Shqipëria pritet të anëtarësohet së shpejti në SEPA, Zonën e Përbashkët Evropiane të Pagesave, çka shihet pozitivisht edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare që shprehen në mbështetje te Shqipërisë dhe rajonit për zhvillimet konkrete të bëra në drejtim të tregut evropian të pagesave.
Ledia Bregu, drejtore e Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës pranë Bankës se Shqipërisë mori pjesë në punimet 2-ditore të konferencës së 10-të Tirana “Connectivity Forum”, organizuar nga “Cooperation Development Institute” dhe mbështetur nga Ministria për Evropën dhe Çështjet e Jashtme me temë “Better Together: Building a resilient Europe”. Në panelin “Single Market and SEE6 Regional Cooperation” Bregu prezantoi rëndësinë dhe avantazhet e Shqipërisë dhe rajonit nga pjesëmarrja në Tregun Unik të Pagesave në Euro, për të cilin Shqipëria nëpërmjet Bankës së Shqipërisë ka aplikuar zyrtarisht në 12 qershor 2024 pranë EPC.
Pjesëmarrësit përfaqësues të Institucioneve të ndryshme vendëse dhe evropiane shprehën mbështetjen e Shqipërisë dhe rajonit për zhvillimet konkrete të bëra në drejtim të tregut evropian të pagesave dhe përforcuan avantazhet nga procesi anëtarësimit në SEPA si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e anëtarësimit në BE. Në vijim të procedurës për përmbushjen e kushteve për anëtarësim në SEPA Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në fillim të muajit gusht rregulloren “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve”.
Miratimi i rregullores “Për informacionin që shoqëron transfertat e fondeve” vjen në vijim të punës së Bankës së Shqipërisë për plotësimin e kuadrit rregullativ dhe kushteve për anëtarësimin e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Kjo rregullore dhe përafron kërkesat e Rregullores së BE 2023/1113 në lidhje me transfertat e fondeve në vendin tonë. Sipas BSH-së, në kuadër të pjesëmarrjes në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), për qëllime të parandalimit, zbulimit dhe hetimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, rregullorja përcakton informacionin mbi paguesin dhe përfituesin që do të shoqërojë transfertat e fondeve në euro, ku të paktën një nga ofruesit e shërbimeve të pagesave të përfshirë në transfertën e fondeve ndodhet në Republikën e Shqipërisë.
Rregullorja gjithashtu përcakton rregulla për politikat, procedurat dhe kontrollet e brendshme për ofruesit e shërbimeve të pagesave, me qëllim zbatimin e masave shtrënguese, pavarësisht transaksionit të përfshirë ose monedhës së përdorur, si dhe kërkesa në lidhje me detyrimin për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave. Anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të vendoset brenda këtij viti. Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co