Prishtinës zyrtare i bëhet vazhdimisht presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas krerëve të shtetit të Kosovës krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë lëshime, që dëmtojnë funksionalitetin e saj.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kërkuar garanci nga partnerët ndërkombëtarë për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit, duke aluduar për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si çështja ku Prishtinës zyrtare i bëhet më së shumti presion.
Garancitë e Kosovës, sipas Presidentes, kanë të bëjnë me siguri dhe mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte, sipas saj, më shumë paqe e siguri në rajon. Këto komente presidentja Osmani i bëri për mediet amerikane gjatë vizitës së saj të fundit në SHBA. Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, disa herë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që draftin e BE-së të Asociacinonit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, por qeveria nuk e ka proceduar tutje.
Jo koncesione që dëmtojnë funksionalitetin e shtetit
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos ai i vitit 2015, e kanë sqaruar procedurën. Pra, duhet të ketë një akt nga ana e qeverisë, që e miraton atë dokument dhe pastaj unë mund ta dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, por jo pa një akt të tillë fillimisht, është shprehur presidentja Osmani. Mirëpo sipas presidentes “krijimi i Asociacionit nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”. Sipas presidentes, Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen.
Kurti: Draft ndërkombëtar, jo vendor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, deri tani ka refuzuar që draftin e BE-së për Asociacionin ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ai nuk është dokument i institucioneve të Kosovës dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë për shqyrtim një dokument ndërkombëtar. Kryeministri sugjeron që dokumentet ndërkombëtare si drafti i propozuar nga i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, të dërgohen në Këshillin e Evropës apo në Komision e Venecias.
“Pesë emisarët kanë sjellë një draft që është draft ndërkombëtar, nuk është vendor. Në Gjykatën Kushtetuese ne dërgojmë dokumente që janë vendore, një dokument që është ndërkombëtar le të shkojë të testohet në instancë ndërkombëtare. Draftin e Lajçakut lirisht le ta dërgojnë te juristët në Këshill të Europës dhe Komision të Venecias. Dokumentin tim unë e çoj në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur i prerë Kurti. Kryeministri argumenton se ai mund ta shkruajë një draft, por “duhet të jetë pjesë e paketës ku e kemi marrëveshjen bazike, aneksit dhe unë nuk e mohoj se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të kishte vendin e vet. Por nuk mundesh Asociacionin ta nxjerrësh nga paketa, ta hedhësh paketën dhe ketë Asociacion t’ia bësh një draft ndërkombëtar e ta testosh në Gjykatën Kushtetuese”.
Drafti nuk kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, disa herë ka deklaruar se drafti i BE-së për Asociaciacionin e komunave me shumicë serbe, “është një mundësi e fuqishme për Kosovën”.
“Nuk është dokument jozyrtar, por është përgatitur me kujdes nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të lartë ndërkombëtarë. Kjo përfshinte personin më të lartë të Bashkimit Evropian, këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët nga Gjermania, Franca, Italia, si dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë. Drafti synon krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, duke trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura”, ka deklaruar Hovenier, duke shtuar se “ky draft nuk kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka pushtet ekzekutiv”.
Kushtetutshmëria e statutit të Asosiacionit
Po si e shohin analistët krejt këtë situatë moskoordinimi të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe refuzimi nga ana e qeverisë së Kosovës që draftin e BE-së për Asociacionin ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i tha DW-së se praktikat e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta. “Në bazë të ligjit të aplikueshëm në Kosovë dhe praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese, e vetmja mënyrë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Statutit të Asosiacionit të komunave me shumicë serbe është miratimi i të njëjtit nga qeveria për t’i hapur rrugë palëve të autorizuara ku hyn edhe Zyra e Presidentes për të dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim”, thotë MIftaraj. Sipas tij, qëndrimi i presidentes është i bazuar në ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe praktikat tanimë të ndërtuara nga Gjykata Kushtetuese. Miftaraj thotë se pas miratimit të të njëjtit dokument nga ana e qeverisë, palë e autorizuar mund të jetë edhe Kuvendi i Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Në bazë të qëndrimeve publike të Presidentes, mund të kuptojmë se ajo po bën përpjekje të mbajë diskursin dhe bashkëpunimin e domosdoshëm me partneret ndërkombëtarë në përpjekje për të ndryshuar narrativën ku Kosova po shihet si pengesë në dialog, i cili po ndikon edhe në raportin e Kosovës me BE-në në rrugën e integrimit evropian, ndihmës financiare por edhe faktit se Kosova ende është nën masa ndëshkuese nga BE. Miratimi i Statutit duhet të kalojë nga qeveria dhe nuk ka autoritet jashtë qeverisë që mund të përmbush këtë detyrim ndërkombëtar të marrë në vitin 2013 dhe të rikonfirmuar nga qeveria Kurti me marrëveshjen e fundit në Bruksel dhe planin e Ohrit”, thotë Ehat Miftaraj.
Bashkimi Evropian pret komentet e palëve
Kosova dhe Serbia kanë afat deri më 18 korrik t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Zyrtarë të qeverisë janë deklaruar se me kohë do t’i dërgojë komentet në Bruksel.
Edhe Bashkimi Evropian pret komentet e palëve për të hartuar një propozim të ri mbi këtë proces. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’ia zgjasin mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Pajtimi u arrit pasi që përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, i cili ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas zyrtarëve të BE-së, me vazhdimin edhe për pesë muaj të mandatit të Lajçakut në rolin e lehtësuesit të dialogut, BE-ja dëshiron të sigurojë që në këtë çështje të mos ketë vakuum derisa të emërohet pasardhësi i tij./DW
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co