Pas zgjedhjeve të përgjithshme, Sir Keir Starmer është përzgjedhur kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, e kjo pasi Partia e tij Laburiste mori pushtetin me një fitore dërrmuese.
Ndërkohë nga ana tjetër, Partia Konservatore, e cila qëndroi në pushtet prej 14 vitesh, pësoi një kolaps total, duke sjellë kështu një përmbysje në shtetin ishullor e duke hapur mundësi për politika të reja në vend. Konservatorët humbën 250 vende gjatë një nate.
Ish-kryeministri, Rishi Sunak pranoi rezultatet e votimeve dhe u kërkoi falje kolegëve të tij për këto rezultate. Kërkesa e faljes u bë përmes një deklarate të tij të shkurtër, teksa u shpreh se do të japë dhe dorëheqjen si kryetar partie në javët e ardhshme.
Keir në deklaratën e tij të parë si kryeministër u zotua të drejtojë ‘një qeveri të shërbimit’ e të nisë një periudhë ‘rinovimi kombëtar’.
“Të ndryshosh një vend nuk është si të lëvizësh një çelës. Bota tani është një vend më i paqëndrueshëm. Kjo do të marrë pak kohë, por pa dyshim që puna e ndryshimit do të fillojë menjëherë.”, u shpreh kryeministri britanik.
Kryeministër i ri brenda një dite
Politika britanike pësoi një ndryshim rrënjësor brenda një ditë e një natë.
Në një kohë shumë të ngushtë mes rezultateve dhe vendosjes në krye të qeverisë të kryeministrit të ri, disa ngjarje thelbësore kanë ndodhur.
Në mëngjes mbërriten fugonë në 10 Downing Street për të ndihmuar Rishi Sunak të mbërrijë në Buckingham Palace e të ofrojë dorëheqjen e tij përpara mbretit Charles III.
Por vetëm 14 orë pas përfundimit të sondazhit fillestar, Keir u ftua zyrtarisht nga monarku për të formuar qeverinë e ardhshme.
Disa çaste më vonë, kryeministri i ri mbajti fjalimin e parë zyrtar në këtë post në 10 Downing Street, ku dhe deklaroi ‘qeverinë e shërbimit’ dhe ‘rinovimin kombëtar’, të cilat i premtoi përpara britanikëve.
Kështu kanë nisur punimet e para në formimin e kabinetit të ri qeveritar.
Fillimisht u caktua Angela Ryner si zëvëndëskryministre, Rachel Reeves u bë kancelarja e parë femër, David Lammy sekretari i ri i Jashtëm ndërsa Yvette Cooper sekretarja e re e Brendshme.
Në këto ndryshime thelbësore për qeverinë, Rashi Sunak i uroi gjithë të mirat kryeministrit të ri të vendit.
“Sukseset e tij do të jenë të gjitha sukseset tona dhe i uroj atij dhe familjes së tij mirë. Cilado qofshin mosmarrëveshjet tona në këtë fushatë, ai është një njeri i denjë me shpirt publik, të cilin unë e respektoj”, tha Sunak.
CV-ja e Keir Starmer
Duhet theksuar se kryeministri aktual i Mbretërisë së Bashkuar është mjaft i ri në jetën politike.
Jeta e tij profesionale nis si avokat në vitet 1990, e u emërua drejtor i Prokurorisë Publike, Prokurori më i Lartë Penal në Angli dhe Uells në vitin 2008.
Përsa i përket politikes i ka fillesat e veta në vitin 2015, kur u zgjodh për herë të parë në zonën elektorale të Holborn dhe St Pancras në veri të Londrës, ndërkohë në vitin 2019 mori drejtimin e Laburistëve pas zgjedhjeve të dobëta të përgjithshme të partisë.
Drejtimi i kësaj partie nga Keir Starmer premtoi fillimin e një ‘epoke të re’, e një ‘fryme të re’.
Këto zotime janë të ngjashme me ato të cilat dha në 10 Downing Street, teksa premton për përmirësim e ndryshime thelbësore politike.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co