Familjarët e 61-vjeçares, që humbi jetën tre ditë më parë në spitalin e Korçës, kanë lëshuar një lumë akuzash në drejtim të bluzave të bardha. Vajza, në një prononcim për mediat deklaroi se nëna e saj, Tatjana Dajko, vdiq për shkak të mungesës së kujdesit nga ana e mjekëve.
“Nëna jonë vdiq ditën e ditëlindjes do i prisnim tortën e ditëlindjes dhe na vdiq nga duart e mjekëve. nuk kanë vrarë vetëm atë, na vranë edhe ne. Mos e pastë njeri fatin e nënës tonë, do e ndjekim këtë çështje deri në fund”, tha vajza e 61-vjeçares, Klotina Topulli.
Ajo tregoi se si kishte përfunduar në spital me një shtrëngim në gjoks, por pasi i kishin vendosur një hapë në gojë, e kishin nxjerrë. “E ka marrë mamin vëllai në 10 pa dhjetë e ka çuar në urgjencën e spitalit. Mami kishte shtrëngim të gjoksit dhe dhimbje në mes të shpatullave. E kanë shpënë atje i kanë matur tensionin dhe oksigjenin. I kanë bërë 1 qetësues dhe i kanë vënë një hapje nën gjuhë. Qëndroi 10 minuta shtrirë dhe i thanë ‘ngrihu se erdhi tjetri, ulu te stolat te korridori i urgjencës’. U ul aty priti pak dhe i vajti te dera doktoreshës i tha ‘a do ma matni prapë tensionin?’ Ajo i tha; “ik se nuk ke asgjë! Ke ankth, stres”.
Kur doli nga dera e spitalit ajo po ndihej më keq. Kur erdhi në shtëpi tha po ndihem akoma më keq prej ilaçeve, nuk ndihem mirë.
E pamë që u bë më keq rreth orës 19 e 30 kemi marrë ambulancën, e pamë që ambulanca po ashtu…morëm makinën tonë dhe e çuam. Sa arritëm te dera e spitalit mamaja ka vdekur. Ajo kishte hemorragji nga hundët, nga goja si mund të thonë ata që ka vdekur për shkaqe të panjohura, natyrale kur ne e kemi paraqitur në 10 pa dhjetë në spital.
Duhet të marrë masat shteti. Mos e pastë fatin asnjë siç e pati mamaja ime nga doktorët. Nuk vuante nga asgjë! Ishte 61 vjeçe, mbushi atë ditë që vdiq. Në spital nuk i bënë asgjë. Kur kam hyrë në 19:30 në spital që mamaja ime sa hyri te dera e spitalit ishte e vdekur ata kanë marrë EKG-në t’ja bënin. Kam bërtitur me të madhe të hapin kamerat, të shikohen. Ku u gjet EKG-ja tani? Pse nuk iu bë kur ishte e gjallë? Nuk i kanë bërë asgjë! E bënë më keq.”, tha e bija e viktimës.
Ndërkohë, Anil Dajko, djali i të ndjerës pohoi se; “Nëna rrinte me mua. E mora në 10 këtu dhe e çova në spital. E pyeti doktoresha çfarë ke? I tha mamaja ‘më dhemb gjoksi dhe kurrizi’. I matën tensionin dhe oksigjenin. I bënë gjilpërë e ngritën u ul te stolat mamaja pas meje. U ngritëm prapë dhe i tha mamaja; do më matni tensionin prapë?’. ‘Ik, Ik’, i thanë nuk ke gjë, një gjendje ankthi ke’.
Duke ardhur rrugës për në shtëpi më tha mua; po më zë më shumë tani, por do të më kalojë. Erdhëm në shtëpi jo më tha po më zë më shumë. Erdhëm në shtëpi do prisnin tortën e ditëlindjes mbesat, ajo sa hyri brenda u këput.
Morëm ambulancën, pritëm të vinte, por pas 12 minutash na u tha; jemi në Bulgarec. Pastaj mora makinën time, me sakrificë, e çova në spital. Te dera e spitalit i morën mjetet për mamanë time. Jo nuk bëhet ajo gjë, që t’ja bënin shërbimet si vdiq. Përse e mbajtën në morg kur i kanë vënë ato diagnoza? Vdekje e menjëhershme? Çfarë janë këto që shkruajnë, për të mbuluar plehrat? Unë çuditem, më copëtuan. Çfarë ka nxjerrë ekspertiza? Dua të drejtën e mamasë time. Asnjë mos e ketë këtë fat të mamasë sime.”, tha i biri.
Akuza ka hedhur dhe nipi i 61-vjeçares, Fation Dajko. “Turp, turp për këta doktorë që kemi dhe për këtë shtet që kemi. Erdhi mjekoligjori aty dhe shikoni çfarë ka shkruajtur, është tallur me ne. Na i kanë dhënë ditën e dytë në 3 pasdite, copë copë personin. E kishin çarë në kokë, kudo. Le t’ja bënin EKG dhe po të ishte në gjendje të rëndë do e kishim ndjekur dhe atë njeri do e kishim mes nesh. Borxh do merrnim se vetëm lekë kërkojnë plehrat. Turp i Zotit! Turp mos e dinë se do shpëtojnë. Të vihet drejtësia në vend në mos ka edhe mënyra të tjera…Do luajmë gurin e fundit për jetën e nuses së xhaxhait tim. Nuk e mori Zoti e mori robi.”, tha ai.
Familjarët gjithashtu kanë bërë kallëzim penal pasi pretendojnë për neglizhencë të mjekëve të turnit, shtetaset me inicialet A.D dhe G.R.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co