Partia Demokratike thotë se fëmijët në Shqipëri janë në rrezik. Referuar ngjarjes së një dite më parë, ku u vra me thikë 14 vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatari i tij, zëdhënësja e PD, Floriana Garo u shpreh se arsimi dhe rendi janë territore të humbura.
Po ashtu Garo denoncoi se 10 ditë më parë në shkollën “Petro Nini” ka ndodhur nje ngjarje, qe sipas saj eshte fshehur nga policia.
“Është dashur ndërhyrja e dy mësuesve të gjimnazit ‘Petro Nini’ për të çarmatosur një nxënës që vinte në shkollë me thikë dhe sopatë në çantë”, thote zedhenesja e PD.
DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PD, FLORIANA GARO:
14 vjeçari ka humbur jetën tragjikisht, dhe një moshatar dhe shok i tij është i plagosur rëndë, pas një përleshjeje me thika mes nxënësve të shkollës Fan Noli në mjediset e këtij institucioni të arsimit.
Nuk është vetëm mosha e re, as përleshja me armë të ftohta e adoleshentëve në një shkollë të Tiranës, por është klima e pasigurisë, e terrorit, që sundon në Tiranë që prej një jave dhe që rikthehet në intervale alarmante.
Së pari, në emër të Partisë Demokratike i shpreh ngushëllimet e mia si nënë familjes Cani. Gjithashtu të riut tjetër të plalgsur i urojmë shërim të shpejtë!
Ajo që e bën tragjik rastin nuk është vetëm, humbja e një jete të re, por fakti se policia, institucionet, ministria e Brendshme, nuk sigurojnë dot as territore të kufizura dhe lehtësisht të kontrollueshme si shkollat.
10 ditë më parë është dashur ndërhyrja e dy mësuesve të gjimnazit ‘Petro Nini’ për të çarmatosur një nxënës që vinte në shkollë me thikë dhe sopatë në çantë.
Policia e ka fshehur ngjarjen sepse çfarë ka rëndësi për ministrin Hoxha dhe Rilindjen janë statistikat, jo siguria dhe as jeta.
Ajo që e bën qesharake Rilindjen është se, kur në krye të Ministrisë së Brendshme dhe të Arsimit ishin Taulant Balla dhe Evis Kushi, ata paraqitën një “paketë të sigurisë” në shkolla. Me kamera, me zhurmë, me rrahje gjoksi dhe premtime ajo paketë, nga e sigurisë është kthyer në të “Pasigurisë”.
Fëmijët tanë janë në rrezik.
Shkollat ku ata studiojnë janë territore të humbura dhe të pakontrolluara.
Ministrja aktuale e Arsimit, Manastirliu e ka gjetur zgjidhjen sipas saj. Thotë se krimi parandalohet kur opozita mos ti thotë më qeverisë me zë të lartë në Kuvend se po vidhni dhe po e shkretoni Shqipërinë.
Ky është plani i tyre. Mos e ngrini zërin kur ne vjedhim!
Ne e themi dhe do ta përsërisim. Një polici politike, pavarësisht se kë ka në ballë, Ballën apo Hoxhën, që bëhet mur egërsie përballë opozitarëve dhe kamxhik mbi qytetarët e thjeshtë nuk e siguron rendin publik.
Ajo ka vetëm një qëllim: të sigurojë pushtetin e drejtorëve dhe qeveritarëve.
Si qytetarë, si nëna e si etër të bijve që mbesin nën thikat apo plumbat e kriminalitetit, kemi të gjithë një detyrë të përbashkët, pavarësisht bindjeve politike: ta rrëzojmë këtë qeveri dhe cdo qeveri që ruan pushtetin e vet më shumë se jetën e njerëzve që duhet të mbrojë.