Në Shqipëri ndryshimet klimatike të viteve të fundit dhe keqmenaxhimi i burimeve ujore kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e komuniteteve lokale dhe në mjedis. Në Mirditë, Kukës, Pukë dhe Shkodër, banorë të disa fshatrave po protestojnë ndaj ndërtimit të heceve dhe guroreve, që kanë devijuar rrjedhat normale të ujërave në zonat ku ata jetojnë.Shqipëria është një nga vendet e rajonit me një rrjet të gjërë hidrografik, ku përfshihen 152 lumenj dhe përrenj, që prodhojnë një rrjedhë të përgjithshme vjetore prej 1308 metra kub ujë në sekondë. Por, sipas ekspertit të organizatës Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri, Joni Vorpsi, kjo pasuri natyrore po pakësohet nga viti në vit, jo vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike, por edhe keqmenaxhimit.
“Ajo që po ndodh, keqshfrytëzimi dhe keqmenaxhimi i burimeve ujore, është kërcënimi më i madh që i vjen natyrës dhe njeriut në ditët e sotme. Kemi të dhëna shumë të qarta që këto burime po pakësohen dhe qëndrueshmëria e mirëqenies së komuniteteve lokale varet ngushtësisht prej tyre”, thotë ai.
Sipas ekspertëve të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, tendenca e burimeve ujore brenda territorit të Shqipërisë dëshmon për një ulje të sasisë së prurjes ujore deri në 20%, gjë që kërkon një reflektim të thellë mbi të ardhmen e këtyre burimeve.
Pakësimi i prurjeve si dhe devijimi i rrjedhave ujore të lumenjve dhe përrenjve po shoqërohet me ndikime të drejtpërdrejta në jetën dhe ekonominë e banorëve.
Në Mirditë, Kukës, Pukë dhe Shkodër, banorë të disa fshatrave po protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentraleve apo guroreve pranë apo në rrjedhat e lumenjve, që përshkohen përmes territorit ku ata banojnë.
Pashk Doda, banor i fshatit Mesul në Pukë tregon se banorët kanë nënshkruar një peticion kundër ndërtimit të hecit.
“Ne si banorë të tre fshatrave; Mesul, Kimëz, Kalivare, u jemi drejtuar edhe në vitin 2017 të gjitha institucioneve me peticion që nuk jemi dakort me ndërtimin e hidrocentralit, por kërkesat tona nuk janë marrë parasysh. Është detyrë e jona që të mbrojmë natyrën, që të parët tanë na e kanë lënë si dhe që t’jua lëmë trashëgim brezave të ardhshëm”, thotë ai.
Përdorimi i burimeve ujore, veçanërisht gjatë viteve të fundit, sipas ekspertit të mjedisit Mirjan Topi, është intensifikuar me përdorimin kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve dhe kjo, natyrisht, sjell konflikte me komunitetet lokale, të cilët burimet ujore i kanë përdorur tradicionalisht për të mbështetur jetesën e tyre.
“Një pjesë e mirë e hidrocentraleve përdor praktikën e grumbullimit të ujit dhe devijimit të rrjedhave ujore nëpër tuba. Kjo afekton krejtësisht hidrologjinë e zonës. Pra kemi përrenj që thahen dhe kjo ndikon jo vetëm tek banorët e zonës përsa i përket ujit për vaditje apo ujit të pijshëm, por kjo ndikon në të njëjtën kohë edhe në faunën e egër”, thotë ai.
Ekspertët pohojnë se ndërtimi i heceve apo guroreve, pranë ose në rrjedhat e lumenjve dhe përrenjve, mund të sjellë dëme te pariparueshme në mjedis, por edhe në jetën dhe ekonominë e banorëve lokal, ndaj është e nevojshme që banorët të vazhdojnë të mbeten menaxherët e territorit ku ata jetojnë.
“Në qoftë se ne duam akoma që të marrim ato përfitime, të cilat i marrim nga produktet e këtyre banorëve lokal, patjetër duhet të vëmë në shërbim të tyre ato burime ujore apo natyrore që ato kanë. Pra, banorët lokal të vazhdojnë të mbeten menaxherët e burimeve të tyre natyrore dhe jo të bëhen shërbëtorë të heceve apo infrastrukturave të tjera”.
Në Shqipëri ende nuk ka një monitorim të plotë e të saktë të burimeve ujore. Ndaj, mbetet problem menaxhimi i integruar i tyre pasi, sipas ekspertëve, ka të bëjë me planifikimin e së ardhmes, se kujt i shërben më shumë shfrytëzimi i tyre; industrisë së zonës, bujqësisë, turizmit, apo prodhimit të energjisë nga hidrocentralet./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co