Barcelona ka gjetur pasardhësin e Çavi Hernandez. Mediat spanjolle e bëjnë fakt të kryer akordin e katalanasve me gjermanin Hansi Flik, prej kohësh një nga emrat më të lakuar në klub.
Largimi i Çavit është kërkuar nga vetë presidenti Laporta, i cili beson se spanjolli nuk ka forcën për të ndryshuar fatin e kësaj skuadre. Kështu, në ditët në vijim do të mbyllet marrëveshja me teknikun aktual. Por ndërkohë, drejtori sportiv Deko ka gjetur menjëherë një zëvendësues shumë serioz, pasi në pankinë do të ulet Hansi Flik i cili ka fituar gjithçka me Bajern Mynih.
Palët janë takuar në mesjavë në Londër dhe bëhet e ditur se Flik ka gjetur gjuhën e përbashkët me katalanasit mbi çdo pikë. Sipas ”AS” , në këtë takim ku ishte i prnaishëm edhe menaxheri Pini Zahavi, u gjet akordi, me formalizimin e marrëveshjes që do të vijë sapo Çavi të lërë bosh pankinën, duke u larguar apo duke u shkarkuar.
Flik do të firmosë për dy vite me katalanasit, ndërsa marrëveshja mund të zgjatet më tej pas vitit të parë, nëse palët bien dakord. Për t’u ulur në pankinën e Barçës, ai kishte refuzuar menjëherë ofertën që i kishte bërë Çelsi.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co