Bota

Arratisja e vrasësit serial në Kenia, 5 oficerë policie përfundojnë në gjyq

arratisja e vrasesit serial ne kenia 5 oficere policie perfundojne ne gjyq
arratisja e vrasesit serial ne kenia 5 oficere policie perfundojne ne gjyq

Collins Jumaisi ka rrëfyer se në dy vitet e fundit ka vrarë 42 gra, të parën gruan e tij

Pesë oficerë policie u akuzuan sot në një gjykatë në Nairobi, një ditë pasi u arrestuan me dyshimin se ndihmuan dhe nxitën arratisjen e një vrasësi serial, të cilin autoritetet keniane ende e kërkojnë.

33-vjeçari Collins Jumaisi, i dyshuar për vrasjen e dhjetëra grave, u arratis mbrëmjen e së hënës duke gdhirë e martë së bashku me 12 të burgosur të tjerë – emigrantë të parregullt nga Eritrea – nga një stacion policie në kryeqytetin kenian.

Ai u arrestua më 15 korrik, disa ditë pasi trupat u zbuluan në thasë në një banjo në lagjen e varfër Mukuru në periferinë jugore të Nairobit.

Sipas autoriteteve, të cilët e cilësojnë atë si “psikopat, vrasës serial” dhe “vampir”, Jumaisi ka rrëfyer se në dy vitet e fundit ka vrarë 42 gra dhe se të parën ka vrarë gruan e tij.

Vendimi i gjykatës pritet nesër të enjten për pesë policët, katër burra dhe një grua, të cilët ishin në shërbim në komisariat në momentin e arratisjes. Tre të dyshuar të tjerë janë dërguar në paraburgim të martën, por nuk është e qartë nëse dhe kur do të sillen para gjykatës.

Gjatë seancës, prokurori pohoi se edhe bashkëpunëtorë të tjerë janë në arrati, pa hyrë në detaje të tjera. “Hetimet fillestare tregojnë se arratisja u lehtësua nga bashkëpunëtorët, duke qenë se një numër i madh oficerësh policie ishin vendosur për të ruajtur stacionin”, tha dje shefi i Përkohshëm i Policisë Gilbert Massengelli.

Arratisja u zbulua mëngjesin e së martës, gjatë “një vizite rutinë në qeli rreth orës 05:00, për të shërbyer mëngjesin”, sipas një raporti të policisë të marrë nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP). “Kur hapën derën e qelisë, policia zbuloi se 13 të burgosur ishin arratisur duke prerë gardhin metalik në oborr’, tha ai.

Është hera e dytë në më pak se gjashtë muaj që një i dyshuar në një çështje të profilit të lartë arrin të arratiset gjatë ndalimit të tij të përkohshëm.  Në shkurt, një burrë 41-vjeçar nga Kenia, i cili do të deportohej në SHBA, ku akuzohet për vrasjen e partneres së tij, u arratis nga një stacion policie në Nairobi duke u larguar nga ndërtesa. Ai u arrestua pas gjashtë ditësh.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts