Dy të ndaluar nga policia janë arratisur nga dhomat e shoqërimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.
29 vjeçari me iniciale N. L., dhe 33 vjeçari me iniciale E. P., raportohet se ishin ndaluar nga uniformat blu më 28 Dhjetor si të dyshuar për vjedhje.
Pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, ata kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.
Një prej tyre kap pak kohë pasi u arratis nga dhomat e shoqërimit. Ndërsa i arratisuri i dytë mësohet se është lokalizuar se ku po qëndron i fshehur.
Ndërkohë ende nuk dihet se si ata kanë mundur të largohen nga dhomat e shoqërimit. Dyshohet se kanë shfrytëzuar kohën e marrjes së masave të gadishmërisë së trupës policore për Festën e ndërrimit të viteve për t’u larguar.
Njoftimi i policisë:
Mesditën e sotme, shtetasit N. L., 29 vjeç dhe E. P., 33 vjeç, pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, të ndaluar më datë 28.12.2024, për veprën penale “Vjedhja”, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.
Si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L..
Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal.