Analiza/ Pse ushtritë evropiane e kanë të vështirë për të rekrutuar ushtarë?

analiza pse ushtrite evropiane e kane te veshtire per te rekrutuar ushtare
analiza pse ushtrite evropiane e kane te veshtire per te rekrutuar ushtare

Përpjekjet e vendeve evropiane për të forcuar ushtritë e tyre përballë kërcënimit në rritje nga Rusia, janë përballur me mosgatishmërinë e të rinjve evropianë për t’iu bashkuar forcave të armatosura. Pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë vendet evropiane të rrisin shpenzimet ushtarake dhe të forcojnë mbrojtjen e tyre, teksa përpiqen të ndryshojnë “tkurrjen” e ushtrive që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit. Por, përpjekjet e tyre po përballen me një sfidë të madhe, atë të mungesës së rekrutëve të gatshëm për t’iu bashkuar forcave ushtarake, shkruan euronews. Pavarësisht investimeve, Gjermania ka njoftuar se numri i trupave ushtarake të saj ka rënë. Ministria e Mbrojtjes së vendit tha se ushtria e saj, Bundeswehr, është zvogëluar për 1,500 trupa në vitin 2013, me një total prej 181,500 burra dhe gra. Plani i ushtrisë gjermane është të rrisë ushtrinë në 203 mijë trupa deri në vitin 2031.

Gjithashtu, edhe Britania e Madhe pranoi se kohët e fundit ka vështirësi në rekrutimin e të rinjëve. Madje, 5,800 trupa i janë larguar forcave britanike. “Problemi është ai që ndajnë të gjitha vendet evropiane – përfshirë Francën, Italinë, Spanjën”, tha Vincenzo Bove, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Warwick në Britaninë e Madhe.

Sipas Bove, është e paqartë se kur rekrutimi u bë problem për ushtritë evropiane. Një gjë është e sigurt, pushtimi rus i Ukrainës ka shtuar presionin mbi vendet evropiane për ta zgjidhur këtë çështje. Por, pse Evropa po lufton për të rekrutuar ushtarë?

Vlerat e të rinjve kanë ndryshuar

Sipas Bove, dallimi ideologjik midis shoqërisë në përgjithësi dhe forcave ushtarake shumë është zgjeruar. “Nëse merrni një mostër të rastësishme të të rinjve evropianë, ata janë ideologjikisht shumë larg nga një grup ushtarësh i të njëjtit vend për sa i përket mënyrës se si e shohin shoqërinë, aspiratat e tyre, çfarë duan të bëjnë”, tha Bove. Hulumtimet e realizuara së fundmi tregojnë se të rinjtë civilë janë në masë të madhe kundër luftërave, kundër rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe kundër operacioneve ushtarake jashtë vendit. Gjithashtu, ata janë më individualistë, dhe më pak patriotë se ata që shërbejnë në forcat ushtarake.

Ndërsa nuk ka një shpjegim të qartë se pse ky shqetësim po zgjerohet, Bove tha se kjo mund të lidhet me përfundimin e rekrutimit dhe faktin që të rinjtë nuk janë më të ekspozuar ndaj ushtrisë. Me profesorin ra dakord edhe studiuesja e Institutit të Ajrit dhe Hapësirës Freeman të Londrës, Dr. Sophy Antrobus. “Në shumicën e pjesëve të vendit nuk mund të shihni njerëz me uniformë, nuk ka ndërgjegjësim për ushtrinë si një karrierë e disponueshme”, tha Antrobus.

Paga ‘jo e mirë’

Një arsye tjetër se pse Evropa po has në probleme për rekrutimin e ushtarëve të rinj, thuhet të jetë edhe aspekti financiar. “Për shkak të sfidave në sektorin ushtarak, cilësinë e jetës, zhvendosjet, detyrat ndërkombëtare, pasigurinë dhe mundësinë e vdekjes, ju duhet të paguani rroga shumë të larta për të bindur njerëzit të aplikojnë dhe të bashkohen me forcat e armatosura”, tha Bove.

Kjo u konfirmua përsëri nga Antrobus, e cila ka shërbyer si ushtarake e Forcave Ajrore Mbretërore për 20 vite, duke përfshirë edhe misione në Irak e Afganistan. Ajo ka deklaruar se nuk ka pasur shumë investime në ushtri, andaj gjendja e forcave të armatosura “është bukur keq”. “Kohët e aplikimit për pranim në forcat e armatosura janë gjithashtu mjaft të gjata, dhe brezat e rinj, veçanërisht tani, presin që gjërat të ndodhin shpejt”, tha Antrobus.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →