinjiteti dhe shpirti i gjerë, morali i panegociushëm dhe në fund sublimimi i lirisë akademike, nuk u bënë kurrë pjesë e tyre. Vlera të tilla mbeten jashtë konstitucionit shpirtëror të njerëzve që po hyjnë ne universitet. Edhe “të mëparshmit” e mbetur akoma aty, tragjikisht, po boshatisen prej këtyre vlerave. Nën acarin e përbuzjes nga turma e të paaftëve. Universitarët e sotëm janë të pakrahasueshëm me të dikurshmit. Me ata që nuk janë më në universitet. Edhe nëse dikush prej tyre ka mbetur aty akoma, atë e sheh të gjunjëzuar, kokulur dhe duke shtrënguar dhëmbët e gishtat e duarve që iu dridhen pa pushim. Universiteti u zhbë sepse ndryshoi përfundimisht standardin moral të strukturës së tij njerëzore. Orientimi drejt votimit të detyrueshëm dhe korruptiv në favor të yesman-it të kryeministrit nuk mund të kryhej brenda standardeve ekzistuese morale, por vetëm duke i zhbërë ato. Duke krijuar antistandarde dhe njerëz të tjerë që do t’i sendërtonin ato. Pra, duke krijuar një komunitet njerëzish të tjerë, të pangjashëm me të parët, të paparë ndonjëherë! Universiteti u zhbë vetëm e vetëm pse hanxhiu apo yesman i kryeministrit do të duhej të merrte pushtet. Na ishte njëherë, pra, që për shkak të pushtetit u zhbë një universitet. This is how the story begins and ends.

Studentët, megjithatë, janë dhimbja e madhe e UBT. Identikiti i studentit tipik në këtë universitet është bardhë e zi, pa ngjyra, zhytur në mjerim. Studenti në UBT vjen nga një arsimim i mesëm i dobët, kryesisht lokal, që mezi mbahet në këmbë për shkak të problemeve të panumërta dhe që ka ngritur duart lart prej kohësh në përpjekjen për formimin e një nxënësi të aftë ta studiojë logjikisht dhe jo mekanikisht botën përreth. Mbi të gjitha, në formimin e tij si qytetar. E gjitha kjo bëhet më e rëndë, shumë shpejt, sepse në UBT paraqiten për të hyrë nxënësit më të dobët të një arsimimi të dobët. Gjithsesi, si në çdo gjë që ka lidhje me UBT, edhe në këtë rast aktivizohen ca mekanizma amoralë, pa autorë, anonimë, dhe lajmet dalin si nga barku i një nate sterrë të zezë. Studentët marrin tri lajme para se të vendosin të vijnë në UBT: aty të kalojnë (kalon klasën) pa hapur librin, lajmi i parë; mungesat janë sa për sy e faqe, lajmi i dytë; provimi merret me kopje (e lejueshme, por jo zyrtarisht), ose me pare nën dorë, lajmi i tretë. Ka edhe përjashtime, sigurisht. Ndonjë mësimdhënës që merr vendim personal të ruajë integritetin e tij. Por që shpesh, kohë më pas, pendohet. Të paktën për shkak të një presioni që nuk mbaron kurrë, ky mësimdhënës detyrohet ta çojë në djall integritetin e tij.

Me qindra herë i kam studiuar studentët e mi në auditor dhe me qindra herë jam munduar që ata mos ta venë re përlotjen time. Studentë pa jetë studentore dhe të veshur keq, veçanërisht në dimër. Studentë pa gëzim, që nuk i pashë kurrë të përfshiheshin të gjithë së bashku në një debat, apo në një festim, çfarëdo të ishte ai. Gjithmonë vetëm, ose dy apo tri së bashku. Çka të jepte përshtypjen që kishin pak gjëra për të ndarë, por aq shumë gjëra për të fshehur nga njëri-tjetri. Mbi të gjitha, për shkak të varfërisë. Vajza dhe djem me rrathë të zi poshtë syve pas dy apo edhe tri punëve në njëzetekatër orë. E gjithë kjo sakrificë gati mbinjerëzore, vetëm e vetëm për të pasur mundësi të paguajnë tarifat e majme të një universiteti që nuk i jep asgjë, përveç një kartoni pa vlerë në fund të tri apo pesë vitesh. Një mashtrim publik ky, shumë më i rëndë se piramida e Sudes. Dhe si për t’i vënë kapak gjithë kësaj, studentët, pasi fitonin besim te unë, më përshkruanin, midis shumë e shumë të tjerash, të cilat, në fakt, i kam të regjistruara, një orë mësimi universitare ku “the best man” i hanxhiut, në rolin e mësimdhënësit, rri në fund të sallës, mbështetet në një cep tavoline, shtrin këmbët deri te tavolina tjetër dhe studentët me kurriz nga ai do të duhet të bëjnë tri gjëra: të mos kthejnë kokën, të mos bëjnë gjë prej gjëje, dhe pas rreth njëzet minutash të çohen e dalin nga klasa në heshtje dhe të degdisen sa më larg ndërtesës së mësimit! Një orë mësimi e denjë për peshqit në akuarium!

Megjithatë, më e zeza nuk është thënë akoma. Nëse analizohet e gjithë kjo gjendje si një e tërë, pa konsideruar hollësitë, ajo që mbetet të kuptosh është se studenti nuk ka asgjë në dorë për të ndërtuar fatin e tij. Çdo gjë është formësuar qëllimisht jashtë studentit dhe pavarësisht nga ai: dija, mësimi, provimi, mësimdhënësi, administrata, vlerësimi, nota … gjithçka. Studenti në UBT ndodhet ekzaktësisht në gjendjen e njeriut primitiv që, meqenëse nuk shpjegonte dot kërcënimet e natyrës, shpiku zotin si mbrojtës të tij. Në çdo hap që hedhin studentët, prandaj, duke mos pasur asgjë në dorë, sundohen plotësisht nga frika. Frikë për gjithçka. Për gjithçka kokulur. Vetëm një gjë i ngushëllon: tarifa dhe në një kuptim të panatyrshëm. Sepse e vetmja gjë që i intereson këtij universiteti është tarifa dhe nga ana tjetër, sepse i vetmi pushtet që një student ka në dorë në atë universitet të mallkuar është të paguajë këtë tarifë për t’u konsideruar prej tij. Të cilën e paguan duke shkatërruar jetën.

Titulli i këtij shkrimi është marrë nga fjala e kryeministrit të vendit në një nga vizitat e tij në UBT, e cila gjendet në link: Top Channel/ Rama HABIT austriakët në Tiranë, rrëfen “martesën” e UBT-së me vjenezët (youtube.com) Ai mori pjesë në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes me BOKU, që u realizua pak para fushatës së zgjedhjeve universitare në UBT. Ekzaktësisht në fund të fjalës, pasi bëri sikur nuk e dinte që zgjedhjet e UBT nuk ishin bërë akoma, kryeministri la një amanet, i cili e meritonte të vihej si titull i këtij shkrimi. Atë bëra dhe unë. Madje m’u kujtua edhe Niçe te “Kështu foli Zarathustra” (Nietzsche: “Thus spoke Zarathustra”). Pas kësaj, jo vetëm që e vura menjëherë si titull, por edhe me kënaqësi të madhe. Në fakt, nënteksti ishte më i qartë se vetë amaneti. Më shumë se një amanet për yesman-in, ai ishte një amanet për votat e UBT! Për herë të parë në krejt jetën time UBT m’u duk si ato lodrat shoqëruese që iu bien falas fëmijëve kur blejnë diçka në dyqanin e tyre. Kryeministrit i kishte rënë si dhuratë një universitet, ose më saktë, një gjysmë universitet! Si shpërblim, ai bëri fushatë në zgjedhjet akademike të UBT duke thyer e bërë copë e çikë ligjin dhe befasisht, të nesërmen, ai përsëri u gdhi si kryeministër. Në Shqipëri! Shpresova se diçka do të ndodhte dhe prandaj prita edhe ca kohë. Përsëri asnjë lajm. Ai përsëri ishte kryeministër. A do të ndodhte kështu në Austri me kryeministrin austriak?! Megjithëse takimi zgjati më shumë se një orë, nga salla nuk u çua askush të thotë që para se të votoj, pra, para se të çoj në vend amanetin e kryeministrit të vendit, do të doja të bëj një pyetje: pse njeriut të kryeministrit që konkurron për postin e rektorit iu sekuestrua telefoni në aeroport nga SPAK (ai nuk ka përgënjeshtruar asnjë nga agjencitë që e kanë dhënë këtë lajm) dhe për një kohë të gjatë është ndodhur nën hetimin e tij? Nuk ka të drejtë më legjitime për një universitar që jeton në një vend pluralist se të bëjë këtë pyetje. Të dijë, para se ta votojë, qoftë edhe nga vetë kandidati për rektor, se ç’po ndodh me të dhe hetimin e SPAK?! Kjo pyetje nuk u bë as aty dhe në asnjë moment në krejt fushatën në UBT, megjithëse e gjithë UBT “ziente”. Ja pse, në fakt, askush nuk mund të thotë ekzaktësisht nëse UBT ndodhet në Shqipëri apo në Venezuelë. Në vend të kësaj pyetje, në sallë ndodhi një gjë krejt tjetër. Ajo që pritej më pak: të qeshura të shfrenuara, plot zjarr, epsh. Nga parija edhe u zgërdhinë, në fakt. Midis tyre u zgërdhi një ish ministër i arsimit i PD, me sa duket edhe ai i rilindur. Pacipërisht. U zgërdhi një ish-dekan, të cilit një ditë studentët i publikuan një “lajmërim vdekje” me fytyrën e tij, e paparë kjo në historinë e universiteteve. Kur fare rastësisht i takova studentët duke i thënë se kjo që kanë bërë nuk është etike, se nuk mund të shpallin të vdekur një njeri që nuk ka vdekur akoma, të vrenjtur, ata m’u përgjigjën: po “dora e tij e rëndë” është etike?! Mbi të gjitha më tërhoqi vëmendjen e qeshura e përmbajtur e dikujt që thotë se ka bërë studimet e doktoraturës në Francë. Pus i thellë, gjithsesi. Një e qeshur plot nëntekst, si të tregonte që para se të jepte amanetin, kryeministri, pa diskutim, ishte konsultuar me të. Ashtu padashur, vetëtimthi, mendova se si është e mundur që këtë njeri e shoh gjithmonë në sallë dhe asnjëherë atje përballë duke i folur sallës?! Si është e mundur që nuk e kam parë kurrë në një konferencë të paraqesë një punim të tijin në gjuhë të huaj (e vetmja mënyrë për ta paraqitur në një konferencë) dhe para auditorit? Si është e mundur që të ekzistojnë të dyja në të njëjtën kohë: edhe të studiosh jashtë Shqipërisë, edhe të mos dish gjuhë të huaj!? A rrinë bashkë ato pa vrarë njëra-tjetrën!? Me çfarë gjuhe ka komunikuar xhanëm, atje, jashtë kufijve të atdheut?! Dhe për dreq m’u kujtua qukapiku; një si alfabet Mors: çak çuk…çak; çuk çak…çuk; dhe anasjelltas. Pa pushim. Edhe natën. Gjuha e qukapikut!/Gazeta Panorama 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →