Pas blofit kundër Monaco, Barcelona “shpërthyen” ndaj Young Boys, me “armatën” e Hansi Flick që doli me 3 pikë pas fitores së thellë 5-0. Robert Lewandowski realizoi një “dopietë” golash, por njeriu i ndeshjes u shpall Raphinha.
Braziliani i dhuroi Levës një super assist që në minutën e 8-të, me polakun që e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Në të 34-të ishte vetë Raphinha që dyfishoi shifrat. Barcelona nuk e uli ritmin në asnjë moment dhe tre minuta më pas Inigo Martinez trefishoi shifrat. Historia e këtij takimi nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, ku Lewandowski në minutën e 51-të realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Barcelonën. Young Boys ishte i pafuqishëm për të reaguar, madje në minutën e 81-të një autogol i dhuroi Barcelonës edhe golin e 5-të.
Festojnë për suksesin e Barçës mediat pranë klubit blaugrana: “Goleadë Championsi” shkruan Sport në faqen e parë. “Ishte e rëndësishme të merrnin 3 pikët. Gjetëm besimin pas golit të parë, më pas gjithçka ishte më e thjeshtë. Jemi të kënaqur, por duhet të vazhdojmë kështu”, u shpreh Hansi Flick pas ndeshjes.
Një fitore me goleadë siguroi edhe Man.City. “Qytetarët” e Pep Guardiola-s kaluan pa shumë vështirësi Slovan Bradislava-n me rezultatin 4-0. Tetë minuta lojë i mjaftuan për të gjetur golin e parë me kapitenin Gundogan që dërgoi topin në rrjetë pas një goditje të fortë nga jashtë zonë, ky ishte goli i tij i parë pas rikthimit te City. Golin e parë këtë sezon gjeti edhe Phil Foden, me talentin britanik që u tregua perfekt në goditjen e tij brenda në zonë.
Me qetësi dhe pa shumë sforco, Man.City gjeti edhe golin e tretë me fillimin e pjesës së dytë ku Haaland u shkëput shpejt për të trefishuar shifrat. Guardiola nisi të freskojë ekipin, ndërsa në minutën e 74-të McAtee kompletoi pokerin e golave. 4 pikë në 2 ndeshjet e para për Man.City në Champions.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co