“Baba dhe lider me Milanin”- Leao shpall objektivat: Ibra më thotë të bëhem më i … keq

baba dhe lider me milanin leao shpall objektivat ibra me thote te behem me i keq





































Numri 10 mbi shpatulla dhe kapiten potencial në rast largimi të Davide Kalabria. Ndërkohë, Rafael Leao që tani është lojtari më i paguar i Milanit dhe si i tillë ka përgjegjësi më të mëdha se kushdo tjetër.

rafael-leao-21641242886

Talenti nuk i mungon, vazhdimësia po, ndaj portugezi është i ndërgjegjshëm që ky që po nis është sezoni ku duhet të bëjë hovin cilësor. O sot, o kurrë e për këtë ai është gati siç ka dëshmuar edhe në intervistën e dhënë për “La Gazzetta dello Sport”.

A është një moment i lumtur në jetën tuaj?
Mund të them se po. Eliminimi në çerekfinale në Kampionatin Europian ishte një moment i vështirë, por ajo mbetet një përvojë e mirë. Pushimet familjare më bënë mirë: në vend që të vija këtu në Nju Xhersi nga Majami, kalova nëpër Portugali për të parë të afërmit e mi. Janë ata që në momentet e mia të dobëta, apo në ato më të mira janë pranë meje. Tani jam i emocionuar për sezonin, jam i lumtur të shoh sërish shokët e skuadrës dhe të kem një sezon tjetër me këtë fanellë. Kam qëndruar në kontakt pothuajse me të gjithë, Florenzi më pyeti: “A po stërvitesh?”.

Si ju përgjigjët?
Unë kurrë nuk bëj stërvitje të mërzitshme, përpiqem t’i përdor ato për të bërë atë që më pëlqen. Ditët e fundit kam qenë me trajnerin tim personal, kam bërë goditje nga distanca e goditje me kokë. Këto janë gjëra të rëndësishme: përballë portierit më ndihmojnë të shënoj më shumë gola.

Çfarë i thatë Florencit tani që duhet të operohet?
Që të tregohet i fortë si gjithmonë. Ne humbasim përvojën e tij, në Itali dhe në Evropë, për mua dhe të gjithë ne ai është shumë i rëndësishëm edhe jashtë fushës. Ai është një luftëtar e do të kthehet më i fortë.

Sa ju ndikojnë kritikat?
Njerëzit ndonjëherë nuk i kuptojnë disa gjëra rreth futbollit, por kjo nuk më shqetëson. Të vetmet kritika që dëgjoj janë ato të trajnerit tim, të drejtuesve, të atyre që janë te Milani. Ata më duan këtu, ata e dinë se ku mund të arrij dhe unë vetë e di gjithashtu se mund të jem një nga më të mirët, jo vetëm te Milani, por në botë.

Përse nuk shënoni me më shumë vazhdimësi atëherë?
Futbolli i sotëm është vetëm numra, është e qartë se numrat janë të rëndësishëm, por ata nuk i rrisin më talentet. Kushdo që nuk arrin të bëjë një pasim, por shënon 30 gola, vihet mbi të gjithë, edhe ata që sjellin diçka ndryshe. Por futbolli ka të bëjë me shfaqjen dhe fitoren, prandaj vijnë të na shikojnë.

Kur do ta shohim Leaon si një “numër 9” të vërtetë?
Dua të shënoj më shumë gola, është e qartë: do të përpiqem t’i bëj të dyja gjërat, paraqitjet dhe golat. Në fushë mund të përshtatem, mund të luaj afër sulmuesit, por tani, me një futboll më taktik, skuadrat janë prapa dhe zënë një pjesë të madhe të zonës qendrore. Nuk kam luajtur me shpinë në portë prej vitesh dhe kam nevojë për hapësirë, për të parë të gjithë fushën. Nuk e shoh veten duke luajtur si qendërsulmues.

Çukvueze po bën mirë ndërkohë. Mund të bëhet vendimtar pas një viti të vështirë?
Po, po, kur nuk luan shumë, bëhet e vështirë të tregosh se çfarë mund të bësh, por, nga sa kam parë, ai ka më shumë besim, dëshiron të ketë topin dhe të bëjë diferencën. Është ajo që prisja. Nëse vazhdon kështu, do të ketë një sezon të mrekullueshëm.

Fonseka po i jep besim në fakt. Ju keni folur me trajnerin?
Ai është një person shumë i drejtpërdrejtë, tregon menjëherë atë që dëshiron. Skuadrat e tij kanë luajtur gjithmonë futboll të mirë dhe për sulmuesit ai është në krye: ndihem mirë me të dhe bashkëlojtarët e tij janë gjithashtu të lumtur.

Si kanë qenë këto ditë të para me Fonsekën?
Stërvitjet janë shumë intensive, gjithmonë me top: për mendimin tim i kemi kuptuar tashmë të gjitha idetë e tij për lojën, do të jetë mirë. Identiteti i Milanit historikisht është me topin në zotërim dhe këtu të gjithë lojtarët janë të përfshirë në këtë proces. Për mendimin tim ai është trajneri i duhur.

Çfarë ju ka kërkuar?
Ai më kërkon të qëndroj sa më pranë vijës anësore, të kërkoj topin, të bëj kombinime për t’iu afruar zonës.

A ju mungon Stefano Pioli?
Ai dhe unë jemi rritur bashkë, si trajner dhe lojtar. Ai më ndihmoi, më dha mundësinë të jem një lojtar i rëndësishëm dhe do ta falënderoj përgjithmonë. Pioli do të mbetet në karrierën time si një nga trajnerët më të rëndësishëm.

Po për Zlatan Ibrahimoviçin drejtues çfarë mund të thoni?
Flasim me njëri-tjetrin. Kur luanim miqësia ishte ndryshe, e kisha gjithmonë pranë. Tani nëse më duhet, e di që mund ta telefonoj në çdo moment. Ai është një nga njerëzit që mund të më çojë në një nivel tjetër.

Cila është këshilla që ju jep Ibra më shpesh?
Më flet për mentalitetin, thotë se duhet të jem më i keq në fushë. Është një objektiv i ri për sezonin, për të qenë më i keq.

Sivjet duhet të kujdeseni edhe për Kamardën….
Ai është ende i ri por po ia del shumë mirë, pres shumë prej tij. Mundohem gjithmonë të flas me të, ta bëj të kuptojë se në ekipin e parë është ndryshe nga ndeshjet me djemtë e moshës së tij. Duhet të jetë i fortë, luftarak. Ai tashmë di të shënojë gola, duhet të mësojë gjëra të tjera, por do të jetë e ardhmja e Milanit. Ne më të vjetrit jemi pas tij, përfshirë edhe unë.

A mund të ketë pak hapësirë në Serinë A për Kamardën?
Trajneri vendos, megjithatë, nëse ai vazhdon të punojë, ai mund të bëjë presion mbi të tjerët. Ai duhet të punojë 100 për qind dhe të presë mundësinë e tij.

Si ju duken blerjet e reja?
Morata dhe Zhiru janë dy kampionë: njëri u largua, një tjetër erdhi. Zhiru bëri histori për Milanin, por unë gjithashtu e njoh mirë Moratën. Ai është një sulmues që punon dhe është shumë i lëvizshëm, do të jetë mirë për sulmuesit tanë të tjerë. Shpresojmë të shënojë edhe shumë gola. Edhe Pavloviç është i fortë, i keq, i mirë me topin, ka shumë fizik. Më duhet të them se më pëlqejnë ata të cilët janë afruar nga Milani këtë verë.

Cilat janë objektivat për këtë vit?
Me Milanin do të luftojmë për çdo trofe. Në jetën personale, së shpejti do të bëhem baba, i binjakëve. Ata duhet të lindin në nëntor. Jam i sigurt se do të jetë një eksperiencë shumë e bukur, më pëlqejnë fëmijët. Le të themi se kam edhe një arsye tjetër për të vlerësuar familjen time dhe për të vazhduar punën për ta. Do t’i quajmë Rodrigo dhe Tiago.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →