Presidenti iranian Massoud Pezheskian emëroi ish-ministrin e Jashtëm, arkitektin e marrëveshjes ndërkombëtare për programin bërthamor të Republikës Islamike nga pala iraniane, Mohammad Javad Zarif, si zëvendëspresident dhe këshilltar të tij për çështjet strategjike, njoftuan mediat zyrtare iraniane të enjten. Në këtë pozicion, “ju do të jeni përgjegjës për monitorimin e zhvillimeve të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe shkallën e suksesit në arritjen e objektivave të qeverisë,” tha zoti Pezeskian në letrën e emërimit të z. Zarif në këtë post, citohet nga agjencia IRNA.
I konsideruar i afërt me reformatorët, Zarif ishte kreu i diplomacisë iraniane nga viti 2013 deri në vitin 2021, në kohën e presidencës së moderuar Hassan Rouhani. Ai ishte aktivisht i përfshirë në fushatën zgjedhore të Pezeskian, ndërsa besohet se ka luajtur një rol kyç në fitoren e presidentit të ri. Zarif ishte një negociator kyç nga pala iraniane në procesin që çoi në marrëveshjen historike ndërkombëtare për programin e energjisë bërthamore të përfunduar me gjashtë fuqitë e mëdha dhe Bashkimin Evropian në 2015, zyrtarisht Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).
Por marrëveshja, e cila parashikonte një lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare kundër Teheranit në këmbim të frenimit të aktiviteteve të tij bërthamore, filloi të prishet në vitin 2018 kur presidenti i atëhershëm i SHBA Donald Trump tërhoqi vendin e tij, rivendosi dhe forcoi sanksionet ndaj Iranit. Zarif në përgjithësi mbron përmirësimin e marrëdhënieve me Perëndimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, armikun kryesor të regjimit klerik të Iranit.
Presidenti i ri 69-vjeçar Pezheskian thuhet se dëshiron të krijojë një politikë të re të jashtme. “Ne duam të hapim horizonte të reja” dhe “të zgjerojmë marrëdhëniet tona miqësore me botën e jashtme” për t’i dhënë fund “izolimit” të Iranit, ka thënë ai, sipas mediave iraniane.
Megjithatë, emërimi i Zarif vjen në mes të një përshkallëzimi të ri të tensioneve në rajon, pas vrasjes në Teheran të liderit të lëvizjes islamike palestineze Hamas, Ismail Haniya, për të cilën fraksioni i tij dhe Irani fajësuan Izraelin. Pezeskian shpjegoi se do të ketë hakmarrje. Nga ana e tij, Zarif, i cili gjithashtu dënoi vrasjen e Ismail Haniya, u përmbajt nga kërcënimet.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co