Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin tij nga ballkoni i banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, drejtuar simpatizantëve të mbledhur në “Rrugën e Shpresës”, foli ndër të tjera për personat e arrestuar gjatë protestës së 20 shkurtit.
Ai ka paralajmëruar policinë se për çdo torturë që do t’i bëhet protestuesve të arrestuar, do të përballen nesër me një ndëshkim ekzemplar.
“Sot orari zyrtar në republikën e rilindjes nisi me një proces politik kundër 4 të rinjve, Andrea Maliaj, Klinti Toli, Bledar Tola, Ismet Stefanis, qëndrestarë pjesëmarrës në uraganin e 20 shkurtit.
Ata ishin sot në bankën e akuzës sepse me 20 shkurt terruan Edi Ramën dhe rilindjen e tij, tmerruan pushtetin e mafias që sundon sot në Shqipëri.
Por sot këta të rinj në sallën e gjyqit qëndronin krenarë dhe ballëlartë para akuzave false, të turpshme, të fabrikuara, të falsifikuara ndaj tyre.
Kjo skenë tregonte qartë se regjimi i ka hyrë frika gjer në palcë nga qëndrestarët, se regjimi ka humbur çdo shpresë për veten e tij, ndaj dhe përdor çdo mjet kundër lirive të qytetarëve.
Miqtë e mi!
Duke i përgëzuar edhe njëherë sot këta të rinj, për qëndrimin e tyre burrëror si në qelitë e zeza të regjimit, ashtu dhe në bankën e akuzës, paralajmëroj fallangat e Edi Ramës se, dita po vjen dhe u garantoj se për çdo torturë që tu bëni qëndrestarëve, do të përballeni nesër me ndëshkim ekzemplar.
Ju paralajmëroj se për çdo ditë burgu e tyre për motive politike, do të ju kthehet në vite burgu si armiq të lirisë së shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co